Nuhi Uka: Gjykimi Që Stimulon Korrupsionin

Bajram Vokshi, ish-teknik i pylltarisë në Drejtorinë për Bujqësi në Kamenicë u dënua më 19 gusht të këtij viti me gjashtë muaj burgim, pasi i kishte kërkuar personit A. K 500 euro ryshfet.

Vokshi kërkoi këtë shumë në këmbim të rregullimit të dokumentacionit për një mal që nuk ishte në pronësi të A.K-së 

Me gjashtë muaj burgim, por me kusht, ishte dënuar edhe Mile Filipoviqi, një polic i Kosovës pasi në tetor të 2003-ës, derisa ishte në detyrë u kishte kërkuar tre shqiptarëve nga 5 euro, kur ata po kalonin në pikën kufitare Kosovë-Serbi, te “Dheu i Bardhë” afër Kamenicës.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar se vendimi për këtë rast ishte marrë pas nëntë vjetësh, në qershor të 2012-ës, nga Gjykata Komunale e Kamenicës. 

Por dënimet që kanë marrë këta dy zyrtarë të rangut të ulët shtetëror janë shumë të mëdha kur krahasohen me ndëshkimet gjyqësore që aplikohen ndaj personave që mbajnë poste të larta dhe që kanë fituar epitetin e “peshqve të mëdhenj”. 

Rasti i Nuhi Ukës, ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës e ka dëshmuar këtë.

Ai bashkë me nëntë të akuzuar të tjerë u dënua për keqpërdorim pronash të ish-kombinatit Bujqësor Industrial  (KBI) “Kosova Export”. 

Prokuroria pretendonte që ai dhe të tjerët përmes nxjerrjes së vendimeve të jashtëligjshme gjyqësore i shkaktuan dëme shtetit miliona euro. 

Përkundër që vlera e dëmit është shumëfish më e madhe se dëmi që shkaktoi polici që kërkonte 15 euro ryshfet, dënimi për Ukën është përafërsisht i ngjashëm.

Uka më 9 shtator u dënua me kusht nga Gjykata Themelore në Prizren dhe nuk do ta kalojë asnjë ditë në burg nëse gjatë dy vjetëve nuk shkakton ndonjë vepër penale. 

Ai u gjet fajtor për shpronësimin e tokave që gjendeshin në “Veternik”, Çagllavicë, e Llapnasellë, duke u dënuar me 2 vjet burgim me kusht dhe me mosushtrim të profesionit për 3 vjet. 

Dënimi burgim me kusht u shqiptua edhe ndaj dhjetë të tjerëve,  tetë ish-gjyqtarëve dhe dy juristëve të përfshirë në rastin e Nuhi Ukës.

Andrev Carney, prokurori i EULEX-it, ka thënë se është i pakënaqur me masën e dënimeve të shqiptuara ndaj tyre.

“Ne fuqimisht jemi duke e konsideruar mundësinë e ankesës në dënimin e shqiptuar”, tha prokurori  Carney për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, të transmetuar më datën 14 shtator 2014.

Por i pakënaqur me dënimet është edhe avokati Nuhi Ukës, Tahir Rrecaj.

Ai ka paralajmëruar ankesë siç thotë “për akuzat e pabaza”. 

“…kryetari i gjykatës sipas funksionit nuk ka marrë pjesë në nxjerrjen e asnjë aktgjykimi të cilët janë objekt i akuzës”, ka thënë Rrecaj pas dhënies së dënimeve nga tupi gjykues.

“Secili mund të korruptohet nëse garantohet se nuk do të shkojë në burg”

Vehbi Kajtazi, gazetari i “Kohës Ditore” që ka përcjellë rastin e Nuhi Ukës, thotë se dënimi me kusht i tetë ish-gjyqtarëve dhe dy juristëve për të është qesharak. 

“Në Kosovë korrupsioni në vlera milionëshe nuk sanksionohet, por tërthorazi stimulohet nga gjykatat. Secili mund të korruptohet nëse garantohet se nuk do të shkojë në burg”, i ka thënë Kajtazi, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Kajtazi në shkrimin e tij të publikuar më dhjetë shtator, tregon se si gjyqtarët kanë qeshur kur kanë dëgjuar për sanksionet  e shqiptuara ndaj tyre nga trupi gjykues. 

Ndërkaq Flutura Kusari, juriste, thotë se dënimet e ulëta ndaj Nuhi Ukës dhe të tjerëve tregon që sistemi gjyqësor ka nevojë për reformë në politikat ndëshkuese të cilat nuk aplikohen njëjtë për të gjithë personat e akuzuar.

“Aspekti pozitiv i këtij vendimi është fakti që është nxituar debat për politikat ndëshkimore në Kosovë dhe publiku nuk po mjaftohet me faktin që një person vetëm të dënohet por ai denim duhet të jetë në proporcion me dëmet e shkaktuara”, thotë Kusari.

“Tash jemi në një fazë kur investimet në sistemin gjyqësor nuk duhet të bëhen vetëm në infrastrukturë por duhet të investohet në kualitet të vendimeve sepse ka shumë raste që përveç që dënimet janë të ulëta edhe aktagjykimet janë të shkruara jashtëzakonisht keq”, shton Kusari.

Edhe Andrea Capussela, ish-udhëheqës për Çështje Ekonomike në Zyrën Ndërkombëtare Civile (ICO), i cili gjatë vitit 2009 ka qenë edhe drejtor i Bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit ka thënë se “dënimet duken të jenë të buta dhe të paekuilibruara dhe se kjo mund të dëmtojë besimin në drejtësi”

“Ndjekja penale e korrupsionit (5 eurosh) ku korrupsioni i madh përfiton praktikisht nga mosndëshkimi i plotë, diskrediton idenë e luftimit të korrupsionit”, ka thënë Capussela. 

“Një koment tjetër që do të bëj është që episodet e tilla janë ndoshta shenja se elita politike e ka kuptuar se ata duhet të bëjnë diçka me korrupsionin-ata duhet të hedhin ‘disa eshtra’ për publikun. Ata e bëjnë këtë në mënyrë që t’u kushtojë më pak për ta. Ata sakrifikojnë disa policë të rangut të ulët dhe jo disa gjyqtarë të lartë”, i ka thënë Capussela, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, pa dashur t’i referohet rastit konkret të Nuhi Ukës, ka folur në përgjithësi për politikat e ndëshkimeve në Kosovë. 

“Duhet të ketë verifikim të politikave ndëshkimore. Për vepra të ngjashme dhe rrethana të njëjta të ketë dënime të përafërta”, i ka thënë Fejzullahu, emisionit “Drejtësia në Kosovë”. 

Ai ka kërkuar rreptësi ligjore kur të dyshuar për shpërdorim detyre janë gjyqtarët. 

“Ligji duhet të jetë veçmas rigoroz kur në vepra të shpërdorimit të detyrës zyrtare janë gjyqtarët-nuk duhet të ketë pardon kur ata qëllimisht shkelin ligjin”, shtoi Fejzullahu. 

Kryetari i Supremes ka thënë se “nëse jepen dënime me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare, kur në to ka edhe vepra korruptive në rrethanat kur ne po marrim kritika të gjithanshme se nuk po luftohet kjo dukuri, është mesazh i keq-madje edhe për kryesit potencialë të këtyre veprave në të ardhmen”.

Prokurorët dhe gjyqtarët që nuk kishin fatin e Nuhi Ukës

Por ekzistojnë raste kur  gjyqtarët dhe prokurorët u dënuan me burg dhe jo vetëm me kusht, siç pati fatin Uka. 

Nazmi Mustafi, ish-kreu i Task-Forcës Antikorrupsion, në maj të vitit të kaluar u dënua nga Gjykata Themelore në Pejë me pesë vjet burg dhe me gjobë prej 10 mijë eurosh.

Mustafi i kishte kërkuar Pashk Mirashit, një likuidatori të Bankës Kreditore të Prishtinës, dega në Gjakovë, 50 mijë euro për të pushuar ndaj tij ndjekjen penale dhe arrestin shtëpiak. 

Një tjetër ish-anëtar i sistemit të drejtësisë Kolë Puka, ish gjykatës nga Klina, në qershor të vitit 2013 ishte dënuar me tetëmbëdhjetë muaj burgim për shpërdorim të detyrës.

Ky ishte dënimi i tretë për të. 

Ai fillimisht në maj të vitit 2012 ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Pejë me 5 vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autorizimit. 

Pesë muaj pas dënimit të parë, Puka u ndëshkua edhe më rëndë nga ligji. Ai u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për lëshim të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor, shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pastrim të parave dhe mashtrim.

Më shumë lidhur me tri dënimet ndaj Pukës mund të lexoni në artikullin “Dënimi i Tretë për Gjyqtarin Kolë Puka”. 

Një tjetër gjykatës mbi të cilin rëndoi fuqia e ligjit është Elez Hoxha, i dënuar më katër vjet  burgim dhe me një gjobë prej 10 mijë eurosh.

Hoxha  më 14 korrik të vitit 2010 u shpall fajtor nga Gjykata Komunale e Prizrenit për pranim ryshfeti gjatë punës së tij si gjykatës në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë gjatë periudhës 2005-2007.

Gjyqi konkludoi se Hoxha pranoi së paku 53 mijë euro, një makinë “Kadi Volkswagen” për djalin e tij, si dhe shuma të tjera parash nga Vesel Alshiqi, për të liruar, ose dënuar lehtësisht Afrim Alshiqin dhe Besim Alshiqin, që të dy të akuzuar për vrasje.

Por fatin e njëjtë si të Nuhi Ukës që të dënohej dhe të mos shkonte në burg e ka pasur edhe një figurë publike që mban pozitë të rëndësishme shoqërore. 

Ramadan Muja, kryetar i Prizrenit në mars të vitit 2014 është dënuar dy vjet me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi u gjet fajtor për tjetërsim të pronës shoqërore. 

Gazetari Kajtazi, thotë se gjykata do të duhej që njerëzit e thirrur për zbatim të ligjit si gjyqtarët, prokurorët, policët etj. të dënoheshin me burg efektiv. 

“Derisa Nuhi Uka dënohet me kusht për gjithë ato krime ekonomike, pse Nazmi Mustafi, prokurori special të dënohet me 4 vjet e gjysmë burgim?  …pra, mungesa e një standardizimi të shkallës së dënimeve dhe dënimi i dikujt me burgim, e dikujt me kusht për të njëjtat vepra, për mua është i dyshimtë dhe i padrejtë”, thotë Kajtazi. 

Shkelja e autoritetit të Gjykatës Supreme 

Pronat shoqërore të cilat janë dëmtuar nga ish-gjyqtarët e dënuar janë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kashoshi, ka thënë se AKP-ja nuk është kompetente të deklarohet për procese gjyqësore, ndonëse procesi gjyqësor ndaj Nuhi Ukës dhe të tjerëve kishte të bënte me dëmtimin e pronës së shtetit. 

Por 15 vendimet e nxjerra, u konsideruan të paligjshme nga Gjykata Themelore e Prizrenit, pasi që me të gjitha rastet që kanë të bëjnë me pronat shoqërore kompetente është Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme dhe jo Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës dhe ajo e Qarkut, prej ku kishin dalë vendimet. 

Edhe Sahit Sylejmani, kryetar i Dhomës së Posaçme në Gjykatën Supreme, ka thënë se për padi pronësore nuk është kompetente të vendosë asnjë gjykatë tjetër përpos Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. 

“Nëse një padi e tillë pronësore drejtpërsëdrejti  është  dorëzuar  në Gjykatën Themelore, apo degën e saj , duke e anashkaluar  Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme,  për ato padi në bazë të Ligjit për Dhomën e Posaçme  nuk është kompetente të vendosë asnjë gjykatë themelore apo degë e saj dhe këto lëndë  nëse të tilla ka ende në këto gjykata, duhet t’i kthehen Dhomës së Posaçme  nën juridiksionin e saj”, i ka thënë Sylejmani, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Tekstit i kanë kontribuar edhe Petrit Çollaku e Naim Krasniqi.