Foto: Arkiv

Njëzet vjet më vonë, Kosova mbetet punë e papërfunduar

Dy dekada pasi NATO filloi bombardimin e Jugosllavisë për të detyruar Sllobodan Millosheviqin që t’i japë fund fushatës së tij ushtarake, Kosova është një vend i lirë, por Serbia ende nuk e ka pranuar humbjen apo krimet që ka kryer.

 

Identifikuesi i telefonuesit tregonte se Richard Holbrooke ishte në telefon. Duke qenë kureshtar, mendova. Holbrooke ishte në Beograd me Sllobodan Millosheviqin duke negociuar tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.

Holbrooke ishte në pistën e Beogradit. Negociatat kanë dështuar dhe NATO do të fillojë bombardimet ditën e nesërme.

Zemra po më godiste. Pas dhjetë vjet veprimesh duke avokuar kundër tiranisë së Millosheviqit, kjo tashmë po ndodhte. Shtetet e Bashkuara më në fund po mbështesnin diplomacinë përmes një kërcënimi të besueshëm me përdorimin e forcës.

Holbrooke kërkoi nga unë që shqiptaro-amerikanët t’i alarmonin të afërmit e tyre. Ai e dinte se inteligjenca serbe do ti monitoronte thirrjet. Në vend që të kthehej në SHBA, Holbrooke shkoi në Budapest. Ai e thirri Millosheviqin të nesërmen, duke i ofruar një shans të fundit.

Millosheviqi tallej: “Amerika nuk do të futet kurrë në luftë për të mbrojtur Shiptarët [një term përçmues për shqiptarët]”.

Pasditen e ardhshme, më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimet. Fushata ajrore zgjati 78 ditë derisa Millosheviq u dorëzua. Isha krenar për Amerikën që ishte futur në luftë për të ndaluar gjenocidin në Kosovë.

Kjo javë shënon përvjetorin e 20-të të ndërhyrjes së NATO-s. Kosova është e lirë dhe e pavarur. Kjo fakt nuk mund të ndryshohet.

Megjithatë, vetëm 116 vende e kanë njohur Kosovën. Kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, Serbia filloi një fushatë diplomatike për të penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Ajo ende refuzon të pranojë se Kosova është humbur si rezultat i krimeve të Millosheviqit.

Aleksandar Vuçiq, shefi i propagandës së Millosheviqit dhe presidenti aktual i Serbisë, e përgënjeshtron një gjë të tillë. Ai këmbëngul se Kosova është ende një krahinë e Serbisë.

Dialogu Kosovë-Serbi filloi në vitin 2011. Në fillim ky dialog dukej premtues. Sidoqoftë, jo edhe aq shumë u arrit nga ky dialog përtej marrëveshjeve mbi targat, kodin zonal telefonik dhe menaxhimin e kufijve. Marrëveshje të tjera u kundërshtuan nga Serbia.

Dialogu pësoi fiasko. Të dy palët nuk ranë dakord as për nocionin e “normalizimit”. Serbia i referohet qeverisë së Kosovës si “autoritetet e përkohshme të Kosovës dhe Metohisë”.

Përderisa zyrtarët serbë shprehin shenja të miqësisë në tryezë në Bruksel, ata punojnë për të minuar përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje më të gjerë globale. E përkrahur nga Rusia, Serbia në mënyrë aktive i dekurajon shtetet tjera për të vendosur marrëdhënie me Kosovën.

Ajo bën fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si UNESCO dhe INTERPOL. Serbia madje përpiqet ti bindë vendet që e kanë njohur Kosovën që ta tërheqin një njohje të tillë.

Vitin e kaluar nuk kishte asnjë njohje të re. Megjithë përpjekjet e ministrit të jashtëm të Kosovës, shtetet tjera po presin që dialogu të rezultojë në një marrëveshje përpara se të zotohen në një njohje të tillë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka propozuar korrigjimin e kufirit në këmbim të njohjes. Shumica e kosovarëve e kundërshtojnë ndarjen. Debati ka rezultuar me një shpërqendrim të madh në mesin e popullatës. Në vend që të negociojnë me Serbinë, politikanët e Kosovës po debatojnë me njëri-tjetrin.

Plani i ndarjes është i keqkonceptuar. Korrigjimi i kufijve nënkupton humbjen e tokës krejt kot. Vuçiç nuk mund të sigurojë një shumicë parlamentare për të ndryshuar kushtetutën e Serbisë dhe ta njohë Kosovën. Ai nuk mund ti detyrojë shtetet e BE-së që refuzojnë t’a njohin Kosovën, veçanërisht Spanja, për të ndryshuar kursin e tyre. Nuk ka asnjë garanci se Rusia do të heqë veton e saj në mënyrë që Kosova të mund të bëhet anëtare e OKB-së.

Veç kësaj, Vuçiq po e luan një lojë të tejzgjatur. Ai shpreson që bashkësia ndërkombëtare të humbasë interesin e saj, ta braktisë Kosovën dhe ta mirëpresë Serbinë në BE. Ai dëshiron që Brukseli të heqë kapitullin 35, i cili e kushtëzon anëtarësimin e Serbisë në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vonesat dhe dezinformatat shkojnë në favor të Vuçiqit. Serbia po e përdor taksën si një justifikim për të bojkotuar dialogun, i cili ka mbetur i përgjumur deri në zgjedhjet evropiane që do të mbahen në muajin Maj dhe zgjedhjen e komisionerëve të rinj në vjeshtë.

Tarifa po del të jetë vetëm një çështje pykë, e cila e ka larguar Kosovën nga Shtetet e Bashkuara. Në vend që ta shtyjë Serbinë të njohë Kosovën brenda kufijve të saj të tanishëm, administrata Trump fajëson Kosovën për pengimin e bisedimeve përmes vendosjes së një takse 100 për qind mbi mallrat serbe. SHBA nuk arriti të pranonte se taksat janë vendosur si përgjigje ndaj taktikave të rënda që u përdorën nga Serbia në takimin e Interpolit dhjetorin e kaluar, kur anëtarësimi i Kosovës u refuzua.

Agjenda e fshehtë e Serbisë përfshin manipulimin e serbëve të Kosovës. Përpjekjet e saj për të minuar një shoqëri të përbashkët janë një sulm mbi shtet-ndërtimin e Kosovës. Në fakt, Serbia kujdeset shumë pak për serbët e Kosovës. Vuçiç thjesht dëshiron të përmbushë projektin e Millosheviqit për aneksimin e territoreve të populluara nga serbët në Kosovë dhe Bosnjë, duke krijuar kështu një “Serbi të Madhe”.

Serbia po kërkon të diskreditojë Kosovën në sytë e bashkësisë ndërkombëtare dhe të komprometojë legjitimitetin e saj po ashtu. Mungesa e sigurisë po i kushton ekonomisë kosovare.

Shkalla e papunësisë është më e larta në rajon. Në mungesë të statusit ligjor, investimet e huaja direkte kanë pësuar rënie.

Ndërkohë, Gjykata Speciale rri e varur si shpata e Demokleut mbi kokën e Thaçit. Prokurorët kanë zhvilluar shumë intervista lidhur me pretendimet për krime lufte. A do të mund të ishte qëndrimi pro-serb i Thaçit një marrëveshje e tij me Vuçiqin për të mos i dhënë informacion Gjykatës Speciale në këmbim të një ndarjeje territoriale, që do të ishte i favorshëm për Serbinë?

Nuk kemi parashikuar sfida të tilla në kohën kur NATO intervenoi, pra 20 vjet më parë. Perëndimi duhet të jetë unik në mbështetje të Kosovës si një shtet sovran dhe multietnik. Vitet 1990 na mësuan se integriteti territorial është vendimtar për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Gjithashtu, është koha e duhur që kosovarët të kërkojnë ndryshime. Nëse populli i Kosovës nuk e bën këtë, Gjykata Speciale ndoshta do ta bëjë.

 

David L. Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut të Universitetit të Kolumbias. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit nën presidentët Klinton, Bush dhe Obama. Autori i “Çlirimi i Kosovës: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e SHBA-së”, Phillips punoi ngushtë me Ambasadorin Richard C. Holbrooke në Bosnje dhe Kosovë.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.