Njeriu me Aktakuzë Vlerësohet si Kuadër i Veçantë

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka gati dy muaj që ia ka besuar udhëheqjen e Divizionit të Prokurimit , një prej punëve  më të ndjeshme qeveritare, një njeriu ndaj të cilit rëndon aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Speciale.

Besnik Dërmaku akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për kohën sa ishte shef i Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Akuzat ndaj tij i ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë Speciale Besim Kelmendi, i cili për Gazetën Jeta në Kosovë tha se aktakuza ndaj Besnik Dërmakut mbetet në fuqi.

“Është në fuqi aktakuza ndaj Besnik Dërmakut, por ende nuk është caktuar seanca gjyqësore”, tha Besim Kelmendi, prokuror i Prokurorisë Speciale.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në shtator të vitit 2013 se në korrik të atij viti u ngrit aktakuza ndaj tre zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe dy përfaqësuesve të bizneseve në lidhje me prokurime. Në mesin e tyre është edhe Dërmaku.

http://gazetajnk.com/?cid=1,979,6326

Arben Çitaku, sekretar në MMPH-së, përmes Zyrës për Informim të kësaj ministrie, tregoi për Gazetën Jeta në Kosovë mënyrën e punësimit të Dërmakut.

“z. Dërmaku ka ardhur ne MMPH me datën 12.02.2015 pas kërkesës që kam bërë kohë më parë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës ku ka qenë i punësuar. Kjo ka ardhur si rezultat i dorëheqjes se udhëheqësit të mëhershëm të prokurimit në MMPH, për shkak se ka shkuar të punojë në temën e doktoratës”, theksoi sekretari Çitaku.

Ai madje tha se kuadro të tillë është vështirë të gjenden.
Çitaku nuk dha përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë kur u pyet se cilat janë cilësitë e Dërmakut që e bëjnë atë të vlerësohet si kuadër.

Çitaku pohoi se nuk është në dijeni  që ndaj Besnik Dërmaku ka të ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare derisa ishte shef i Prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë.

“Jo, MMPH-ja nuk ka dijeni për këtë aktakuzë që ju e theksoni dhe nuk është e obliguar të ketë kësi lloj informacioni, përderisa sistemi i gjyqësisë  nuk e thotë fjalën e vet të fundit me ndonjë  vendim të formës se prerë”, tha Çitaku duke shtuar se transferimi i Dërmakut është bërë komfor ligjit.

“Ky transferim është i rregulluar sipas Ligjit të Shërbimit Civil të Kosovës nr. 03/L-149 përkatësisht nenit 28, paragrafit 2 të këtij ligji si dhe Rregullores për Transferimin e Nëpunësve Civilë nr.06/2010 neni 9 i kësaj rregulloreje”, tha Çitaku.

Arsyet e largimit të Dërmakut nga Ministria e Drejtësisë

Besnik Dërmaku më 28 korrik të vitit 2010 me vendim të Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm është suspenduar nga puna me pagesë me arsyetimin se ka bërë shkelje ligjore në rastin e nënshkrimit të kontratës “Furnizim me Automjetet për Nevojat e DAP-it”.

Dërmaku bëhet përgjegjës për favorizimin e një firme private në kundërshtim me dosjen e tenderit.

Ai ishte ankuar ndaj këtij vendimi në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Këshilli, tetë muaj më vonë, më 21 shkurt të vitit 2011, vendosi që Dëmaku duhet të kthehet në punë.
Këshilli… gjeti shkelje procedurale në marrjen e vendimit për suspendim.

Konkludoi se  Ministria e Drejtësisë nuk është dashur të marrë vendim para se të paraqitet raporti disiplinor dhe para se të bëhet intervistimi i Dërmakut nga menaxheri i personelit.

Në vendimin e Këshillit thuhet se organi i punësimit ka bërë shkelje të procedurës disiplinore sepse menaxheri i personelit ka qenë i obliguar që ta marrë në pyetje, apo ta intervistojë shkelësin e supozuar pas lajmërimit të shkeljes së supozuar.

Bazuar në vendimin e Këshillit.. Zyra e Sekretarit të Përhershëm ishte mbështetur në opinionin e dhënë nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe një rekomandim të dhënë në draft-raportin e Njësisë së Auditimit në Ministri të Drejtësisë që në vitin 2010 prezantuan shkelje në tenderin për furnizim me automjete .

Tre vjet më vonë, më 2013, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë lidhur me këto pretendime.
Por sipas Besnik Dërmakut një vendim i tillë nuk ishte zbatuar nga Ministria e Drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë nuk e ka zbatuar vendimin në mënyrë të plotë, për faktin se më ka kthyer në një pozitë me një gradë më të ulët në Departamentin e Financave”, theksoi Dërmaku.
Shtatë muaj më vonë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbyesve Civilë të Kosovës kishte marrë vendim të prerë për rastin e Dërmakut.

“Më datën 2 shtator të vitit 2011, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbyesve Civilë të Kosovës me vendim të prerë më ka kthyer në pozitën e drejtorit të Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë”, pohoi Dërmaku.

Ekzekutimi i këtij vendimi obligohej të bëhej brenda afatit 15 ditësh nga dita e pranimit të vendimit.

Por Besnik Dërmaku nuk e pret këtë afat ligjor, kështu që më 16 shtator 2011 ai ofron dorëheqje nga pozita e drejtorit të Prokurimit në Ministri të Drejtësisë për shkaqe familjare.

Ai ka punuar si drejtor i Departamentit të Prokurimi në Ministrinë e Drejtësisë nga 1 shtatori 2008 deri më 16 shtator 2011.

Esat Rama, sekretari i përhershëm i Ministrisë së Drejtësisë, thotë se Dërmaku kërkoi vetë që të largohej nga ky dikaster qeveritar.

“Nga data 16.09.2011 z. Dërmaku nuk është më pjesë e stafit të Ministrisë së Drejtësisë, ngase i njëjti me kërkesë dhe në pajtim me legjislacionin për shërbimin civil është transferuar nga Ministria e Drejtësisë në Entin e Statistikave të Kosovë, tani Agjencia e Statistikave të Kosovës”,  ka thënë Esat Rama, sekretari i Ministrisë së Drejtësisë,  nëpërmjet Zyrës për Informim.

Rama nuk dha detaje tjera lidhur me arsyet e largimit të Dërmakut nga Ministria e Drejtësisë.
Dërmaku pas largimit nga Ministria e Drejtësisë i kishte filluar punën në po të njëjtin vit pra 2011, në Entin e Statistikave të Kosovës si ushtrues detyre i Drejtorit  të Departamentit të Statistikave të Popullsisë.

Aty punoi katër vjet derisa nisi punën në Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Dërmaku thotë se ka ardhur me kërkesën e vetë zyrtarëve të kësaj ministrie.

“Pasi ish-drejtori i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ka dhënë dorëheqje për shkaqe të ngritjes së arsimimit të tij, ka pasuar kërkesa e MMPH-së drejtuar Agjencisë së Statistikave të Kosovës që të emërohem udhëheqës i Divizionit të Prokurimit në MMPH”, është shprehur ai.

Dërmaku pranoi që ka aktakuzë të ngritur ndaj tij, por tha se kjo nuk e penalizon për shkak se nuk ekziston një vendim i prerë.

“Jo. Për faktin se derisa nuk ekziston vendimi i formës së prerë dhe derisa aktakuza ka të bëjë me një institucion tjetër ku me vetëdëshirë kam dhënë dorëheqje”, tha Dërmaku.