Një “Shtëpi” për të Moshuarit

Në Ferizaj  në objektin e qendrës regjionale të “Handikos-it”u hap të hënën qendra e përkujdesjes së përditshme për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.

Këto kategori të shoqërisë do të gjejnë në këtë qendër një vend ku mund të rrinë gjatë ditës, të zhvillojnë aktivitete të ndryshme dhe ta kenë afër edhe përkujdesjen shëndetësore.

Menaxherja e “Handikosit” në Ferizaj, Xhemile Murseli i tha gazetës Jeta në Kosovë se ekipe profesionale nga kjo qendër do të ofrojnë shërbime si në qendër, po edhe nëpër shtëpi, te personat me nevoja të veçanta.

Qendra ka për qëllim të ofrojë kushte më të mira për këto kategori të shoqërisë, duke tentuar ta pasurojë jetën e tyre sociale.

Drejtori i “Handikosit” Afrim Maliqi bëri me dije se me aktivizimin e qendrës stafi që do të merret me përkujdesjen ndaj të moshuarve dhe personave me nevoja të veçanta, është rritur për 10 veta.

Tash aty në qendër ka mjekë, psikologë, teknikë shëndetësorë dhe staf tjetër ndihmës.

Edhe kryetari i Ferizajt i pranishëm në hapjen e së hënës tha se duke ndihmuar themelimin e këtyre qendrave, komuna po mundohet që të përmirësojë jetën e të moshuarve dhe personave me nevoja të veçanta.

Qendra u realizua nga BE-ja, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Ferizajt.

Qendra për përkujdesje të përditshme, e themeluar në Ferizaj, është e dyta, pas asaj të ndërtuar në Prishtinë. BE-ja këto dy qendra i ka financuar me 400 mijë euro.

“Handikosi” në Ferizaj funksionon prej vitit 1994.