Ilustrim
Një jetë për një ndërtesë
Dhjetë persona kanë vdekur gjatë dhjetë muajve të fundit në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë. E ndërsa 80 të tjerë janë lënduar gjatë këtyre dhjetë muajve.
“Unë përgatitesha për me e fillu punën dhe duke mos e vërejtë se prej kushteve klimatike, është krijuar lagështi që e ka bërë terrenin e rrëshqitshëm, si pasojë e së cilës ka ardhur deri te aksidenti im”.
Kështu e fillon rrëfimin e tij, S.M, i cili në nëntorin e vitit 2016 ishte lënduar në vendin e punës, në Prishtinë.
Ai kishte rënë nga 2.4 metra lartësi, dhe kishte lënduar këmbën e majtë. Aksidenti ka ardhur si pasojë e mospastrimit të ambientit të punës, gjë që ka çuar në krijimin e lagështisë e pastaj në rrëshqitjen e tij.
S.M, ka pasur kontratë me kompaninë të cilën ka punuar, dhe shprehet se kompania ia ka mbuluar të gjitha shpenzimet pas lëndimit.
“Po, masi jom lëndu firma mi ka mbulu krejt shpenzimet e mjekimit”, thotë ai.
Ndërsa shprehet se ai është paguar nga kompania, edhe pasi ka shkuar në pushim mjekësor.
Vetëm gjatë vitit 2018, 80 persona janë lënduar në vendin e punës, ndërsa dhjetë të tjerë kanë vdekur, shtatë prej tyre kanë rënë nga lartësia. Pjesa tjetër kanë vdekur duke punuar në shtëpitë private, dy prej tyre kanë qenë punëdhënës.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, shprehet se fajtor për ketë gjendje të krijuar në sektorin e ndërtimtarisë është mungesa e vetëdijesimit të punëdhënësve dhe punëmarrësve.
“Punëdhënësi është fajtori i parë, pasi ligjërisht ai është i obliguar për me i kriju kushtet për punëtorin, është i obligum me i lexu të gjitha ligjet, duhet me i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të cilat i sigurojnë kushtet adekuate të punës, edhe nga siguria dhe shëndeti në punë”, thotë Ibrahimi
“Po pastaj edhe punëtori, nëse e sheh që është i rrezikum ai duhet me kërku, edhe mos me punu në ato kushte. Duhet me e pasë një kurajo, me u anku çfarëdo mënyre qoftë, anonim, me emër e mbiemër, dhe mos me pranu atëherë kur rrezikohet jeta e tij”, shton ai.
Ibrahimi po ashtu shprehet se numri i inspektorëve, 42 gjithsej, nuk është fare i mjaftueshëm për inspektim. Ndërsa sipas tij, çështja e buxhetit është ajo që e pamundëson rritjen e numrit te inspektorëve.
Fajin për vdekjet e lëndimet në vendin e punë, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi e hedh tek mosvetëdijesimi i punëtoreve dhe tek mosinteresimi i Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale për zgjidhjen e këtij problemi.
“Ndoshta më së paku më takon me thanë këtë mirëpo edhe vet punëtorët e kanë një pjesë të fajit sepse shpesh here nuk e mendojnë se çka janë duke punuar, vine deri te këto raste. Këta punëtorë kryesisht vijnë prej një kategorie të punëtorëve qe asistenca e tyre sociale është shumë e dobët, andaj shpeshherë duhet me punu edhe punë të rrezikshme për me e mbajt familjen e tyre po faji ma i vogli është të punëtorët”, thotë Azemi.
“Kurse pjesa tjetër e fajit është te pronarët e kompanive dhe te organet gjegjëse të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, megjithatë inspektorët gjegjësisht Ministria e Punës sikur nuk është e interesume që të vij deri te zvogëlimi i numrit të punëtorëve të rastit të vdekjeve të tyre”, shton ai.
E ndërsa sa i përket aksionit për inspektime që ka marrë Inspektorati i Punës, Jusuf Azemi shprehet se Inspektorati është dashur në mënyrë permanente ta mbikëqyrë situatën e punëtorëve të sektorit privat.
Për vdekjen e punëtorëve në vendin e punës, u organizua edhe një protestë në tetor 2018, me moton “Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona”.
93 helmeta u vendosën në rrethojat e objektit të qeverisë, për rastin e çdo të vdekuri në vendin e punës, në pesë vitet e fundit. Me secilin rast që do të zbardhet, do të largohet një helmetë.
Gjatë vitit 2018, Inspektorati i Punës, ka kryer 900 inspektime, ndërsa gjatë muajit të fundit ka shqiptuar dymbëdhjetë gjoba dhe ka pezulluar punimet në njëmbëdhjetë vend punishte. Inspektorati ka pranuar 974 ankesa nga punëtorët.
Siguria e punëtorëve në vendin e punës, është e hartuar me anë të kornizave ligjore, me Ligjin për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të të Punësuarve dhe Ambientit të Punës. Qëllimi i këtij ligji është që të parandalohen lëndimet në punë, sëmundjet profesionale në vendin e punës dhe të mbrohet ambienti i punës.
Autorja Veronë Selimi është bursiste e grantit të financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).