Me Majlindën, në Ëmbëltoren e Rios

Është më lehtë të pish kafe më Majlindën në Pejë se në Rio.

Sapo u larguam nga fshati olimpik dhe arritëm në ëmbëltoren e parë, filloi foto sesioni.

Së pari mjeku i atletëve të ekipit të Sllovenisë e pastaj të gjithë klientët në ëmbëltore shkuan të bëjnë nga një foto me sportisten që i bëri emër Kosovës në paraqitjen e parë të shtetit në Lojëra Olimpike.

Gjysma e atyre që pozuan me Majlindën ishin vetë ose sportistë ose pjesë të ekipeve si mjekë apo staf tjetër. Por nuk mbeti kush pa u avitur.

Një natë më herët në BBC, Majlindës i kishin thënë se fitorja e saj është storia më e madhe olimpike.

Një shtet i vogël, pa ndonjë traditë sportive merr medalje të artë olimpike në një sport japonez në ditën e dytë të garave.

Gjithsesi se është storie për tërë botën, nuk mbeti kush pa shkruar përfshirë “The Washington post”, the New York Times, BBC, CNN, përderisa orari i intervistave është i zënë ende për ditët në vazhdim.

Mëngjesin tjetër Majlinda do të fillojë të xhirojë për një televizion brazilian, dhe kjo do bëhet në pika të famshme të qytetit të Rio De Janeiros.

Majlinda nuk kishte ndryshuar prej herës së fundit që e kisha takuar. Muskujt e dorës të vijëzuara dhe të definuara deri në maksimum. Flokët e krehura thjesht, me një modesti të zakonshme. Tash pas tërë garës, Majlinda ia lejoi vetës një ëmbëlsirë.

Ajo është asi superstar i sportit sa që ka marrëdhënie personale me personin më të fuqishëm të sportit të botë, kryetarin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Ai kur ka qenë në Kosovë i kishte premtuar Majlindës se do t’ia dorëzonte personalisht medaljen në Rio De Janeiro, ndërsa Majlindës i mbetej ta fitonte.

Kështu edhe ndodhi. Majlinda e fitoi dhe Bach mbajti premtimin. Bach ia përkujtoi këtë kur ia dorëzoi medaljen dhe në atë moment bëri një bisedë të shkurtër me xhudisten.

Përveç ndikimit ndërkombëtar, suksesi i Majlindës në Kosovë bëri që kur të hapësh faqen e Facebook të mos shohësh asgjë tjetër.

majlinda

Secili që kishte ndonjë lidhje me kampionen olimpike e dëshironte “hisen” e vet të suksesit. Dolën fotografi të xhudistes kur ka qenë 5 vjeçe, kur ka vizituar një shkollë, apo çfarëdo tjetër.

Bashkë me famën vjen edhe përgjegjësia se çka do bësh me të. Majlinda mendon se fama e saj dhe shembulli i saj duhet të kthehet në motivim për të rinjtë që ata të mund të bëjnë çka të dëshirojnë. E pasi vjen nga sporti, ajo beson se duhet të angazhohet që t’ju mundësojë kosovarëve që të merren me sport dhe art pasi këto janë dy fusha ku po tregohen disa suksese. Gjithsesi se sporti do të mbetet ekspertiza e saj.

Pasditen e 14 gushtit, fluturimi i gjatë me ndalesa nga Rio do ta sjellë Majlindën në Kosovë. Nja dy javë pushim dhe më pas ajo do të kthehet në përgatitje për garat e ardhshme në muajin nëntor.

“Besoj se kosovarët e dinë se unë jam pjesë e ekipit të Galatasaray në Turqi. Me ta kemi fituar ligën e kampionëve në Evropë dhe në nëntor janë garat e ardhshme. Duhet të vazhdoj përgatitjet në mënyrë që ta nderoj kontratën”, thotë Majlinda, puna e së cilës nuk ka të ndalur.

Majlinda me rezultatet e tuaja ke arritur të kesh një ndikim në shoqëri? Ajo më shikon dhe nuk është e vetëdijshme për ndikimin që mund ta ketë. Mendja e saj ishte me shumë në garat e nëntorit, me pak mërzi për bezdisjen që i bëjnë mediat.

majlinda1

“Më thonë njerëzit edhe që të futem në politikë, por jeta ime është xhudo. Do të vazhdoj të përgatitem për garat në vazhdim me idenë për pjesëmarrje në Tonyo 2020”, thotë ajo.

Realisht xhudo i lejon këtë, pasi ka pasur xhudiste të stolisura me medalje përtej të 30 tave.

Majlinda e cila preferon intervistën larg trajnerit të vet mendon se në Kosovë duhet të koncentrohet në futjen e sportit si lëndë serioze sportive që do të krijonte angazhim të rinisë që siç shprehet ajo “ta mbajë atë jashtë rrugëve të këqija”.

“Duhet sport në shkolla, duhen trajnerë të mirë për të cilët ka mungesë në Kosovë. Ndoshta duhet t’i sjellim nga jashtë”.

Sa i përket rregullimit ligjor të sportit, Majlinda lavdëron ligjet kosovare të cilat ofrojnë pension për sportistët kulminantë nga mosha 45 vjeçare, mirëpo në të njëjtën kohë pyet se çka mund të bëjë një sportist nga pensionimi në të tridhjetat e hershme deri kur të vijë në moshën e pensionimit.

majlinda3

Zgjedhja e kësaj pjese do të vinte me një ligj të ri që do ndiqte praktikën evropiane, ku sportistët kulminantë në bazë të rezultateve e jo thirrjeve telefonike do të bëheshin pjesë e agjencive shtetërore si policia apo ushtria.

Për shembull, skitari italian Alberto Tomba tash është pjesë e Karabinierëve. Ai që nga arritja e sukseseve të para ka qenë pjesë e këtyre forcave, zyrtarisht ka pasur rangun dhe rrogën, përderisa vetë ka kaluar kohën në përgatitje. Pas përfundimit të karrierës ai u është bashkangjitur forcave të karabinierëve si i punësuar me orar të plotë.

Një gjë e tillë do të mund ta mundësonte edhe FSK apo Policia e Kosovës që të kenë në radhët e tyre kampionë olimpikë, ndërsa shumë të rejave dhe të rinjve do t’u ofrohej mundësia që të bëhen pjesë e këtyre forcave falë rezultateve në garat ndërkombëtare.