Shefi i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në përurimin e pikave të karburantit në veri më 15 dhjetor 2016. Foto: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë

‘NIS Petrol’ në Veri Shkel Embargon e Kosovës ndaj Rusisë

Ditën kur Marko Gjuriqi hyri “i maskuar” në Kosovë, ai po sfidonte më shumë se një marrëveshje për rregullimin e vizitave të zyrtarëve shtetërorë të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Atë ditë, Marko Gjuriq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë inauguroi tri pika të shitjes së naftës, të kompanisë “NiS Petrol”. Me këtë, ai ia ka bërë një nder Rusisë, një ndër aleatet kryesore të Serbisë, ndërsa e ka thyer embargon e vendosur nga qeveria e Kosovës për Federatën Ruse. Kompania ruse “Gazprom Neft” është një nga aksionarët e kompanisë “NIS Petroll”. Ajo është në listën e zezë të qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse me 17 shtator 2014. Në vendimin e qeverisë së Kosovës ishin listuar një numër i kompanive dhe personave të cilëve në mënyrë specifike u është ndaluar biznesi në Kosovë apo u janë bllokuar asetet. Në mesin e kompanive ndaj të cilave janë vendosur sanksionet është edhe kompania “Gazprom Neft”.

Në ueb-faqen e kompanisë “NIS Petrol” thuhet se kompania ruse “Gazprom Neft” është aksionar i kompanisë. 

Qeveria e Serbisë nuk ishte bashkuar me Amerikën dhe vendet e BE-së për t’i vendosur sanksione Rusisë pas aneksimit të Krimesë. Një nga arsyetimet që kishte dhënë ministri i atëhershëm i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ishte edhe rreziku që Rusia të lejonte Kosovën të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara.

Lista e zezë

Kompania Ruse “Gazprom Neft”, që është në listën e kompanive të ndaluara në Kosovë, ka një rrjet të madh të pikave të shitjes së karburanteve në Serbi.

Nis Petrol, gjatë këtij muaji, ka inauguruar edhe tri pika të shitjes së karburanteve në komunën e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Hapja e tyre ka shkaktuar reagime të Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Brukselit për mbylljen e tyre në pamundësi për të shtrirë sovranitetin në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Europian për të parandaluar veprimtarin e kompanisë Serbe të naftës, Nis Petroll.

“Duhet të kemi vigjilencë maksimale që të ndalojmë çfarëdo ndikimi të Rusisë në Kosovë sepse mund të jetë me rreziqe për sigurinë kombëtare të shtetit tonë euroatlantik dhe me rreziqe gjeostrategjike për Kosovën dhe rajonin.  Kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet tona shtetërore në kontekstin e ambicieve të rrezikshme të Rusisë për ndërhyrje të mundshme gjeostrategjike në gjithë rajonin e Ballkanit”, citohet ministrja Tahiri, në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Dialogut.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) nuk janë përgjigjur direkt në pyetjen e gazetës nëse operimi i kësaj kompanie në Kosovë përbën shkelje të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë.

Lulzim Krasniqi, këshilltar i ministres së Tregtisë dhe Industrisë thotë se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë do të zbatohen edhe në rastin e operatorit ilegal, Nis Petrol.

“Qeveria e Kosovës do të jetë e vëmendshme që të zbatojë vendimet e saj lidhur sanksionet ekonomike ndaj Federatës Ruse edhe në këtë rast”, ka thënë Krasniqi kur është pyetur nëse operimi i kësaj kompanie përbën shkelje të vendimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Rusisë.

Por, Krasniqi thotë se sanksionet janë duke u zbatuar, në përjashtim të rastit të Nis Petrolit.

“Lidhur me sanksionet ekonomike dhe tregtare që ka vendosur Republika e Kosovës ndaj entiteteve të Federatës Ruse, duke qenë në konvergjencë me politikat e aleatëve tanë nga BE dhe ShBA, Qeveria e Kosovës po i zbaton ato në përputhje me vendimet e marra”, ka thënë Krasniqi.

MTI-ja thotë se operimi i NIS Petrol, përveç vendimit për sanksione, është në kundërshtim edhe me ligjet e Kosovës.

Parajsa tatimore

“Lidhur me çështjen e operimit ilegal të kompanisë NIS Petrol, Qeveria e Kosovës është duke i marrë veprimet përkatëse ligjore që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi për trajtimin e operatorëve që veprojnë ilegalisht ku kemi kërkuar nga institucionet e sigurisë koordinim të veprimeve lidhur me zbatimin e ligjit”, ka thënë Krasniqi.

Këshilltari i ministres Bajrami thotë se Nis Petrol nuk është regjistruar fare si biznes në Kosovë.

“Këto pika të shitjes së karburantit (Nis Petrol) nuk kanë aplikuar për t’u pajisur me licencë në MTI dhe as për t’u regjistruar në ARBK (MTI)”, ka thënë Krasniqi.

Por, në katër komunat veriore të Kosovës ka shumë pika të karburantit të cilat operojnë në mënyrë të kundërligjshme. Çmimi i karburanteve në atë pjesë të Kosovës është dukshëm më i lirë se sa çmimi i tregut.

Për këtë janë të vetëdijshëm edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pasi arsyetohen qasja e institucioneve të Kosovës në atë pjesë ka qenë e limituar. “Është evidente se numër i madh i bizneseve kanë operuar për vite të tëra në mënyrë joformale në këto komuna”, ka thënë ai.

Këshilltari Krasniqi shpreson se pas marrëveshjeve të arritura në bisedimet në Bruksel do të mund të shtrihet sovraniteti edhe mbi këto pika të shitjes së karburanteve.

Thotë se ka filluar licencimi e subjekteve afariste që merren me tregtinë e naftës në këto komuna.

“Trendi i regjistrimit të kompanive nga këto komuna në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka shënuar rritje”, tha ai. “MTI do t’i trajtojë të gjithë operatorët ekonomikë në komunat Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan dhe Zubin Potok, ashtu siç parashihet përmes legjislacionit i cili e rregullon sektorin e tregtisë me karburante, i cili legjislacion parasheh që operatorët ekonomikë duhet të veprojnë legalisht dhe me licenca valide të lëshuara nga MTI, në të kundërt do të jenë subjekt i ndëshkimeve ashtu siç parasheh ligji.”

Përveç pikave të shitjes së karburanteve të hapura në pronat private, në këtë pjesë të Kosovës janë të uzurpuara edhe disa pika të shitjes që janë nën menaxhimin e AKP-së.

Janë katër pompa të benzinës të uzurpuara në pjesën veriore të Kosovës. Dy nga to janë prona të ish Ndërmarrjeve shoqërore: “Ina- Trgovina” dhe dy të tjera të “Jugopetrol”. Madje, AKP-ja në raportet për pronat e uzurpuara ka shkruar se nuk ka arrit që të identifikojë as personat dhe kompanitë që i kanë shfrytëzuar këto prona.