Foto: Facebook

Nipi i Xhafer Gashit punësohet në 'Hortikulturë' përmes një konkursi kundërthënës

Nipi i kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashit, është punësuar në “Hortikultura”, ndërmarrjen Publike të Komunës së Prishtinës që merret me ngritjen, rregullimin dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra në territorin e kryeqytetit.

Punësimi i tij është bërë në një konkurs që është përcjellë me mungesë të transparencës.

BIRN e ka monitoruar konkursin për tri pozita të larta të kësaj ndërmarrje: Sekretar i Përgjithshëm i Ndërmarrjes, Zyrtar Financiar dhe Zyrtar i Auditimit të Brendshëm.

Edhe pse  kërkesa për monitorim ishte miratuar nga bordi i kësaj ndërmarrje, ata kanë vendosur që procesin e vlerësimit të testeve dhe kandidatëve të intervistuar të bëjnë mënyrë sekrete.

Monitoruesi i BIRN është lejuar vetëm ta shohë procesin e testimit, por jo edhe të jetë i pranishëm në vlerësimin e testeve.

Njëjtë ka ndodhur edhe me rastin e intervistimit. Bordi i ka intervistuar kandidatët për këto pozita, mirëpo nuk ka bërë vlerësim të tyre me arsyetimin se këtë do ta bëjë në një takim të bordit.

Qasje të palimituar në telefon

Gjatë monitorimit të këtyre konkurseve, BIRN ka vërejtur një varg parregullsish nga ana e Komisionit Vlerësues.

Në fillim të testimit me shkrim për pozitat Zyrtar për Auditim të Brendshëm, dhe Sekretar i Përgjithshëm i Ndërmarrjes, Komisioni Vlerësues me arsyetimin se në test ka detyra me llogaritje, ka lejuar kandidatët përdorimin e telefonit. Qasja në telefon u është lejuar kandidatëve gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur testi dhe të njëjtit nuk janë vëzhguar e as penguar fare nga anëtarët e komisionit.

Pas përfundimit të testimit me shkrim dhe intervistave, anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hortikultura”, të cilët kanë qenë në Komisionin Vlerësues, nuk e kanë lejuar BIRN-in të jetë pjesë e vlerësimit të kandidatëve, duke mos treguar transparencë të plotë.

Ata janë arsyetuar se vlerësimi i kandidatëve bëhet në mbledhjen e bordit ku BIRN, sipas tyre, nuk mund të marrë pjesë.

Në një përgjigje përmes emailit për përjashtimin e BIRN-it në procesin e vlerësimit të kandidatëve, Bordi i Hortikulturës ka thënë se e ka udhëzuar monitoruesen e BIRN-it se në arkiv të kompanisë të protokolluara i mund t’i gjejë të gjitha testet dhe shënimet nga intervistat.

Një sugjerim i tillë nuk ka ndodhur. Por edhe nëse do të ndodhte, një praktikë e tillë nuk është aplikuar nga institucionet tjera me rastin e rekrutimit e as nga BDO-ja, partneri britanik, që po u ofron asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.

“Tendenca e BIRN në lidhje me refuzimin dhe ndalimin në qasje të këtij procesi nuk qëndron, dhe se procesi i deritanishëm i rekrutimit të pozitave të lartcekura ka qenë korrekt, transparent dhe serioz, nuk është bërë asnjë shkelje ligjore apo etike”, thuhet në përgjigjen e Hortikulturës.

Xhafer Gashi, kryetar i komunës së Obiliqit| Foto: Facebook

BIRN ka dërguar njoftim tek anëtarët e bordit të Hortikulturës dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për kufizim të monitorimit dhe mbyllje të procesit kyc të një konkursi: vlerësimin e testeve dhe vlerësimin e kandidatëve pas intervistimit.

E sa i përket vlerësimit të kandidatëve të intervistuar, në një përgjigje të Bordit të kësaj ndërmarrjeje që është dërguar nga Isak Rakovica thuhet se vlerësimi i kandidatëve ende nuk është bërë. Intervistat janë mbajtur me 14 shkurt, ndërsa përgjigja e Rakovicës ka ardhur më 28 shkurt, apo 14 ditë më vonë.

Vlerësimi sekret

Konkursi për pozitën Sekretar i Ndërmarrjes, dhe Zyrtar i Auditimit, është anuluar dhe është rishpallur për të dytën herë.

Konkursi i vetëm nga këto tri pozita i cili nuk është anuluar është ai për pozitën e Zyrtarit Financiar, në të cilin kandidati më i suksesshëm është përzgjedhur Ardian Gashi, i cili është nip i kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Xhafer Gashi është zgjedhur kryetar i Obiliqit në zgjedhjet për kryetar komune të vitit 2017 si kandidat i AAK-së, partie cila aktualisht është në koalicion qeverisës në komunën e Prishtinës.

Për emërimin e nipit të tij në këtë pozitë, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se është punësuar me konkurs të rregullt

“Me sa e di unë, ai është punësuar me konkurs të rregullt edhe me sa e di ai kur është punësuar gjatë rekrutimit, procesi ka qenë i monitoruar nga BIRN-i”, ka thënë Gashi duke shtuar se duhet të shikohet përgatitja profesionale e kandidatit.

“Po e citoj çfarë më ka thënë Ardiani me rastin e pranimit në punë se falë BIRN-it që ka monitoruar procesin në të gjitha fazat edhe testin me shkrim dhe intervistën, ai është punësuar”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Gjatë procesit të testimit për Zyrtarin Kryesor Financiar, Komisioni  i kishte lejuar të gjithë kandidatët të përdorin telefonin e tyre për llogaritje të nevojshme për zgjidhjen e detyrave.

Kontrolli i testeve nuk ka qenë transparent.

Ndërsa, intervista e Ardian Gashit ka zgjatur vetëm 9 minuta.