Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Ngjyrat që krijojnë ndasi

Në ç’mënyrë i shohin fëmijët tanë identitetet e tyre nacionale dhe etnike në prag të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës?

 

Simbolet dhe imazhet mund të veprojnë si shënjues të fuqishëm të identitetit. Ato janë një element i rëndësishëm i mënyrës se si një grup, në një rrethanë të caktuar, bëhet ‘një’.

Flamujt kombëtarë, shenjat gjuhësore, veshjet tradicionale etnike dhe fetare, statujat apo vendet e rëndësishme janë disa nga mënyrat përmes së cilave fëmijët i njohin grupet shoqërore. Posedimi i kësaj njohurie ka implikime të rëndësishme për zgjidhjen postkonfliktuale.

Në ç’mënyrë dhe kur fëmijët i njohin emrat, simbolet dhe shenjuesit socialë, ndikon në mënyrën se si ata i kuptojnë dhe identifikohen me grupet përkatëse shoqërore. Më e rëndësishmja, mënyra se si identifikohen fëmijët me një grup ndikon po ashtu në qëndrimet dhe sjelljet e tyre ndaj “të tjerëve” që u përkasin grupeve të tjera, veçanërisht pas konfliktit.

Por cili është narracioni mbi simbolet e zakonshme tek fëmijët në Kosovë? Në veçanti, cila është përgjigja ndaj këtyre simboleve për gjeneratën e re, të lindur dhe të rritur pas luftës së Kosovës dhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008? Si i kuptojnë këto gjenerata simbolet dhe shenjat që lidhen me identitetin e ri nacional (shtetëror) kosovar në krahasim me ato të identiteteve etnike shqiptare dhe serbe?

Ç’është më e rëndësishmja, a ofrojnë këto ikona nacionale një identitet të ri të përbashkët në vend që të vazhdojnë të mbajnë gjallë ndasitë ekzistuese etnike?

Zhvillimi i identitetit kosovar

Në përgjithësi, procesi i krijimit të flamurit të Kosovës dhe himnit shtetëror pas pavarësisë së vendit ka treguar se njerëzit kanë një ndjeshmëri të fortë për ikonat që i përfaqësojnë ata në nivel nacional. Krijimi i këtyre kategorive dhe simboleve nacionale në terma gjithëpërfshirës shpesh është projektuar për të ndihmuar në përmirësimin e marrëdhënieve ndërgrupore.

Asnjanësia e tyre mund të ofrojë mënyra të reja për të rishikuar dhe ripërcaktuar kufijtë ndërgrupor duke u larguar nga mendësia që i percepton grupet si “ne” dhe “ata”, dhe duke u përqëndruar tek një definim i ri dhe i përbashkët ku të tjerët bëhen “tanët”.

Gjithëpërfshirja mund të zhvillojë qëndrime më pozitive ndaj grupeve etnike me prirje kundërshtuese. Megjithatë, krijimi i simboleve nacionale gjithëpërfshirëse jo domosdoshmërisht heqë dallimet ndërmjet grupeve, sidomos kur ato janë të rrënjosura në histori konfliktesh ndërgrupore.

Duhet kohë për t’i bërë ato kuptimplote dhe funksionale. Ky është një proces i vështirë, sidomos për njerëzit që identifikohen fuqishëm me kategoritë e tjera të grupeve ose për ata që u përkasin pakicave etnike. Për ta, identifikimi me simbolet e reja nacionale jep ndjesinë e një humbjeje të identitetit.

Simbolet nacionale dhe etnike në sytë e fëmijëve

Një studim i kryer tash së voni nga një ekip psikologësh socialë, kognitivë dhe zhvillimorë, tregon se qysh në moshat e hershme, fëmijët janë të vetëdijshëm për ikonat përreth tyre si dhe për faktin se çfarë përfaqësojnë ato ikona.

Studimi, i quajtur “Ndihma për fëmijët! Promovimi i marrëdhënieve pozitive ndërmjet grupeve dhe krijimi i paqes në shoqëritë e ndara” konstatoi se grupmoshat prej gjashtë deri njëmbëdhjetë vjeçare në Kosovë mund të perceptojnë me gatishmëri dhe me saktësi shënjuesit e përbashkët shoqërorë, të tillë si ikonat ose imazhet, të ndërlidhura me grupet që kanë histori konfliktuale (dmth., cili imazh është shqiptar apo cili është serb)

Në një seri lojërash interaktive, fëmijëve shqiptarë (119) dhe serbë (101), u shfaqën 13 palë imazhe (26 gjithsej) të dizajnuara për të qenë ose shqiptare ose serbe. Qysh në moshën gjashtë vjeçare, fëmijët mund të bënin kategorizimin e një kishe, një shenjë rruge për Graçanicën dhe fanellën e futbollit të kombëtares së Serbisë, si serbe e jo si shqiptare.

Nga mosha shtatëvjeçare, fëmijët ishin në gjendje të identifikonin 20 prej këtyre imazheve dhe simboleve me secilin grup përkatës etnik. Nga mosha 10 vjeçare, fëmijët ishin në gjendje të bënin kategorizimin e të gjitha 26 imazheve sipas grupeve etnike që u përkisnin.

Fëmijët shqiptarë dhe serbë të Kosovës jo vetëm që kategorizonin me lehtësi të gjitha imazhet, por edhe njohja e këtyre imazheve rritej bashkë me moshën. Kjo nënkupton se, teksa fëmijët e këtyre grupeve etnike rriten në moshë, vetëdijesimi i tyre për shënjuesit e grupeve dhe për dallimet ndërmjet grupeve, bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Rritja në moshë nuk është e vetmja arsye që u mundëson fëmijëve të identifikojnë dhe kategorizojnë këto simbole dhe imazhe.

Siç deklaroi një shqiptar i Kosovës, përfaqësues i një OJQ-je lokale arsimore “Nuk ka bashkëpunim midis grupeve të ndryshme kryesisht për shkak të ndarjes së klasave dhe shkollave si dhe mungesës së hapësirave të përbashkëta”.

Marrë parasysh faktin se këta fëmijë rriten në shkolla të ndara, me kontakt minimal apo pa pasur fare kontakt ndëretnik, bënë që sistemi t’i ushqejë këto lloj polarizimesh etnike shumë herët. Kjo situatë i privon fëmijët nga mundësia e bashkëveprimit me fëmijët e grupit tjetër etnik dhe mundësia për të parë nga dora e parë se si është ‘tjetri’ në fakt.

Praktika e ndarjes së klasave dhe shkollave në bazë të përkatësisë etnike është betonuar me dekada të ndarjes dhe ka rrënjët e saj në vitet e 90-ta kur shkolla të ndryshme për fëmijë të etnive të ndryshme u bënë normë funksionimi.

“Më së keqi qëndrojnë gjërat tek fëmijët” tha një mësues serb i Kosovës, pjesë e këtij studimi. “Nëse fëmijët nuk kanë mundësi të komunikojnë me fëmijë të tjerë të cilët kanë përkatësi të ndryshme etnike, ata nuk do të kenë mundësi të zhvillojnë tolerancë”.

Kur u pyetën për të zgjedhur flamurin të cilin preferonin, fëmijët nga të dy grupet treguan preferencë më të lartë për flamurin e tyre etnik, flamurin shqiptar apo atë serb (68 përqind) krahasuar me flamurin e Kosovës (32 përqind) dhe kjo preferencë etnike rritej me rritjen e moshës. Dhe, nëse fëmijët preferonin flamurin shqiptar apo serb më shumë se flamurin e Kosovës, ata gjithashtu dëshironin më shumë distancë sociale ndërmjet grupeve përkatëse etnike.

Kjo preferencë për grupin etnik para atij që parashihet të jetë një flamur gjithëpërfshirës nacional i Kosovës mund të jetë indikator i preferencave të fëmijëve për ndarjen ekzistuese etnike nëpër shkolla, apo lagjet e qytetet ku ata jetojnë. Kjo, sipas të gjitha gjasave, ndikohet nga narracioni që të rriturit – kryesisht prindërit dhe mësimdhënësit – përdorin me fëmijët.

“Qëndrimet paragjykuese të prindërve reflektohen tek fëmijët – dhe, si rrjedhojë, mungesa e kontaktit dhe bashkëveprimit me fëmijë të etnisë tjetër vazhdon edhe më shumë”, tha një zyrtar shqiptar i arsimit në Kosovë.

Një mësues serb i Kosovës i cili mori pjesë në studim gjithashtu reflektoi këtë ndjesi.

“Kur është fjala për konfliktin dhe mënyrën se si fëmijët e perceptojnë atë, fëmijët të cilët unë i mësoj kanë njohuri për konfliktin bazuar në tregimet që ata i kanë dëgjuar nga prindërit apo gjyshërit e tyre. Por, ata dinë vetëm njërën anë të historisë – anën ku serbët janë viktima. Ata nuk i dinë shkaqet e luftës dhe kanë frikë se diçka e ngjashme mund të ndodhë përsëri. ”

Sipas një aktivisteje, pjesëtare të komunitetit serb të Kosovës, që ishte pjesë e studimit, pasojat e së kaluarës reflektojnë në të tashmen dhe në të ardhmen. “Fëmijët tanë më të vegjël … të përkatësisë serbe kanë tendencë ta shohin Kosovën si të marrë prej tyre nga shqiptarët – ose të paktën që kanë tentuar ta marrin.” “Të tjerë nga pala shqiptare e shohin Kosovën si një vend të pavarur, të cilin serbët refuzojnë ta lëshojnë”

Ana e ndritur e tregimit

Është e qartë se përvojat e mëhershme vetanake mund t’i ndihmojnë fëmijët të kundërveprojnë këtë yrnek perceptimesh e qëndrimesh. Së pari, fëmijët me më shumë kontakt me fëmijët e grupit tjetër etnik preferuan flamurin nacional të Kosovës krahas flamurit të tyre shqiptar apo serb, respektivisht.

Kur atyre iu tregua një fotografi e integruar që përfshinte një flamur shqiptar apo serb gjersa valëvitej krahas flamurit të Kosovës, 48 për qind e fëmijëve preferuan fotografinë me flamujt e integruar, pothuajse po aq sa edhe flamujt e tyre etnikë ndaras (52 përqind). Kjo shpërfaq preferenca më të forta për simbolet që përçojnë identitete të dyfishta (etnike dhe nacionale së bashku) në krahasim me rastet kur fëmijët duhet të bëjnë një zgjedhje preferenciale për vetëm njërin nga identitetet – etnik ose nacional (kosovar).

Të kuptuarit se si simbolet si shënjues të identitetit grupor zhvillohen për fëmijët kosovarë ka implikime të rëndësishme për të ardhmen. Këto gjenerata mund të shërbejnë si një katalizator i rëndësishëm për promovimin e paqes në vitet në vijim si dhe për mbrojtjen nga konfliktet e mundshme në të ardhmen.

“Ekspozimi ndaj fëmijëve nga secili grup etnik është i rëndësishëm. Dëshira ime personale do të ishte të shihnim një sistem të integruar dhe dygjuhësor edukativ. Derisa kjo të bëhet e mundur, hartuesit e politikave të arsimit duhet t’i japin përparësi mësimit të gjuhës angleze për të mundësuar dialogun, dhe për të organizuar aktivitete me grupe të përziera etnike të të rinjve”, tha aktivistja serbe në Kosovë.

Gjuha serbe është gjuhë zyrtare krahas gjuhës shqipe.

“Do të ishte mirë të shihnim një program mësimor nëpër shkolla që reflekton historinë në një version të balancuar të konfliktit”, vazhdoi ajo.

Megjithëse konflikti në Kosovë përfundoi njëzet vjet më parë, ai ka pasur efekte afatgjate tek gjeneratat pas konfliktit, sidomos tek të rinjtë të cilët kanë lindur dhe janë  rritur pas pavarësisë së Kosovës.

Ndërtimi i paqes afatgjatë duhet të fillojë herët. Fëmijët duhet të kenë mundësinë të bashkëveprojnë dhe të bëhen miq me ata të grupeve të tjera etnike, si dhe të angazhohen në përvoja kuptimplota me njëri-tjetrin.

Nxitja e qëndrimeve dhe mundësive më pozitive mund të ketë implikime premtuese dhe afatgjate kur formësohen nga marrëdhënie më konstruktive ndërgrupore. Në të njëjtën kohë, përkrahja e krijimit të një identiteti gjithëpërfshirës nacional (shtetëror), duke përdorur simbole dhe ikona të përbashkëta në Kosovë, mund ta mbështesë zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme për gjeneratat e ardhshme.

Të punuarit në këta faktorë pararendës të ndërtimit të paqes me fëmijët e shkollave fillore do të mund të jetë premtues për përvjetorët e ardhshëm të pavarësisë së Kosovës në vitet që do të vijnë.