Nga Skënderbeu te Adem Jashari

Varet se në ç’kohë të ditës dhe nga cila rrugë hyn në qytetin e  Prishtinës. Nëse vjen nga drejtimi i Serbisë, nëse vjen nga drejtimi i Maqedonisë, apo nëse vjen nga drejtimi i Shqipërisë.

Po të hysh nga drejtimi i Shqipërisë dhe po të qëllosh në ditë sevdaje të festës kombëtare do të gjesh një Prishtinë të dalldisur në flamujt kuq e zi. Të blerë si me nguti e si me shumicë, dhe të pahekurosur.

Tregtari i flamujve të Koliqit m’u kujtua dhe njëherë, dhe gjithë tregtarët e 100 viteve më vonë. Për gjithë flamujt kuq e zi që vinë nga Kina e shiten nga 20 cent deri te “origjinalët” prej 10 eurosh.

Prishtina ndoshta asnjëherë nuk ka qenë më e kuqe se javën e shkuar. Po edhe pse dukej e dalldisur e flamujt ishin varur si rrobat dikur në oborr të shtëpisë, i shkonte ngjyra e kuqe, nëse jo për bukuri, i shkonte për madhështinë dhe paradën kombëtare. I shkonte ndoshta edhe vetëm për të na rikujtuar se Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, është një ritual vjetor që rikonfirmon idealet e lirisë mbi të cilat u themelua shteti shqiptar.

Intelektualët atëherë dhe intelektualët sot e thonë papushim se ajo ishte epoka më e rëndësishme në historinë tonë. Por parada dhe madhështia e këtij viti para së gjithash ishte e përshkuar nga parodia e dy politikave shqiptare.

Asaj kosovarçe, që dëshmoi edhe njëherë se të jesh krye-mushkë jo gjithnjë ta qet keq dhe se froni i xhunglës nuk është vetëm për luanin, edhe nëse mbretit të ri asnjë në xhungël më nuk i beson, dhe politika shqiptarqe e mëmëdheut që kërkon me çdo kusht anën e bukur të përallës së diktaturës. Paradë e një rapsodie të dekompozuar shqiptare.

Janë të majtët ata që duan rivlerësimin e përallës. Revitalizimin e diktaturës së Enver Hoxhës, trandjes më të madhe shpirtërore që kanë pasur shqiptarët e Shqipërisë. Janë të djathtët ata që duan rivendosjen e përallës së vetë, në Kosovë e në Shqipëri. Janë të majtët ata që duan me çdo kusht t’ia bëjnë adetin e skuqjes së çarçafit Prishtinës, jo me domatina, jo me bojëra, por me lojëra flamujsh.

Janë të djathtët e të majtët që përsëriten gjithnjë. Dhe është populli të në djathtë e në të majtë që feston përherë me idealizëm e optimizëm një epokë të vlerave të larta atdhetare, të një integriteti të lartë politik, të cilën për veten e vet në kohën e vet s’e pati kurrë.

Mbase të majtët janë cinikë e të djathtët akoma më shumë, dhe festa ngritet mbi mitet kombëtare, e mbi këtë cinizëm dhe të ardhmen e çmitizuar, çonë shqiptarët të rikthejnë kryet te themelimi i shtetit të parë dhe unifikimi i tyre. Te një trashëgimi që vjen e rinovuar nga brezi në brez, dhe te kulturë taze politike që djeg zemrat moderne shqiptare siç nuk i ka djegur ndonjëherë.

Thonë se atëherë kur shoqëria dhe individi pësojnë tronditje e luhatje të mëdha, në luftëra, tragjedi e katastrofa, folklori merr hov. Shqiptarët e trandur shumëfish i përjetojnë shumëfish  edhe ditët që tashmë janë shndërruar në rituale të mirëfillta folklorike.

Nuk e di cila është përqindja e shqiptarëve që i festojnë festat kombëtare në liri, jo fshehtas siç i festonin dikur. Për qindra familje të papunë, pushimi nuk ishte një ditë pushimi, por vetëm një ditë tjetër.
Dikush ndoshta feston me një dushkë patriotik, dikush më një dushkë antipatriotik.

Dikush tjetër thotë se patrotizmi është toksik, të tjerë na thonë se patriotizmi s’është veçse një lodër lufte që përdoret për të arsyetuar konfliktet. Dikush pretendon se flitet vetëm për superioritet të shteteve në fuqi e dikush na thotë se flitet për mbijetesën e shteteve të pafuqishme. Patriotizmi mund të jetë nga një kompleks deri te rruga drejt lirisë dhe thirrja në emër të një Zoti, besimtarët shpesh thonë.

Brenda natyrës hipokrite të politikës, njeriu kthen kryet nga ajo imazhi i së cilës është ideal. Drejt kohës që i përkujton lëvizjen e madhe për pavarësi. Një ditë për të festuar me miq mitin kombëtar karshi zvetnimit të miteve qytetare.

Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu dikur, një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandrit të Madh, për gjithë shqiptarët mund të jetë e shenjtë. Për ata që armët e heroit i kërkojnë në Vjenë, mund të quhet edhe pelegrinazh. “Këtu është”, tregon ciceroni në Muzeun e Historisë në kryeqytetin austriak. Në kryeqytetin kosovar ndërkaq dhe në një ndërtesë austrohungareze është edhe Adem Jashari.

Heroi i një tjetër lufte që pesëmbëdhjetë vite më vonë vendoset me kallashnikovin e tij në kryeqendër. Armët e të dyve rrinë në vitrina. Më shumë se relike ato janë kode të mbijetesës shqiptare, që zbulohen e rizbulohen brenda e jashtë miteve qytetare e kombëtare.

Skepticimi dhe hipokrizia politike vështirë se i thyen kodet e një kombi, edhe atëherë kur luan pafytyrshëm e edhe atëherë kur luan me skuqjen e çarçafit, me agimin e ri majtist e rilindjen tjetër shqiptare. Derisa në Kosovë loja luhet vetëm në diksurs me etiketimet komunist e ish-komunist, paradat e partizanëve të rilindur së shpejti mund të parakalojnë në Shqipëri, e s’është çudi që edhe përmendorja gjigande e Enver Hoxhës të rishfaqet në sheshin e Tiranës. Rrofshin partitë!