Arkiv - Nga zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

Nga Bureku te Mishi i Pulës

Zgjedhjet janë proces ku shpenzohen miliona euro. Zgjedhjet e fundit lokale kanë një kosto rreth 6.1 milionë euro.

Përveç tenderëve të shumtë, mëditjeve për një komisioner dhe vëzhgues, ka edhe shpenzime të tjera që i bëjnë partitë politike.

Këto të fundit marrin buxhet nga KQZ-ja në vartësi të mandateve që kanë siguruar në Kuvendin e Kosovës.

Një prej shpenzimeve që partitë politike kanë bërë në ditën e zgjedhjeve është edhe pagesa e shujtave për përfaqësuesit e tyre nëpër qendra të votimit në ditën e zgjedhjeve.

Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale të 22 tetorit është vërejtur dallim në shujtat e monitoruesve, varësisht cilës parti politike i takojnë krahasuar edhe me shujtat e zyrtarëve policorë në detyrë.

Një analizë e thjeshtë ka nxjerrë në pah monitoruesit e cilës parti kanë pasur një luks më të theksuar në ushqim krahasuar me partitë tjera, në ditën e monitorimit duke filluar nga ora 6.00 e mëngjesit deri në ora 24.00 e mbrëmjes.

Analiza është bërë bazuar në shujtat më të cilat janë furnizuar përfaqësuesit e partive në dy qendra të votimit në Ferizaj, përkatësisht në shkollën “Gjon Serreçi” dhe shkollën “Ahmet Hoxha”.

Vëzhguesit dhe komisionerët e partisë Vetëvendosje gjatë monitorimit në ditën e zgjedhjeve kanë pasur në dispozicion dy shujta.

Mëngjesi i tyre ka pasur në menu një burek me jogurt. Sipas çmimit të tregut në Ferizaj ka kushtuar 1 euro. Përderisa 1.25 euro ka kushtuar dreka e paguar për një hamburger dhe një shishe ujë. Çmimi mund të shkojë deri në 1,5 euro, në vartësi të vendit prej nga furnizohesh.

Vëzhguesit e VV-së janë furnizuar edhe me nga një banane në vlerë prej 0.25 eurove. Në total VV-ja për një monitorues ka shpenzuar me së paku 2.50 euro.

Partia “Nisma për Kosovën” ka qenë pak më e varfër në menunë e ofruar për monitoruesit e saj. Vlera totale e shpenzuar për një monitorues ka qenë 2 euro. Pesë qebapë në mëngjes që sipas çmimit të tregut kanë kushtuar 1 euro, si dhe hamburgeri i drekës po ashtu ka kushtuar 1 euro. Çmimi i këtyre dy shujtave mund të jetë edhe më i lartë, në vartësi të vendit ku blihen.

Të njëjtin shpenzim për ushqim e ka pasur edhe Aleanca Kosova e Re, së cilës i ka kushtuar 2 euro menuja ditore e monitoruesve për dy shujta. Mëngjesi me pesë qebapë i ka kushtuar 1 euro, po ashtu edhe një sendviç i drekës me çmimin e tregut ka kushtuar 1 euro.

Pak më e pasur në menu ka qenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës- AAK. Ajo i ka shërbyer monitoruesit e saj me tri shujta- mëngjesi prej një kifle dhe një jogurti sipas çmimit të tregut ka kushtuar 0.50 centë. Dreka prej një hamburgeri dhe një lëngu ka kushtuar 1.50 euro, si dhe darka prapë hamburger dhe një ujë prej 250 ml, ka kushtuar 1.25 euro. Në total kjo parti për një monitorues ka shpenzuar 3.25 euro.

Menu më të pasur për monitoruesit e saj sesa partitë tjera ka pasur Partia Demokratike e Kosovës- PDK. Ajo për tri shujta ka shpenzuar 5.50 euro. Mëngjesi ka pasur një kifle dhe një jogurt që me çmimin e tregut kushtojnë 0.50 euro. Dreka ka pasur në menu ushqim skare me sos dhe një lëng që me çmimin e tregut kushtojnë 2.50 euro, si dhe darka po ashtu ka qenë e pasur me mish të bardhë pule dhe një lëng që së bashku në treg kushtojnë 2.50 euro.

Lidhja Demokratike e Kosovës LDK po ashtu i ka shërbyer me tri shujta monitoruesit e saj. Vlera totale e shujtave sipas çmimeve në treg kap një kosto prej 5.50 eurove. Mëngjesi prej dy kifleve dhe një jogurt me çmimin e tregut kanë kushtuar 0.70 euro. Dreka me mish të bardhë pule prej 2 eurosh, një lëng frutash 250 ml, një ujë 250 ml, dhe një banane kanë kushtuar 2.70 euro. Kurse darka ka pasur në menu një sendviç prej 1 eurosh, një lëng frutash 250 ml prej 0.25 euro, një shishe ujë 250 ml prej 0.25 euro dhe një banane  prej 0.20 euro. Si dhe një çokollatë prej 0.40 euro që së bashku në treg kushtojnë 2.10 euro.

Përveç monitoruesve të partive politike, në ditën e zgjedhjeve punojnë edhe zyrtarët policorë. Menuja e tyre për një shujtë të ftoftë ka qenë më e varfra. Sipas çmimit të tregut në total ajo ka kushtuar 1.38 euro. Një mish gjedhi i konservuar prej 200 gr në treg kushton 0.75 euro, një lëng frutash 250 ml kushton 0.20 euro, një shishe ujë 250 ml kushton 0.25 euro, si dhe ¼ e bukës kushton 0.08 euro dhe një ëmbëlsirë e vogël kushton 0.10 euro.