Nga 2 mijë e 535 prona, Lipjani ka verifikuar vetëm 194 objekte

Komuna e Lipjanit edhe pse kishte arritur të realizoj buxhetin në shkallën prej 90 për qind, sfidë mbetet realizimi jo i kënaqshëm i buxhetit për subvencione në vetëm 77 për qind dhe investime kapitale në 83 për qind, duke bërë që disa nga objektivat e përcaktuara të mos arrihen dhe të ngarkojnë fondet buxhetore të vitit vijues.

Kështu thuhet në Raportin e Auditorit për vitin 2017.

“Kjo ka ndodhur sepse menaxhmenti nuk ka bërë analiza në baza të rregullta mujore mbi ecuritë buxhetore kundrejt projekteve të synuara. Më tutje, projektet janë anuluar si pasojë e vendimeve gjyqësore kryesisht për obligimet e pagave ndaj arsimtarëve të angazhuar në vitin 2013”, thuhet në raport.

Si e gjetur e auditorit, janë pagesat me vendime gjyqësore kryesisht për obligimet e pagave ndaj arsimtarëve të angazhuar në vitin 2013, botimet e publikimeve dhe projekti në zonat ekonomike në Kërçovë, janë ekzekutuar nga thesari në vlerë prej 101,065 euro të cilat kanë ndikuar negativisht në realizimin e projekteve dhe kanë mbivlerësuar kategorinë e investimeve kapitale.

“Një përqindje e vogël e mjeteve janë ekzekutuar edhe nga mallrat, shërbimet dhe shpenzimet komunale. Për më tepër, komuna nga 27 pagesa me vendime gjyqësore, ka paguar shpenzime shtesë në vlera prej 23,012 euro për interesin, shpenzimet kontestimore, përmbarimit etj.”, thuhet në raport.

Sipas auditorit, pagesat e tilla rezultojnë me shpenzime shtesë dhe rrisin rrezikun e arritjes së objektivave të përcaktuara.

Ndërkaq, Komuna e Lipjanit ballafaqohet edhe me nivelin e ulët të verifikimit të pronave të regjistruara.

“Nga 2 mijë e 535 prona, komuna kishte verifikuar vetëm 194 objekte, ose afro 8%. Lidhur me ketë ne kemi dhënë rekomandim edhe në vitin e kaluar, mirëpo edhe përpos zotimit nga ana e komunës ky rekomandim ka mbetur i pa zbatuar”, thuhet në raport.

Rritja e regjistrimit të pronave sipas raportit do të rezultojë me më shumë të hyra komunale si dhe performancë më të mirë buxhetore.

Edhe në kalkulimin e të hyrave janë evidentuar parregullsi.

Në tri raste komuna nuk e kishte bërë vlerësimin tatimor të pronës sipas zonave tatimore të përcaktuara në rregullore.

“Rruga ‘Haradin Bajrami’ sipas rregullores është e përcaktuar si zonë e parë, ku baza e vlerësimit të pronës për m2 është 400€ për banim dhe 600€ për komerciale-dyqan. Komuna i ka vlerësuar 300 euro për banim dhe 400 euro për komerciale-dyqan, duke nënvlerësuar të hyrat mbi 40% në raport me tarifat e përcaktuara më rregullore”, thotë raporti.

Këto mangësi sipas Auditorit ndikojnë në nënvlerësimin e të hyrave të komunës dhe realizim të dobët të projekteve që financohen nga të hyrat vetanake për qytetarët.