Nëna e dy vjeçares pretendon se doktori ia goditi vajzën me shuplakë, pediatri mohon akuzat

Policia e Mitrovicës është duke hetuar pretendimet e një nëne e cila ka raportuar në polici se fëmija i saj dy vjeqar ishte goditur gjatë kontrolle tek pediatri Rrahim Merovci. Ky i fundit në një prononcim për Gazeta Jeta në Kosovë ka mohuar pretendimet.

Flutura Rexhepi, pretendon se pediatri Rrahim Merovci e ka goditur me shuplakë vajzën e saj 2 vjeçare. Ajo e kishte dërguar vajzën për kontroll për shkak të temperaturës së lartë të vajzës, por e kishte lëshuar ordinancën private të Merovcit para kohe për shkak të zënkës.

Ajo e kishte raportuar rastin në Policinë e Mitrovicës, e cila është duke e hetuar atë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka arritur të kontaktojë me pediatrin Merovci, i cili e pranon që kishte mosmarrëveshjen, ndërsa nuk është në gjendje të dijë nëse e ka goditur apo jo vajzën dy vjeçare.

Flutura Rexhepi që jeton në Norvegji e ka rrëfyer në Gazeta Jeta në Kosovë ngjarjen.

“Vajza ka pasur temperaturë të lartë, dhe familjarët ma rekomanduar këtë pediatër për të kontrolluar vajzën pasi kishte shumë temperaturë të lartë. Kemi shku në ordinancën e tij private në Vushtrri. Kur kemi shku, mjeku ka pranuar një telefonatë. Pasi e ka përfunduar telefonatën ka filluar të kontrolloj vajzën dhe vajza duke u frikësuar ka filluar të qaj dhe e ka goditur me këmbë mjekun”, tha Rexhepi për gazeta Jeta në Kosovë.

“Pasi vajza e ka goditë mjekun, ai është ngritë në këmbë edhe e ka goditë me shuplakë vajzën dy vjeçare dhe i është drejtuar duke i bërtitur”, ka treguar Rexhepi.

Ajo shtoi se pas veprimit të Merovcit, e tronditur ka marrë vajzën e saj dhe ka dal nga ordinanca.

“Duke dalë prej ordinancës, mjeku ka arsyetuar veprimin e tij dukë na thënë “çfarë edukate është kjo”, tha Rexhepi.

Ajo shtoi se pasi kanë dalë nga ordinanca, janë drejtuar në Stacionin e Policisë në Vushtrri.

“Kemi shku në polici, e kam dhënë deklaratën. Policia e ka fotografuar vajzën e cila e ka pasur veshin e skuqur. Nuk kam informata se çfarë ka ndodhur me rastin”, tha Rexhepi.

I kontaktuar nga gJNK  pediatri nga Vushtrria, Rrahim Merovci thotë se atë veprim e ka bërë nën afekt. Ai e ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.

“Unë kam filluar me kontrollu vajzën, dhe fëmija si çdo fëmijë që frikësohet që godasin me këmbë, ja kam tërhequr vërejtjen spontanisht duke e kontrolluar fëmijën nënës edhe përcjellëses, mbajeni fëmijën se po rrëzohet dhe lëndohet. Fëmija më ka goditur disa herë me këmbë, por nuk ka problem. Duke e kontrolluar fëmija më ka goditur me shkelm në buzë dhe më ka shqyer buzën, dhe unë instinktivisht kur më ka goditë kam reaguar, po mendoj ja kam larguar këmbën,  tash ajo gjendja nën afekt nuk po them se nuk e kam goditë, po as që e kam goditë” tha Merovci për gazeta Jeta në Kosovë

Ai shtoi se pas këtij veprimi është ngritur në këmbë për të pastruar buzën dhe  nëna menjëherë ka dal jashtë dhe  e ka ofenduar atë.

“Më ka ofenduar me fjalët më të rëndë. Ne nuk jemi kasap por jemi njerëz humanitarë”, tha Merovci.

Pediatri thotë se goditja e tij nuk ka qenë direket, por reagim instiktiv i tij duke ja larguar këmbën vajzës.

Rasti tashmë është duke u hetuar nga policia zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti, tha se policia është e informuar për rastin dhe po punon me prokurorinë në këtë drejtim.