Në një klub basketbolli në Bujanoc, ‘të gjithë janë njësoj’

Nëse Nenad Stajiq do të kishte një moto jozyrtare, ajo mund të ishte: “Të gjithë fëmijët qajnë në të njëjtën gjuhë.”

Kjo është ajo që mbështet akademinë e basketbollit që Stajiq drejton në një skaj të varfër jugor të Serbisë, ku serbët, shqiptarët dhe romët jetojnë të ndarë.

“Nuk ka asnjë ndryshim midis tyre,” thotë Stajiq për 150 fëmijët serbë, shqiptarë dhe romë që stërviten një ditë po, një ditë jo në Play 017 në qytetin e Bujanocit pranë kufirit midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj në Kosovë.

Bujanoci dhe Lugina e gjerë e Preshevës janë kryesisht shqiptare etnike dhe në javët e fundit janë shndërruar në fokusin e spekulimeve të reja për mundësinë e ndryshimeve të kufijve në Ballkan.

E neglizhuar nga Serbia dhe e lakmuar nga shqiptarët e Kosovës, Lugina e Preshevës duket se po diskutohet në Beograd, Prishtinë dhe Bruksel për një shkëmbim të mundshëm territori që do të shihte një pjesë të Kosovës veriore me shumicë serbe të kalonte në anën tjetër – diçka që propozuesit e ndarjes etnike thonë do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë statusin e ish-krahinës jugore të Serbisë, e cila gëzon njohjen e më shumë se 100 shteteve anembanë botës, por nuk ka ende një vend në Kombet e Bashkuara.

Kritikët shprehen se kjo do të niste një reagim zinxhir në Bosnje dhe Maqedoni dhe do të dërgonte një mesazh shkatërrues në Ballkan se dallimet e përkatësisë etnike, të gjuhës ose të fesë nuk mund të kapërcehen.

Play 017, në fakt, tregon shumë mirë se ato mund të kapërcehen, thotë Stajiq.

“Ne jemi një klub që mbledh fëmijë të të gjitha kombeve nga i gjithë jugu i Serbisë, me idenë për t’u bërë një akademi rajonale basketbolli që do të krijojë lojtarë të ardhshëm kombëtar,” tha ai për BIRN.

“Vlerat themelore të jetës”

Basketbolli është i madh në Serbi. Vendi doli i dyti pas Shteteve të Bashkuara në Olimpiadën e Rios 2016. Por shqiptarët etnikë apo romët rrallë marrin pjesë në sportin elitë në Serbi.

Në Bujanoc, vendi i një kryengritjeje në vitin 2001 nga guerilasit shqiptarë që përfundoi me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga NATO-ja për të drejta dhe përfaqësim më të madh, Stajiq thotë se nuk ka vend për politikë në klubin e tij të basketbollit.

Në vend të kësaj, ai thotë se është i përkushtuar të zhvillojë brezin e ardhshëm të lojtarëve olimpikë, pavarësisht nga gjuha që ata flasin.

Almir Asani është një rast i tillë. I lindur në vitin 2006 në komunitetin rom të rajonit – një pakicë e varfër që shpesh diskriminohet në punësim dhe arsim – Asani u diplomua nga Play 017 në fillim të shtatorit për t’u bashkuar me Oxygen Orange 1 Basket në qytetin verior të Italisë Bassano del Grappa.

Prindërit e tij, tregtarë tregu në Bujanoc, nënshkruan një kontratë shumëvjeçare në emër të Asanit dhe klubi i dha atij një bursë. “Të gjithë më pranuan plotësisht në klubin e ri,” tha Asani. “Jam thjesht pak nostalgjik.”

Stajiq e përshkruan Asanin si një nga talentet më të mëdha të basketbollit në Serbi. Shoku i tij rom Bernard Murin vazhdon të stërvitet me Play 017 ndërsa pret letrat për të kaluar në një klub tjetër në Gjermani.

Gazetari shqiptar Amir Selimi është trajnuar me Stajiqin dhe kujton me dashuri ndikimin që pati tek ai klubi i basketbollit.

“Unë e mbylla karrierën time dhe luaj vetëm basketbollin amator, por në Play 017 me Stajiqin kam mësuar disa vlera themelore në jetë, se të gjithë janë njësoj,” tha ai për BIRN.

Gjuha e basketbollit

Stajiq tha se klubi i detyrohej shumë lojtarit serb të dalë në pension dhe pjesëmarrës në NBA Igor Rakoçeviq, nënkryetar i Federatës së Basketbollit.

“Rakoçeviq është një mik i madh i klubit tonë, sepse atij i pëlqen mënyra sesi po punojmë në kushte të vështira ekonomike,” tha Stajiq.

“Ne marrim vetëm 400,000 dinarë në vit nga vetëqeverisja lokale (rreth 3,500 euro) dhe kjo mbulon vetëm udhëtimet nëpër ndeshje.”

Klubi ndryshe mbijeton me pagesat mujore të anëtarësimit prej tetë eurosh për fëmijë.

I pyetur se çfarë gjuhe përdor ai gjatë stërvitjes, Stajiq tha se ishte e parëndësishme.

“Ne komunikojmë në serbisht,” tha ai, “por kjo është gjëja më pak e rëndësishme sepse ne të gjithë flasim gjuhën e basketbollit, i cili nuk njeh paragjykime, pengesa gjuhësore apo kombëtare.”