Jusuf Hasani duke ecur nëpër rrugët e Ferizajit. FOTO: Donika Gashi

Në mes të rrugës dhe pa përkrahje shtetërore

Familjarët e personave me probleme të shëndetit mendor në Kosovë në mes të mungesës së përkrahjes institucionale dhe rreziqeve të rrugës për më të afërmit e tyre.

E shohin përherë, ditën dhe natën, në diell e në shi, verë e dimër. Të gjithë e njohin. Jusuf Hasani, i njohur në qytet si Cufa, ka probleme me shëndetin mendor.

Banon në fshatin Talinoc i Jerlive, një fshat pak kilometra larg qendrës së Ferizajt. Rrugën për në qytet gjithmonë e bën në këmbë, çdo ditë të vitit. Në mëngjes del nga shtëpia, në mbrëmje kthehet.

Prania e tij nëpër Ferizaj është e nënkuptueshme, pasi vazhdimisht shëtitet rrugëve dhe rrugicave të tij.

Jusufi jeton vetëm me nënën e tij.

61 vjeçares Mevlide Hasani nuk i largohet brenga derisa djali të mos i kthehet në shtëpi.

“Valla tutna shumë, se unë veç qet evlad e kam. Nuk muj me i zanë besë kërkujt. Ky nervozohet shumë kur ta nguc dikush. Se Cufën pa e nguc nuk e nguc kërkan, po hiç s’ka qejf me ia tepru, thotë ajo. “Niherë ka ndodh nuk u kthy në shpi, e nuk e disha hiç ku është. Kur kaloi ora 01:00 kam shku në polici. Masnej ka dal një djalë i kojshisë, e ka gjetë dhe e ka pru në shpi”, thotë ajo.

Nëna Mevlide e ka derën e hapur për çdokënd që ka vullnet të bisedojë për historinë e birit.

Jusufi është fëmija i vetëm që mbijetoi në familjen Hasani, pasi fëmijët e tjerë para Jusufit nuk jetuan gjatë.. Nëna e tij tregon gëzimin e madh kur u kishte lindur djali, por bota iu ishte përmbysur pasi kuptuan se ai kishte ngecje në zhvillimin mendor dhe kognitiv.  

Thekson se Jusufit i pëlqen të rrijë në qytet, sepse në shtëpi nuk ka njeri tjetër përpos saj. Mirëpo, për Jusufin rrugët e qytetit nuk kanë qenë aq të dashura sa është ai për to, sepse ka pasur raste kur njerëzit e kanë ngacmuar, e madje edhe rrahur.

“Niherë i ka çu do hekra me i shitë edhe i ka pas fitu do pare, e më tha nanë po shkoj me i ble do patika. E tu shku dy djem e kanë lidh edhe ia kanë vjedh paret, e ky prej nervoze e ka thy ni xham të autobusit. Dy herë ia kanë vjedhë paret. Niherë do djemë i kanë mshu në fytyrë, e bile hundën e ka pas të ajët ni kohë”, tha ajo.

Problem nacional

Njerëz si Jusufi ka edhe në qytetet tjera. Persona me probleme të shëndet mendor, që enden rrugëve herë duke hasur në botëkuptime miqësore, e herë jo.

Sipas neuropsikiatrit Fahri Drevinja, shumica e personave të kësaj kategorie që shëtitën rrugëve nuk i përfillin këshillat e mjekut, nuk përdorin terapi dhe rrjedhimisht te ta manifestohen sjellje antisociale.

“Shumica prej tyre janë me çrregullime të llojllojshme mendore dhe përveç të tjerëve rrezikojnë edhe veten. Ata nuk dinë ta ruajnë vetën në komunikacion dhe para rreziqeve të tjera që paraqiten në rrugë”.

Institucionet shtetërore të Kosovës nuk kanë shifër të saktë të personave që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, por të dhënat në nivel botëror tregojnë se dukuria është në ngritje.

“Jo vetëm tek ne, por në të gjitha vendet ka rritje të numrit të personave me probleme të shëndetit mendor. Në rritje është depresioni, shterja, ose ‘burnout’, qysh e quajnë në Perëndim, si dhe sëmundjet tjera mendore sekondare si pasojë e sëmundjeve somatike, streseve, traumave,” shpjegon Drevinja.

Personat e kësaj shtrese shoqërore marrin 75 euro në muaj ndihmë nga shteti, që sipas neuropsikiatrit nuk mund t’i mbulojë as shpenzimet për medikamentet bazë.

Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për ata që janë të shtrirë në institucione publike shëndetësore, por ndryshe është për të tjerët që qëndrojnë nëpër rrugë.

Kur një person me probleme mendore paraqet rrezik për qytetarët, atëherë Policia e Kosovës e trajton sipas Kodit Penal, por në bashkëpunim me institucionet shëndetësore dhe sociale.

Për t’i larguar dhe sistemuar në institucionet përkatëse duhet të ketë një vendim gjykate, në të kundërtën sërish kthehen në rrugë .

Institucionet i kanë të ndara përgjegjësitë sa i përket personave me probleme mendore.

Për ata që kanë çrregullime psikike përgjegjëse janë institucionet e shëndetit mendor të menaxhuara nga Ministria e Shëndetësisë, kurse personat që kanë aftësi të kufizuara mendore janë nën përgjegjësinë e institucioneve të menaxhuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Mirëpo, për një nivel më specifik – ata që kanë probleme mendore dhe enden rrugëve – asnjë institucion nuk ka përgjegjësi drejtpërdrejt, prandaj e gjithë barra u mbetet familjarëve apo kujdestarëve ligjorë.

Sipas Albatrit Matoshit, këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, ky dikaster qeveritar merr përgjegjësi vetëm kur këta persona largohen nga rruga dhe vendosen në institucione.

“Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë të drejtë ligjore që të dalë dhe t’i mbledhë rrugëve qytetarët të cilët vuajnë nga sëmundjet mendore. Vetëm policia dhe gjykata mund të ndërmarrin një aksion të tillë për t’i dërguar në institucionet shëndetësore. Po ashtu, janë prindërit apo të afërmit të cilët mund ta bëjnë një gjë të tillë”, tha Matoshi.

Sipas tij, në nëntë muajt e parë të vitit 2018 Shërbimet e Shëndetit Mendor kanë realizuar 22 mijë vizita dhe kanë kryer 5 mijë e 308 vizita shtëpiake.

Neuropsikiatri Drevinja thotë se jo të gjithë që kanë probleme mendore dhe qëndrojnë në rrugë duhet të sistemohen nëpër spitale, apo shtëpi integruese. Ai konsideron se kjo duhet të bëhet vetëm kur paraqesin rrezik të vazhdueshëm për veten dhe të tjerët, ose kur nuk kanë përkujdesje nga familjet.

“Kur këta persona nuk kanë kujdestar ligjor, as familje, e kanë gjendjen mendore dhe fizike të rëndë dhe nuk i kontrollojnë sjelljet, natyrisht që paraqesin rrezik. Për këta persona zgjidhje është vetëm kontrolli i shtetit,” thotë Drevinja.

Institucionet e shtetit të Kosovës nuk kanë qenë gjithmonë në nivelin e duhur sa i përket trajtimit të këtyre personave. Avokati i Popullit ka pranuar ankesa individuale, të cilat i ka hetuar dhe pastaj ka dalë me raporte dhe rekomandime. Deri më tash, ky institucion i ka publikuar katër raporte lidhur me trajtimin e personave me çrregullime mendore.

Më 26 shtator të vitit 2016, pas ankesës së Isnie Dulës, Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar që institucionet shëndetësore nuk kishin vepruat drejt në rastin e djalit të saj, B.Dula, që vuante prej problemeve mendore.

U rekomandua që personat të cilët paraqesin rrezik për të tjerët të largoheshin nga vendet publike.

“Institucionet e Shëndetit Mendor, në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse, të ndërmarrin veprimet e nevojshme në terren që personat me çrregullime mendore të cilët kanë predispozita të shkaktojnë dhunë fizike dhe dëmtim prone, të largohen nga publiku, si dhe të trajtohen në Institucionet e Shëndetit Mendor me shtretër derisa të bëhen të parrezikshëm për rrethin dhe shoqërinë,” thuhet në rokamadimin e Avokatit të Popullit.

Përtej kompleksiteteve institucionale, nënës së Jusufit i duhet të bëjë zgjidhje me 75 eurot e pamjaftueshme që shteti ia dedikon djalit të saj.

Por, diçka tjetër ia trazon shpirtin.  

Me lot në sy rrëfen se ankthi i saj më i madh paraqet të menduarit e asaj çfarë do të ndodhë me të birin kur ajo të mos jetë më gjallë. “Tutna kur vdes ku e la, se ky tjetërkan s’e ka, veç të lumin Zot, edhe mu”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Donika Gashi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së