"Vrragët e fushatës së bombardimeve të NATO-s", FOTO: Valerie Plesch

Në foto: Vrragët e fushatës së bombardimeve të NATO-s

Më 24 mars 1999, qielli i Kosovës u ndryshua kur bomba e parë kishte rënë nga avionët sipër kokave, dhe raketat u nisën nga luftëanijet në Detin Adriatik. Dyzet objektiva ushtarake serbe në Republikën Federale të Jugosllavisë, RFJ, u goditën në 24 orët e para, kryesisht në Serbi dhe Kosovë.

Ishte fillimi i fushatës ajrore të NATO-s, e njohur si ” Operacioni i Forcave Aleate”, e cila do të zgjaste 78 ditë. Qëllimi i kësaj fushate ishte t’i jepte fund konfliktit që po eskalonte si dhe krizës humanitare që po zhvillohej në këtë pjesë të Ballkanit, duke e hequr qafe regjimin e Millosheviqit dhe pozicionet serbe të artilerisë dhe mortajave, kolonave, fabrikave të armëve, aeroporteve, depove të municionit, urat, kullat e radiove, objektet e naftës, dhe instalime të tjera të çmuara ushtarake.

“Në mënyrë sistematike do të sulmojmë, prishim, degradojmë, shkatërrojmë dhe përfundimisht – nëse Presidenti Millosheviq nuk pajtohet me kërkesat e (paqes) të vëna nga Bashkësia Ndërkombëtare – do të shkatërrojmë këto forca si dhe objektet e tyre mbështetëse,” Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Gjenerali Wesley Clark, u tha gazetarëve në selinë e NATO-s pas ditës së parë të sulmeve ajrore.

Megjithatë, instalimet ushtarake dhe autokolonat nuk ishin objektivat e vetme të shkatërruara nga sulmet ajrore. Qindra civilë u vranë gjithashtu kur kolonat e refugjatëve u identifikuan gabimisht si shënjestra ushtarake serbe. Sipas Human Rights Watch, rreth 500 civilë u vranë gjatë sulmeve ajrore të NATO-s, ndërsa numri i masakrave dhe deportimeve me forcë ndaj shqiptarëve nga forcat serbe u rritën menjëherë pas nisjes së fushatës ajrore.

Ajo që ka mbetë sot janë rrënojat, skeletet e ndërtesave dhe disa përmendore të shpërndara në të gjitha fshatrat, kryesisht të fshehura në vende të thjeshta, që tani shërbejnë si vrragë të operacionit ushtarak që ndodhi në këtë vend 20 vjet më parë.

Periferi e Ferizajt

Foto: Valerie Plesch

Rrënojat e një kazerme të ushtrisë serbe ku ushtarët mund të kenë fjetur përpara fushatës së bombardimeve të NATO-s në fillim të muajit prill. E vendosur në një lartësi malore me pamje nga Ferizaji, ajo shërbeu si bazë ushtarake për ushtrinë jugosllave dhe ishte shkatërruar qysh në fillim të fushatës së bombardimeve.

Aktualisht, rrënojat përdoren për ushtrime ushtarake të kryera nga ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të vendosur këtu në Komandën e Trajnimit dhe Doktrinës (TRADOC).

Prelez i Muhaxherve, Ferizaj

Sipas një banori të këtij fshati, fshat ky disa kilometra në veri të Ferizajt, ushtria serbe e pushtoi Prelezin e Muhaxherve me tanke përpara se zona të bombardohej nga NATO në fillim të majit të vitit 1999.

Shtëpitë në fshat ishin përdorur si mburoja nga ushtria jugosllave, të cilët i fshehnin automjetet e tyre nga bombat e NATO-s. Fillimisht tanku u la në një gropë afër një prone aty para se misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, e zhvendosi atë në vendin aktual. E gjithë zona u rrafshua me tokë, me shtëpi të reja që po ndërtoheshin pas luftës.

FOTO: Valerie Plesch

Dhjetra tanke ushtarake serbe dhe mjete të tjera të blinduara e kamionë u vunë në shënjestër dhe u shkatërruan nga NATO gjatë fushatës ajrore.

Lagja Hajvalia, Prishtinë 

Foto: Valerie Plesch

Mbetjet e një prej bazave ushtarake më të mëdha jugosllave në Kosovë, të cilat u sulmuan nga raketat më 28 mars 1999. NATO i referohej kësaj baze si “Shtabi kryesor i Prishtinës” dhe e deklaroi atë si “të shkatërruar plotësisht” pas sulmeve.

Foto: Valerie Plesch
Foto: Valerie Plesch

Gjashtë vjet më parë, familja Miftari u zhvendos në një nga strukturat e braktisura, duke e transformuar ish bazën e shkatërruar ushtarake në një shtëpi dhe fermë të tyre të re. Një rezidencë që i takon Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, qëndron disa qindra metra larg nga baza dhe nga shtëpia e Miftarit.

Foto: Valerie Plesch

Komoran, Drenas 

Skeleti i antenës së Radio Prishtinës në fshatin Komoran në rajonin e Drenicës në Kosovën qendrore. Objektet e tjera të NATO-s u gjetën në afërsi të ndërtesës, duke përfshirë depot e karburanteve dhe objektet e tjera ushtarake.

Foto: Valerie Plesch

Kjo ndërtesë, e cila kishte një nga antenat më të larta në Kosovë, u bombardua në mesin e muajit majit. Ushtria serbe nisi gjithashtu sulme me raketa drejt aeroplanëve të NATO-s nga kjo ndërtesë dhe u përdor si një pikë kontrolli ushtarake nga forcat serbe.

Foto: Valerie Plesch

Skenderaj 

Foto: Valerie Plesch

Një ish uzinë municionesh serbe dhe një deponi në afërsi të Skenderajt, në Kosovën qendrore, vetëm disa qindra metra larg nga fshati Prekaz ku familja Jashari u masakrua në marsin e vitit 1998.

Foto: Valerie Plesch

Atëbotë, uzina funksiononte si pjesë e kompleksit industrial të Trepçës dhe gjatë luftës shërbeu si bazë për forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Sot kjo uzinë është një kompleks I shkapërderdhur dhe i braktisur.

Korisha, Prizren 

Vendndodhja e një sulmi ajror të NATO-s në natën e vonshme të 13 majit 1999, që vrau më shumë se 100 refugjatë shqiptarë etnikë, ndërsa ata po flinin në një uzinë në Korishë, një fshat afër Prizrenit, pasi që kishin zbrisur nga malet e afërta më parë gjatë ditës. Kolona e refugjatëve po planifikonte të vazhdonte rrugën në Shqipëri ditën e nesërme.

Rreth 500 refugjatë po flinin këtu dhe në rimorkiot e traktorëve në natën kur ndodhi sulmi. Para bombardimeve, NATO kishte sulmuar tashmë një komandë ushtarake serbe pranë Korishës dhe kishte identifikuar gabimisht kolonën e refugjatëve që ishte mbledhur në këtë vend, si një shënjestër tjetër ushtarak i NATO-s.

Sulmi në Korishë ishte një nga gabimet më të rënda të bombardimeve të kryera nga NATO gjatë fushatës 78-ditëshe ajrore.

Foto:Valerie Plesch

Sot, pjesa mbetet e paprekur dhe e zbrazët që nga koha kur kishte ndodhë sulmi. Një banor i cili punon aty pranë thotë se askush nuk dëshiron ta blejë ose të marrë me qira këtë tokë, sepse kjo “është toka e gjakut”.

Foto: Valerie Plesch

Një varrezë ku janë varrosur viktimat e bombardimeve dhe një përkujtim i dedikuar për ” të rënëve të datës 13.05.1999″ qëndron pak metra larg nga vendi.