Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi

Ndryshimi i Qëndrimit Ndaj Gjykatës Speciale Është Vetëshkatërrim

Përpjekjet fëmijërore të ish-guerilasve të kthyer në politikanë për të tërhequr angazhimet e Kosovës për gjykim të paanshëm të krimeve të luftës në Gjykatën Speciale tregojnë se mbështetja e Perëndimit për elitën sunduese duhet të marrë fund.

Në vend të një dimri të ftohtë ballkanik, ky sezon i festave që shkuan, në Kosovë solli nxehtësi politike. Nga hiçi, politikanët më të lartë të vendit vendosën t’i kthejnë shpinën perëndimit dhe të përpiqen të tërheqin mbrapsht angazhimin e vendit për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar në mënyrë të paanshme krimet e luftës.

Nuk ka një logjikë pune që mund të shpjegojë një lëvizje të tillë, përveç frikës së tyre personale nga ndjekjet penale, por kjo sjellje naive s’ka gjasa të kalojë pa pasoja, pavarësisht sa të kota duket përpjekje të tilla.

Problemi nuk gjendet më te krimet e luftës, gjykimi i paanshëm apo te etika, por te marrëdhëniet ndërkombëtare, themel për shtetin.

Si filloi e gjitha kjo?

Në vitin 2014, kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian patën idenë e krijimit të një gjykate ndërkombëtare për krimet e luftës të kryera në luftën e Kosovës, unë shkrova një argument të gjatë kundër.

Sipas meje, një organ ndërkombëtar nuk mund të ketë më shumë pushtet dhe kompetenca seç kishte tashmë misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX. Ideja për një gjykatë ndërkombëtare, sipas meje, ishte më tepër një përpjekje për të ulur përgjegjësinë për rezultatet mediokër të EULEX-it në procedimin penal të krimeve të luftës.

Pavarësisht kundërshtimeve elita politike e Kosovës e promovoi gjykatën e krimeve të luftës si një domosdoshmëri për vendin. Një raport i Këshillit të Europës nga Dik Marti kishte hedhur tashmë një hije mbi shtetësinë e re të Kosovës dhe diskutimet e promovuara nga elita politike ishin të bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Ndryshimet ligjore dhe kushtetuese u miratuan dhe të ashtuquajturat Dhoma Specialiste janë tashmë zyrtarisht pjesë e gjyqësorit të Kosovës, edhe pse do të veprojnë të pavarur nga sistemi, të financuara dhe të mbikëqyrura nga BE-ka dhe do të veprojnë në Hagë.

Ndërsa pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare vazhduan ta shihnin gjykatën si një institucion anti-UÇK, mendime të tilla i kishin kryesisht ish-luftëtarët dhe qarqet nacionaliste. Pavarësisht rezervave, shumica e shoqërisë në tërësi e pranoi realitetin e ri, sipas sugjerimit të atyre që e çuan përpara se gjykata do të hiqte një barrë të madhe nga supet e Kosovës dhe vendi i ri mund të kërkonte legjitimitet të mëtejshëm për shtetësinë dhe do të shkonte drejt integrimit të plotë në komunitetin ndërkombëtar.

Përballë gjithë këtij procesi, ndryshimi i papritur i qëndrimit të ish-luftëtarëve të Kosovës të kthyer në politikanë në vigjilje të sezonit të festave, ishte një goditje e madhe, pasi deputetë nga partitë e koalicionit qeverisës bënë një përpjekje për ta revokuar ligjin që mundëson veprimin e Dhomës së Specialistëve. Ambasadori i SHBA në Prishtinë e përshkroi atë si “backstabbing” dhe ambasadori britanik e vlerësoi atë si ngjarjen më të keqe në Kosovë që nga lufta.

Elita politike e Kosovës, ndoshta për herë të parë po nxiste një ndryshim të madh politikash pa u konsultuar paraprakisht me partnerët perëndimorë, me të cilët ka një marrëveshje të madhe për pavarësinë dhe shtetësinë e vendit.

Një pengim direkt i drejtësisë

Sigurisht që është naivitet politik të besosh se një qeveri që mezi mban një shumicë në parlamentin e një vendi që po mbush dhjetë vjeç, mund të ndalojë një marrëveshje ndërkombëtare që ka mbështetjen e pothuajse të gjithë botës perëndimore.

BE-ja tashmë i ka kushtuar një buxhet të madh Dhomave të Specializuara, një pjesë e të cilit tashmë është shpenzuar. Dhomat tani kanë një sistem funksional dhe aktakuzat e para priten shumë shpejt.

Ashtu siç kanë theksuar shumë ekspertë ligjorë tashmë në Kosovë, shfuqizimi i ligjit që mundësoi krijimin e Dhomave do të ishte një pengesë e drejtpërdrejtë e drejtësisë penale.

Një lëvizje e tillë, megjithatë, thjesht do të vononte procedurat, pasi Dhomat do të krijoheshin gjithsesi përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi Rezoluta 1244 e Këshillit, në bazë të së cilës Kosova shpalli pavarësinë, është ende e zbatueshme.

Pyetja që duhet bërë është pse udhëheqësit e Kosovës ndryshuan mendjen për Dhomat e Specialistëve, ose siç njihet nga publiku Gjykatën Speciale?

Përgjigje për këtë pyetje nuk na jep asnjë kornizë analitike, ndaj mbetemi vetëm te motivet personale. Duke qenë se edhe udhëheqësit e UÇK-së, tre burrat kryesorë të Kosovës – presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i parlamentit Kadri Veseli – mund të jenë lehtësisht në radar të gjykatës së re.

Kështu, shpjegimi i vetëm i arsyeshëm është se ata vendosën të vënë interesin e tyre personal përpara, kundër interesave të vendit dhe po përpiqen të blejnë më shumë kohë për këdo që do të akuzohet.

Morali i historisë

Derisa deputetët e Kosovës ndoshta nuk do të mbështesin nismën e liderëve të tyre politikë dhe të shfuqizojnë legjislacionin që hap rrugën për ndjekjen penale të paanshme të krimeve të luftës, përpjekja ka shkaktuar mjaft dëme.

Elita politike e vendit ka treguar edhe njëherë papjekuri dhe papërgjegjshmëri të plotë. Duke funksionuar si një grup joformal i njerëzve të fuqishëm, elita e tanishme e ka sunduar vendin përmes vendimeve të marra vonë natën dhe në mbledhje familjare. Perëndimi – që është SHBA dhe BE – e ka injoruar një sjellje të tillë për një kohë të gjatë dhe e ka mbështetur atë në heshtje.

Në sytë e tyre, ish-guerilasit janë konsideruan kryesisht si partnerë dhe të vetmit që mund të ruanin stabilitetin në Kosovë. Mbështetja e Perëndimit për këtë klasë politike ka qenë e pakontestueshme dhe absolute.

Sidoqoftë, siç ka treguar Donkishotizmi mbi gjykatën e krimeve të luftës gjatë javëve të fundit, një mbështetje e tillë po arrin drejt fundit.

Në çastin kur Kosova ende nuk e ka konsoliduar demokracinë e saj dhe i duhet ende të legjitimojë shtetësisë së saj në politikën botërore, t’i kthesh shpinën partnerëve afatgjatë dhe thuajse mbarë botës perëndimore, kjo është një lëvizje vetshkatërrimtare.

Dhe ndërkohë që shoqëria kosovare mund të lejojë tashmë disa individë të mbajnë peng të ardhmen e saj, nuk ka pasur kurrë një sinjal më të fortë se elita aktuale politike është e vështirë për t’i besuar dhe se për të shpëtuar vendin, mbështetja e Perëndimit për këtë elitë duhet të marrë fund.

Një mbështetje e tillë, në të ardhmen e afërt, duhet t’u jepet çështjeve dhe ideve në vend të individëve.

 

Krenar Gashi është një studiues politik nga Kosova, aktualisht anëtar doktorant i Qendrës për Studime Europiane, në Universitetin Gent në Belgjikë.

Mendimet e shprehura në rubrikën e opinioneve i përkasin vetëm autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

09 Janar 2018 - 19:27

Krenar Gashi I BIRN 09/01/2018 - 19:27
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend