Ndryshimi i kufijve e zbulon vlerën e vërtetë të Kosovës

Propozimet për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë janë hedhur poshtë më parë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara si naive dhe të papërshtatshme, thjeshtëzim i vjetruar i etnisë, i papërputhshëm me normën ndërkombëtare bashkëkohore në rastin më të keq. Prapëseprapë, edhe pse nuk ka miratim të përgjithshëm, kjo ide tani qartazi po fiton mbështetje perëndimore.

Natyrisht, kjo është troditje për popullatën shqiptare të Kosovës, të cilët që nga viti 1999 e kanë parë Perëndimin si mik të palëkundur. Por, këto plane të afërta e nxjerrin në pah realitetin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe padronëve të jashtëm; Perëndimi gjithmonë ka qenë i interesuar për Kosovën, jo për shkak të dashurisë për njerëzit e saj, por më shumë për vlerën e saj instrumentale.

Vlera instrumentale vjen deri diku për arsye gjeopolitike, por ka më shumë të bëj me vlerën propagandistike të Kosovës. “Shpëtimi” i Kosovës, dhe më pas ndërtimi i një Kosove “paqësore” janë shprehje të cilat janë përdorur nga Perëndimi që nga viti 1999 për ta krijuar një imazh të fuqisë, kapacitetit dhe dashamirësisë së vet, për ta shfaqur te pjesa tjetër të botës. Si shumë fuqi të tjera të huaja, perëndimi kujdeset për Kosovën, vetëm se jo domosdo për njerëzit që jetojnë aty.

Pamja instrumentale e Perëndimit ndaj Kosovës mund të shihet përmes historisë së saj të vonshme: kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë në vitin 1990, thjesht ishte shpërfillur nga Perëndimi; kur presidenti i zgjedhur por jozyrtar i Kosovës, Ibrahim Rugova, bëri kërkesë për të marrë pjesë në “Konferencën për Jugosllavinë” tëBashkimit Evropian në gusht të vitit 1992, ai ishte këshilluar të rrijë larg.

Në fund të fundit, politika e Rugovës ishte rezistencë paqësore në Kosovë – që dalloi fort me taktikat e tjera të dhunshme që përdoreshin përgjatë ish-Jugosllavia – por me këtë fitoi vetëm duartrokitje të zbrazëta, duke arritur kulmin me injorimin e plotë të Kosovës në Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995.

Natyrisht, NATO-ja bëri një intervenim ushtarak në vitin 1999 dhe jo befasishëm u mirëprit nga shqiptarët e Kosovës, edhe pse përkrahja perëndimore ishte e kufizuar. Për të shmangur viktimat, intervenimi i NATO-s hidhte predha prej një lartësie prej 4500 metrash; përderisa kjo garantonte sigurinë e NATO-s, prapëseprapë e kufizonte në mënyrë të konsiderueshme edhe aftësinë e tyre që t’i mbrojnë civilët në tokë.

Në të vërtetë, intervenimi i NATO-s përshpejtoi edhe një raund masiv të pastrimit etnik i kryer nga forcat serbe, të cilat NATO-ja nuk mundi t’i ndalë. Por mbrojtja e viktimave nga agresioni serb nuk ishte fare qëllimi kryesor i intervenimit; gjenerali Wesley Clark, komandanti suprem i NATO-s, në atë kohë kishte thënë, “ky nuk ishte konflikt vetëm për Kosovën. Madje, nuk ishte përfundimisht as konflikt për pastrimin etnik. Ishte një betejë për të ardhmen e NATO-s, për besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara si fuqi për çështjet botërore”.

Fakti që NATO-ja nuk ishte e motivuar plotësisht prej një dëshire për t’i ndihmuar shqiptarët në Kosovë ishte natyrisht shqetësim i vogël për qindra mijëra refugjatë që u kthyen në Kosovë pas kapitullimit të Millosheviqit dhe brohoritën për çliruesit e tyre; kështu, UNMIK-u dhe KFOR-i u mirëpritën nga shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës të cilët besonin se këto organizata ishin të përkushtuara për t’i ndihmuar ta ndërtojnë një Kosovë të re të lirë dhe të begatë.

Megjithatë, kur ndërhyrja e NATO-s përfundoi, një grup mafioz brenda UÇK-së filloi t’i kapte institucionet e Kosovës, shpesh përmes përdorimit të forcës. Në vend që të përballeshin me këtë grup, ndërkombëtarët i mbyllën sytë ndaj aktiviteteve të tyre në këmbim të garancive që të ruhej një pëlhurë e “rendit”, e kuptuar ngushtë si mungesa e konflikteve në shkallë të gjerë dhe sigurimi se separatizmi shqiptar gjetiu nuk do të mbështetej.

Sigurisht, qytetarët e thjeshtë të Kosovës pësuan si pasojë: kur elita plaçkiti burimet e varfëra të Kosovës, njerëzit përfunduan me arsimim të dobët, kujdes shëndetësor joadekuat, ndotje të mjedisit dhe një sistem politik gjithnjë e më të korruptuar, megjithëse është e vetëkuptueshme se këto vuajtje ishin më të tolerueshme në krahasim me ato që pësuan gjatë kohës së Millosheviçit.

Në fund të fundit, jetesa e popullit të Kosovës kishte rëndësi më të vogël se sa imazhi i Kosovës i cili ishte paraqitur nga Perëndimi. Në vendosmërinë e tyre për të krijuar një “Kosovë” që mund të vihet në përdorim të marrëdhënieve me publikun, aktorët ndërkombëtarë bënë mikro-menaxhim të skajshëm. Është dëshmuar se flamuri i Kosovës, himni madje edhe kushtetuta e shtetin janë projektuar nga ndërkombëtarët. Ndërsa secili kishte për qëllim të krijonte një imazh të Kosovës si “multietnike”, “e lirë” dhe “e begatë”, realiteti ishte krejt tjetër. Kosova vazhdon të vuajë nga niveli i lartë papunësisë, korrupsioni i përhapur dhe ndarjet etnike. Kjo e fundit e dëshmuar në ndasitë e mprehta që vazhdojnë në Mitrovicë dhe në qytetet me shumicë serbe si Graçanica – janë dëshmi e kontrastit mes retorikës së ndërkombëtarëve dhe realitetit të politikave që ata kanë imponuar.

Kuotat etnike në parlament dhe institucionet e tjera qeveritare, si dhe krijimi i komunave etnike, janë politika të futura në Kosovë nga ndërkombëtarët. Megjithatë, larg krijimit të një republike multietnike funksionale, këto politika kanë legjitimuar dallimin etnik si një copëzim i pranueshëm politik. Kështu, pavarësisht nga pretendimet që pëshpëriten nga të huajt kur ata ankohen për mungesën e progresit të Kosovës, Kosova nuk është aq e shqetësuar nga “urrejtjet etnike të lashta”, pasi është viktimë e keqmenaxhimit të jashtëm.

Megjithëse duket e pavarur që nga viti 2008, në vitet e fundit Kosova është detyruar të pranojë një sërë kërkesash nga bashkësia ndërkombëtare përkundër mungesës së theksuar të mbështetjes publike; kjo përfshin krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. Larg projektimit për të përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovë, këto marrëveshje kanë pasur për qëllim kryesisht lehtësimin e integrimit të fqinjëve të Kosovës në NATO dhe BE.

Megjithatë, paradoksalisht, perspektivat e Kosovës për t’u bashkuar me këto organizata mbeten të papërfillshme. Kështu, në shumë mënyra, ndërkombëtarët e duan popullin e Kosovës kur ata janë “viktima të huaja mirënjohëse”; ata nuk janë të etur, megjithatë, duke i trajtuar ata si evropianë të vërtetë e të barabartë me aftësinë për të bërë vendime të pavarura të cilët mund të pranohen në radhët e tyre. Ndoshta dëshmia më e dukshme për këtë është fakti se Kosova dhe Bjellorusia mbeten vendet e vetme në perëndim të Rusisë që nuk kualifikohen për viza Shengen. “Ne ju mbështesim” paraqitet të jetë logjika, “për aq kohë sa qëndroni aty ku jeni, valëvitni flamujt tanë dhe pritni në rend”.

Shpërndarja e pushtetit në nivel ndërkombëtar është zhvendosur dhe pronarët e Kosovës po rivlerësojnë prioritetet dhe aleancat e tyre. Siç ka qenë rasti shumë herë gjatë gjithë historisë së saj, Kosova tani është pre e përçarjeve të fuqive të mëdha. Ndërsa SHBA-të dhe BE-ja përleshen për të drejtuar një kurs të ri, thellësia e angazhimit të tyre ndaj normave liberale të dukshme të pacenueshme, të tilla si pluralizmi dhe integriteti territorial vihet re, po kështu është angazhimi i tyre i vërtetë ndaj Kosovës dhe popullit të saj.

Ndryshimet e propozuara të kufirit ose çfarëdo eufemizmi të veçantë, e ekspozojnë statusin e Kosovës si peng nga i cili shumë nivele mund të jenë të gdhendura për t’i shërbyer interesave të jashtme.