Ndërtesa e Rektoratit të UP-së | Foto: KALLXO.com

Ndryshimi i Dyshimtë i Rregullores nga Rektorati

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me vota unanime ka miratuar Rregulloren për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në UP më 1 mars 2018.

Pas votimit të kësaj Rregulloreje, menaxhmenti i Rektoratit thotë se e ka evidentuar një ‘gabim teknik’.

Gabimi ‘teknik’ ishte përmirësuar nga menaxhmenti, edhe pse kjo Rregullore është miratuar nga Senati, organ që i cakton rregullat.

Më 26 shkurt 2018, Rektorati i Universitetit të Prishtinës kishte përcjellë një draft të Rregullores për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në UP te të gjithë dekanët e njësive akademike. Kësaj Rregulloreje i është shtuar preambula vetëm pas vërejtjeve të bëra nga dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli.

Në preambulë Ligjin për Arsimin e Lartë, Ligjin e Punës, Ligjin për Shëndetësi, Udhëzimin Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik dhe Udhëzimin Administrativ të MAShT-it.

Më 2 mars 2018, Rektorati e kishte dërguar këtë Rregullore te dekanët e njësive akademike me këto dy revista shkencore “Word Cat” dhe “Directory of Open Aceess Jorunal”.

Në këtë Rregullore e cila mban numrin e protokollit 465, e cila është nënshkruar nga rektori Marjan Dema, përcaktohej se punimet e publikuara në revistat “Word Cat” dhe “Directory of Open Aceess Jorunal” duhet t’i nënshtroheshin verifikimit.

“Punimet e publikuara në revistat 4 dhe 5 të nën paragrafit A.2.1 si dhe në revistat si në nën paragrafin A.2.2, A.2.3 dhe A.2.4, nuk merren parasysh gjatë vlerësimit të kandidatëve nëse në momentin e publikimit revistat përkatëse janë të përfshira në listat të revistave dhe botuesve të dyshimtë përkatësisht në listën origjinale të Beall-it”, thuhet në Rregulloren e cila është dërguar më 2 mars 2018 te njësitë akademike të UP-së.

Por, pas publikimit të Rregullores në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës, kjo Rregullore pësoi ndryshim në të njëjtën pikë, atë të revistave shkencore duke u shtuar edhe platforma “EBSCOhost” që mban pikën 3, për t’u verifikuar në listën e Beall-it.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka gjetur se kjo pikë e Rregullores, me platformën “EBSCOhost”, nuk është votuar në Senat më 1 mars 2018, por është votuar Rregullorja që parashihte vetëm dy platforma: “Word Cat” dhe “Directory of Open Aceess Jorunal”.

“Punimet e publikuara në revistat 3, 4 dhe 5 të nën paragrafit A.2.1 si dhe në revistat si në nën paragrafin A.2.2, A.2.3 dhe A.2.4, nuk merren parasysh gjatë vlerësimit të kandidatëve nëse në momentin e publikimit revistat përkatëse janë të përfshira në listat të revistave dhe botuesve të dyshimtë përkatësisht në listën origjinale të Beall-it”, thuhet në Rregulloren e publikuar në faqen zyrtare të Rektoratit. Pra, i është shtuar edhe numri 3, që përbën ndryshim thelbësor.

Ajo çka bie në sy është se manaxhmenti i UP-së edhe pas ndryshimit të  pikës A.3 të Rregullores nuk ka prekur numrin e protokollit. Pra dy Rregulloret, njëra që i është dorëzuar dekanëve të UP-së dhe tjetra që është publikuar në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës mbajnë numrin e njëjtë të protokollit 465 dhe është nënshkruar nga rektori Marjan Dema.

Baza Ligjore

Statuti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”  në nenin 49 pika 1.9 thotë se Senati ka të drejtë “Të nxjerrë rregullore të përgjithshme për fushat e punës arsimore, kërkimore dhe artistike”.

Sipas këtij neni, Senati i UP-së në përputhje me Statutin ka iniciuar nxjerrjen e kësaj Rregulloreje. Por, ky Statut nuk përcakton edhe veprimin e manaxhmentit të UP-së, rektorit, prorektorëve dhe sekretarit, se Rregullorja mund të ndryshojë pas votimit në Senat. Madje këta të fundit nuk kanë as të drejtë vote në Senat edhe pse janë pjesë dhe kryesues të tij.

Sipas Statutit të UP-së, rektori, prorektorët dhe sekretari kanë përgjegjësi të ndryshme si përfaqësim, organizim dhe menaxhim të Universitetit të Prishtinës.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kërkuar përgjigje nga Sekretari i UP-së, Esat Kelmendi se në çfarë baze ligjore janë thirrur për ndryshimin apo përmirësimin qoftë edhe të gabimit teknik të pikës A.3 që ka të bëjë me punime shkencore pas votimit të saj në Senat.

Kelmendi për Gazetën JnK tha se janë thirrur në Preambulën e Rregullores e cila është mbështetur në Udhëzimin Administrativ të MAShT-it për revistat shkencore.  Kelmendi nuk dha bazë ligjore, ligj, nen apo paragraf që u lejon menaxhmentit të UP-së të ndërhyjë apo ndryshojë vendimet e Senatit.

“Në Preambulën e Rregullores është e cekur edhe udhëzimi Administrativ i MAShT-it që specifikon punën e revistave shkencore. Mbi këtë parim çdo gjë që përmban, mundet me ndodh mu harru diçka, mu plotësu diçka por substanciale që është e përcaktuar me një Rregullore, me një Statut nuk paraqet problem sepse e mbulon dispozitivi. Udhëzimi Administrativ e  parasheh (pikën A.3) që është bërë te ai lëshim apo gabim teknik”, tha sekretari i UP-së.

I pyetur nëse ka ndonjë ligj apo rregullore që e lejon ndryshimin e një vendimi të Senatit pas miratimit, Kelmendi  nuk dha ndonjë gjë specifike, por përsëriti sërish se Preambula e Rregullores e arsyeton gabimin teknik të bërë.

Sekretari tha se ky “lëshim teknik” nuk është kurrfarë shkelje ligjore, sepse e gjithë Rregullorja është votuar duke u bazuar në ligje dhe udhëzime.

Kelmendi tha se askund në botë nuk ndodh të shfuqizohet një Rregullore për shkak të “lëshimit teknik” pasi që sipas tij kjo është komplekse.

“Nuk ka shans të shfuqizohet një Rregullore për një numër. Nuk ndodh askund në botë, për një numër të shfuqizohet Rregullorja”, deklaroi Kelmendi.

I pyetur nëse duhet të marrë përgjegjësi dikush për këtë ndryshim, sekretari Kelmendi tha se janë njerëz që mund të bëjnë gabim dhe jo robot.

“Çfarë përgjegjësie, pse çka u bë? A po kujton që jemi robot. Gabimet ndodhin normalisht, por kur janë gabime substanciale, ne i qesim i diskutojmë këtu. Është gabim që në këtë rast nuk ka qenë substancial sepse është paraparë në Preambulë”, tha Kelmendi.

Sekretari i UP-së tha se ky “lëshim teknik” do të konstatohet në procesverbal të mbledhjes së ardhshme të Senatit dhe sipas tij asnjë konkurs në UP nuk do të procedohet pa u bërë ky konstatim.

Arsyetimi i Rektoratit

Gazeta JnK, ka kontaktuar edhe me prorektorin për Mësim, Naser Sahitin, i cili është edhe njëri nga hartuesit e kësaj Rregulloreje.

Sahiti pranoi që ka ndodhur ky ndryshimi në Rregullore, por tha se kjo është bërë për shkak të gabimit teknik. Po ashtu ai pranoi se u kishte dërguar të gjithë dekanëve sqarimin për gabimin teknik të bërë në këtë Rregullore.

“Është përvjedhur një gabim teknik, edhe pse jemi thirrur në Preambulë se Rregullorja është thirrur në Udhëzimin Administrativ i cili e parasheh atë platformë që të merret parasysh kur të vlerësohet se a janë revistat kredibile, lista të dyshimta ose jo, këtu na u ka përvjedhur ai gabim që numrin që e adreson atë revistë nuk e kemi bërë”, tha Sahiti për GJnK.

Sahiti pranoi se pas konstatimit të këtij gabimi teknik e kanë bërë korrigjimin dhe më pas e kanë plasuar rregulloren në faqen zyrtare të UP-së.

“Në ueb faqe të UP-së ka dalë me korrigjim dhe i kemi njoftuar gjithë dekanët që ky ka qenë gabim teknik”, tha Sahiti.

Gazeta JnK e ka siguruar letrën që prorektori Sahiti ua ka adresuar gjithë dekanëve të UP-së, e që janë pjesë e Senatit,  duke pranuar gabimin teknik dhe siç thotë “korrigjimin e Rregullores”.

“Të nderuar Dekan, ju njoftoj që në versionin e rregullores që ua dërgova më parë është përvjedhur një gabim teknik të cilin e kemi përmirësuar. Konkretisht në fq.17, në paragrafin A.3 është dashur të shënohet ‘Punimet e publikuara në revistat 3,4 dhe 5 në nën paragrafit A.2.1…’. Në tekstin e këtij paragrafi në versionin që ua dërgova më parë ka munguar nr.3. Versionin e korrigjuar të Rregullores, e gjeni të bashkëlidhur dhe në ueb faqen e UP-së”, thuhet në letrën e përcjell dekanëve më 2 mars 2018 në ditën kur është publikuar Rregullorja në faqen zyrtare të UP-së.

Prorektori Sahiti pranoi që senatorët e UP-së kanë votuar Rregulloren vetëm me revistat 4 dhe 5 që janë “Word Cat” dhe “Directory of Open Aceess Jorunal”, por pa revistën 3 që është “EBSCOhos” për shkak se siç thotë “të gabimit teknik”.

I pyetur nëse kjo rregullore është legjitime kur Senatorët kanë votuar vetëm për dy revista, Sahiti tha se ata kanë votuar duke u bazuar në preambulë që thirret në Udhëzimin Administrativ të MAShT-it.

Ai tha se në mbledhjen e radhës të Senatit, do të konstatohet në procesverbal për këtë gabim teknik në Rregullore.

Dyshimet e dekanit

Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, njëkohësisht pjesë e Senatit të UP-së, për GJnK tha se çdo ndryshim ligjor duhet të bëhet i ditur.

“Në aspektin ligjor çfarëdo ndryshimi  duhet me u bë e ditur, edhe Senati duhet të thotë shikoni na ka ikur një përvjedhje teknike edhe cila ka qenë qëllimi po supozojë me u përfshi kjo meqë nuk e kemi përfshi në tekst. Prandaj duhet të vërtetohet së paku në mbledhjen kur të votohet procesverbali”, tha dekani Gashi.

Dekani i Fakulteti Filozofik, Bujar Dugolli thotë se nëse gabimi nuk është teknik, atëherë dikush duhet të jep përgjegjësi.

“Dua të besoj që ka qenë një gabim teknik dhe nuk e ka bërë me qëllim Rektorati, sepse në rast se e ka bërë qëllimisht atëherë mendoj që është veprim që duhet të kihet përgjegjësi sepse nuk mundet të sillet dokumentacion në Senat i cili nuk është në përputhje ose bie në kundërshtim me atë që është thirrje mbi bazën e së cilës bëhet rregullorja”, deklaroi dekani Dugolli.

Universiteti i Prishtinës për herë të parë përmes kësaj Rregulloreje ka precizuar edhe revistat shkencore ku mund të publikojë stafi akademik e që janë propozuar nga Senati, departamentet dhe fakultetet.

Senati i Universitetit të Prishtinës ka propozuar tri revista shkencore “Word Wide Science”, “Microsoft Academic Search” dhe “BASE – Bielefeld Academic Search Engine”, ndërsa departamentet kanë propozuar gjithsej 16 revista, ndërsa fakultetet 10 revista në mesin e tyre edhe ato “Gjurmime Albanologjike”, “Studime” dhe “Studime Albanologjike”.