Ilustrim

Ndikimi i roleve gjinore të shoqërisë në konfliktet prind- fëmijë

Mashkull-femër është ndarja më e madhe njerëzore. Historikisht shoqëritë janë organizuar mbi bazën e roleve gjinore. Që në momentin kur lindet fëmija, familja, e më pas edhe shoqëria, do t’ia caktojë atij një etiketë e cila e do ta përcjellë gjatë gjithë jetës.

Shumë njerëz i përdorin termat “seks” dhe “gjini” ndërkëmbyeshëm, megjithatë ato nuk janë e njëjta gjë. Seksi ka të bëjë me dallimet fizike, ai është fenomen biologjik që përcaktohet nga hormonet dhe kromozomet. Gjinia është konstrukt shoqëror, ajo farkëtohet nën ndikimin e faktorëve socialë, kulturorë dhe psikologjikë. Pra, në momentin që fëmija sjell me vete seksin e tij, shoqëria i mvesh atij edhe stereotipat dhe i jep atij një rol gjinor. Duke qenë kështu, shoqëria krijon dy modele të ndryshme të njerëzve, meshkuj dhe femra që dallojnë jo vetëm në dimensionin biologjik, por edhe në atë psikologjik dhe social. P.sh. Në një rishikim të literaturës Block (1983) ka gjetur se ekziston një lidhje midis roleve gjinore dhe shkallës së ekspresivitetit emocional. Gjithnjë sipas këtij autori, djemtë janë të prirë të shikojnë raportet ndërnjerëzore më tepër si mundësi për të shprehur kompetivitetin, dominimin dhe ekspertizën. Për djemtë, miqësia është “instrumentale”, më tepër sesa intime. Ndryshe qëndron puna me vajzat, të cilat i krijojnë raportet shoqërore me tharmin e intimitetit. Për to, miqësia është e mbështjellë me besnikëri dhe mbështetje (Block, 1983; Adams, Kuebly, Boyle & Fivush, 1995).

Dallimet midis djemve dhe vajzave në raportet që këta krijojnë me prindër janë dallime socio-psikologjike, pra derivojnë nga edukimi dhe bien në kategorinë e gjinisë, jo seksit. Pra, mjedisi formëson karaktere të ndryshme për djem dhe vajza. Vajzat edukohen për të qenë të tërhequra, te gatshme për të sakrifikuar, të dëgjueshme, të nënshtruara, emocionale, të buta, jokundërshtuese. Te djemtë, në anën tjetër, stimulohet demonstrimi i forcës, fshehja e ndjenjave, ashpërsia, dominanca, vetë-besimi, kryesisht tipare që më vonë do të çojnë në raporte të tensionuara, madje konfliktuale, me prindërit. Hulumtimet mbështesin pretendimin se cilësitë e personalitetit të cilat mendohen të jenë karakteristike për rolin gjinor të femrave kanë më pak shanse të gjenerojnë mosmarrëveshje me prindërit (Rubin & Chung, 2006). Jessica McNaughton ka zbuluar se krahasuar me djemtë, vajzat priren të respektojnë më shumë rregullat e vendosura nga prindërit. Po ashtu, të dhënat e hulumtimit treguan se femrat priren më shumë të flasin me prindërit rreth ndjenjave dhe emocioneve, krahasuar e djemtë. Ky ndryshim mbështet të dalat nga kërkimet të cilat kanë gjetur se femrat janë më ekspresive se meshkujt (Cossette, Pomerleau, Malcuit dhe Kaczorowski, 1996) dhe se meshkujt e kufizojnë shprehjen e emocioneve gjatë adoleshencës (Polce-Lynch, Myers, Kilmartin, Forsmann-Falck dhe Kliewer, 1998). Ka gjithashtu gjetje që mbështesin hipotezën se ka dallime në midis vajzave dhe djemve në diskutimet që ata zhvillojnë me prindërit. Konfliktet dhe ndërveprimet e tjera me femrat në familje përfshijnë më shumë diskutim të ndërsjellë, shprehje dhe negociata dhe më pak shmangie dhe tërheqje, ndërkohë që ndërveprimet me meshkujt përfshijnë më shumë shtrëngim dhe përdorim force ((Fitzpatrick and Vangelisti,1995). Femrat flasin më shumë me prindërit dhe janë më të hapura në bisedë, duke shpalosur çështje të tilla si interesat, marrëdhëniet familjare (1995, Noller dhe Callan, 1991). Ato gjithashtu marrin më shumë dashuri prindërore dhe janë verbalisht më aktive sesa meshkujt (Fitzpatrick dhe Marshall, 1996). Goodnow (2006) mendon se shprehja emocioneve, të komunikuarit hapur, moskundërshtimi i rregullave në familje zvogëlojnë gjasat që të lindin mospajtime midis prindërve dhe fëmijëve.

Megjithatë, mospajtimet jo gjithherë duhen parë si diçka negative, pasi që ato mund të çojnë në vetë-përmirësim, bashkëpunim, dhe pavarësi (Dunn, 2004). Problemi nuk qëndron te mospajtimet dhe konfliktet, pasi ato mund të përgatisin individin që të përballojë sfidat në botën jashtë familjes, por më tepër tek ai lloj raporti që vendos fëmijën në një rol pasiv, apo të nënshtruar. Raportet që japin përshtypjen se janë të ngrohta, në të cilat nuk stimulohet autonomia dhe të menduarit kritik janë më të dëmshme. Po ashtu, raportet konfliktuale, pa ngrohtësi dhe dashuri dëmtojnë zhvillimin e fëmijës. Konflikti duhet parë si mundësi eksplorimi i raporteve, kur argumentimi zë vendin e dogmës dhe fëmija ndjen veten si subjekt dhe zhvillohet si i tillë. Konflikti dëmton marrëdhënien dhe zhvillimin e fëmijëve kur ai buron nga sjelljet e prindërve narcizoidë, të cilët e shtrijnë narcizmin e tyre edhe te anëtarët e familjes dhe tentojnë të mbajnë ata nën kontroll absolut, pasi vetëm kështu përpiqen të ruajnë imazhin e fryrë të vetes (Fromm, 2002).

Njerëzit mund të mos pajtohen se cila është mënyra më e mirë për të edukuar fëmijët, cilat janë tiparet që u duhet atyre gjatë jetës. Madje, një tipar i karakterit mund të jetë i dëshirueshëm në një shoqëri, por i papranueshëm në një tjetër. Përveç kësaj, janë mjetet e prodhimit ato që i japin formë një shoqërie, i mbrujnë mentalitetin dhe i krijojnë atë që quhet superstrukturë. Superstruktura i referohet të gjitha aspekteve të shoqërisë, duke përfshirë kulturën, ideologjinë, pikëpamjet, vlerat, idetë dhe besimet, normat, identitetet, institucionet sociale, fenë, edukimin etj. Prandaj, kohë të ndryshme, krijojnë superstruktura të ndryshme.

Për ta thjeshtuar, “tiparet” e vajzës/gruas kosovare janë rezultat i edukimit. Pra, ato  edukohen të jenë “të buta”, ndërkohë që do të dalin në një botë të “ egër”, prandaj vajzat shumë shpesh janë viktima të dominimit mashkullor. Në mënyrë që të kontribuohet në barazinë midis gjinive, dallimet mbi baza gjinore duhet të trajtohen që të eliminohen brenda familjes dhe në vetë procesin e edukimit. Marrëdhëniet midis njerëzve janë të shëndosha vetëm kur ndërtohen mbi barazinë. Prandaj, barazia midis djemve dhe vajzave çon në ulje të konflikteve me prindërit, duke e zëvendësuar atë me komunikimin e hapur dhe adresimin e çështjeve. Kur barazia është normë, edhe kur ndodhin konfliktet, ato janë të shëndetshme, forcojnë karakterin e fëmijëve dhe zhvillojnë autonominë e tyre.

Edukimi diskriminues hedh farën për konflikte midis fëmijëve dhe prindërve dhe minon raportet midis vëllezërve dhe motrave. Vajzave u dhurohet një dashuri e ngrohtësi, por me çmimin që ato të respektojnë normat dhe të heqin dorë nga uni personal, të pranojnë superioritetin e gjinisë së kundërt. Kjo strategji mbjell pabarazinë midis fëmijëve të gjinive të ndryshme, gjë që çon në konflikte. Vajzat nuk e kuptojnë pse duhet pikërisht ato të shërbejnë mysafirëve, apo të hekurosin rrobat, ndërkohë që vëllezërit e tyre mund të luajnë video-lojëra. Ato adresojnë shqetësimin te prindërit, si “autoritet suprem” brenda familjes, por ai përdor “argumentin” e rolit gjinor. Në të tilla raste, vajzave u mbeten dy rrugë: ta pranojnë rolin që u është caktuar ose të revoltohen dhe të dalin kundër autoriteteve që caktojnë norma, që e dyta zgjedhet fare pak si opsion, dhe shoqëria vazhdon të prodhojë pabarazi dhe përherë e më tepër të krijojë viktima. Djemtë, në anën tjetër, duke e menduar veten si superiorë karshi vajzave, mund të priren të reagojnë sa herë ky perceptim u kërcënohet. Rolet e çimentuara gjinore krijojnë kushtet për tensione brenda familjes. Në të dy rastet, konfliktet sillen në një rreth vicioz dhe përsëriten pothuajse me të njëjtin skenar. Prandaj, nuk është e tepërt të thuhet se edukimi pa e mbjell farën e pabarazisë është parakusht për raporte normale midis prindërve dhe fëmijëve. Por, as nuk duhet harruar se raporte normale nuk janë ato që nuk karakterizohen nga një qetësi sipërfaqësore që injoron mospajtimet dhe nuk i trajton ato. Në fakt, raportet normale janë ato të cilat përgatisin fëmijët të përshtaten në shoqëri dhe t’i kontribuojnë zhvillimit të saj (Fromm).

 

Rreze Abdullahu është psikologe