Ilustrimi: Kallxo.com

Ndikimi i Gjykatës Speciale në stabilitetin politik në Kosovë

Fillimi i intervistimeve të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Prokuroria e Specializuar në Hagë ka nxitur reagime të liderëve politikë në Kosovë, të cilët kanë përmendur edhe mundësinë për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Së fundi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli kanë polemizuar për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjet.

Veseli, i cili njëherësh është kryetar i Kuvendit të Kosovës, dy ditë më parë ka kërkuar nga partitë opozitare, sidomos nga LDK-ja,  “të mos i fërkojnë duart” për zgjedhje me fillimin e intervistimit nga Prokuroria e Specializuar të disa ish-drejtuesve të UÇK-së, e që tani janë në PDK.

Kurse, Mustafa si kundërpërgjigje i kishte thënë Veselit që të veprojë si kryetar i partisë së tij dhe i Kuvendit të Kosovës e jo si “shef i SHIK-ut” dhe se sipas tij nëse dikush ka bërë krime “duhet t’i fërkojë duart e veta”.

Këto deklarata, sipas njohësve të çështjeve politike në vend, janë të zakonshme pasi bëhen për konsum të brendshëm politik dhe se sipas tyre, Gjykata Speciale ka ndikim në zhvillimet politike në vend.

Valmir Ismaili nga “Demokracia Plus” ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se deklaratat e Veselit dhe Mustafës janë për konsum të brendshëm ditor. “Të tilla deklarata jemi mësuar t’i dëgjojmë shpesh në raste të caktuara ndërmjet zyrtarëve të PDK-së dhe LDK-së”, tha ai.

“Përderisa PDK përmes njerëzve të saj aludon shpesh që ka qenë LDK-ja që ka kontribuar në krijimin e dosjeve për ish-ushtarët e UÇK-së, në anën tjetër LDK ka aluduar që kanë qenë njerëzit e PDK-së ata që kanë eliminuar disa figura të LDK-së pas lufte”, potencoi ai.

Sidoqoftë, Ismaili shton se këto akuza dhe kundërakuza nuk i kanë penguar këto dy subjekte që të bashkëqeverisin për vite të tëra.

“Në këtë kontekst, edhe deklaratat e tanishme duhet të merren si deklarata për konsum publik ditor të brendshëm”, theksoi ai.

Ndërkaq,  Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se me nisjen e thirrjeve të para për intervistim nga ana e Gjykatës Speciale ka pasur një aktivizim të partive opozitare, në veçanti të LDK-së.

“Që nga miratimi i akteve ligjore që hapën rrugën për krijimin e Dhomave të Specializuara, ka qenë e qartë që përpos dëmeve në planin e jashtëm, ky institucion do të kishte ndikim tejet negativ në stabilitetin politik në vend, përkatësisht në funksionimin e partive politike, sidomos të atyre të dala nga lufta. Me nisjen e thirrjeve të para për intervistim nga ana e Speciales, kemi pasur një aktivizim të partive opozitare, në veçanti të LDK-së, që kanë tentuar që ta shfrytëzojnë momentumin politik që të provokojnë zgjedhje të reja”, theksoi Cakolli për Gazetën JnK.

Ai vlerëson se deklarimet në mes të PDK-së dhe LDK-së për këtë temë duhet të shihen më shumë si pjesë e luftës së përditshme politike mes pozitës dhe opozitës.

“Kurse, nëse ky proces shihet nga një perspektivë më e përgjithshme politike, është më se e qartë që partive në pushtet nuk u konvenojnë zgjedhjet mbi premisën e zhvillimeve në kuadër të Speciales, për shkak se kjo do t’i dëmtonte partitë në përgjithësi, por edhe marrëdhëniet e tyre me bashkësinë ndërkombëtare në veçanti”, shtoi ai.

Proceset aktuale politike përballë mundësisë për zgjedhje të reja

Shkuarja e vendit në zgjedhje të reja, sipas analistëve më shumë mund të ndodhë si rezultat i kalkulimeve politike mbi temën e dialogut Kosovë-Serbi dhe taksës doganore të vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnjës, sesa që mund të ketë ndikim Gjykata Speciale.

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli thotë se shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të Speciales në periudhën e tanishme mbart rreziqe të shumta për periudhën pas krijimit të institucioneve të reja, “kur potencialisht do të mund të kishim edhe aktakuzat e para”.

“Andaj konsideroj që shkuarja eventuale në zgjedhje të jashtëzakonshme ka gjasa të jetë rezultat i kalkulimeve të partive politike në pushtet mbi temën e dialogut apo taksës, më shumë sesa mbi Gjykatën Speciale”, tha ai për JnK-në.

Edhe Valmir Ismaili (D+) vlerëson se Gjykata Speciale nuk mund të nxitë zgjedhje të parakohshme.

“Çështja e Gjykatës Speciale ka filluar shumë më herët dhe ka qenë çështje kohe se kur do të fillojë me raste, prandaj në këto rrethana, Gjykata Speciale nuk mund të jetë shkaktar i zgjedhjeve”, tha ai për JnK-në.

Sipas Ismailit, zgjedhjet do të mund të ndodhin për shkak të vendosmërisë së kryeministrit Ramush Haradinaj që të mos e largojë taksën ndaj mallrave serbe.

“Nëse partnerët tjerë të koalicionit qeverisës e shohin të arsyeshme që taksa të pezullohet sipas rekomandimeve të ShBA-ve, atëherë ka gjasa që ata së bashku me opozitën të provokojnë zgjedhje të parakohshme”, vlerësoi ai.

Gjykata Speciale është formuar pas miratimit të saj me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015, ndërsa do t’i hetojë krimet që supozohet se janë kryer nga ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së fundit në vend.

Specialja në dhjetor të 2018-ës i ka dërguar ftesa ish-pjesëtarëve të UÇK-së për intervistim në Hagë, ndërsa këtë fillimvit deri më tani janë intervistuar Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku.

https://kallxo.com/perfundon-intervista-komandant-remi-nuk-tregon-ne-cfare-cilesie-u-mor-ne-pyetje/