Ndarja e “kulaçit” për punësimet partiake

Kosova përballet me papunësi, por punësimi po del të jetë më i shpeshtë për ata që kanë ‘akraballëk’ në pozita publike.

Konkurset publike shumë herë u shndërruan në ‘strofull’ për shumë familjarë e të afërm të personave publik e politikanëve.

Muajt e fundit pothuajse çdo ditë mediat raportuan sesi familjarë e militantë partiakë u punësuan nëpër institucione publike në pozita të zgjedhura.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastet kur familjarët e personave publikë janë punësuar kryesisht në institucione ku punonin ose udhëhiqnin familjarët apo bashkëpartiakët.

Ky artikull është një përmbledhje e të gjitha rasteve për të cilat KALLXO.com ka raportuar nga gjysma e dytë e vitit të kaluar.

Për punësimet partiake në institucione publike ka folur edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, kreu i ekzekutivit tha se partia e tij nuk është duke luftuar që t’i fusë anëtarët e partisë në institucione publike.

“Një gjë e di që Aleanca edhe unë nuk jemi duke luftuar për asnjë kontratë në kompani publike, ju besojmë njerëzve që e kanë marrë atë përgjegjësi. Drejtori i Telekomit, Bedri Istrefi nuk është Aleancë, ka qenë aty, shikoji drejtorët e tjerë qysh janë”, deklaroi ai gjatë emisionit.

Ndërsa, kur u pyet për punësimin e kunatës së tij në Telekom, ai dha këtë arsyetim.

“Nuk jam në dijeni si ka hyrë ajo aty, ju siguroj. Për besë nuk e di. Edhe si kryetar i Qeverisë bukur e ke problem me i thënë një të afërmi mos konkurroni kurrkund, se është marre ashtu as nuk e ki atë të drejtë, tjetër është që e keqpërdor”, tha lideri i AAK-së.

https://kallxo.com/haradinaj-per-punesimin-e-kunates-ne-telekom-nuk-e-di-si-ka-hyre-aty/

Punësimi i fundit për të cilin u raportua ishte ai në komunën e Drenasit. Shefit të kabinetit të kreut të kësaj komune, Ramiz Lladrovci, Flamur Curri, ju punësua gruaja në QKMF-në në këtë komunë si zyrtare ligjore.

“Edhe gruaja ime ka të drejtë të aplikojë nëpër konkurse. Po, Merita është gruaja ime. Unë nuk mund t’ia mohoj të drejtën që të aplikojë në konkurse, përderisa e ka përfunduar fakultetin.” pati thënë ditë më parë Flamur Curri për KALLXO.com kur u pyet për punësimin e gruas në QKMF “Hafir Shala”.

Në komunën e Drenasit pati edhe një punësim tjetër partiak. Petrit Sinani, asamblist në komunën e Drenasit nga radhët e PDK-së së fundmi punësoi gruan e tij, Afrore Kajtazi- Sinani në pozitën e Zyrtares për Shërbimeve me qytetarë.

Në fund të vitit të kaluar, Sinani kishte kaluar nga radhët e AAK-së në partinë e kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci, PDK.

“Po është e vërtetë, nuk po e di kur po në vitin e kaluar”, u përgjigj asamblisti për KALLXO.com kur u pyet për punësimin e gruas në Komunën e Drenasit.

Edhe kryetari i komunës së Drenasit e punësoi vajzën e vet, veçse Kosovare Lladrovci u punësua në Bankën Qendrore të Kosovës. Këtë e pranoi vetë kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“Po, vajza ime Kosovarja, ka përgatitjen adekuate shkollore për postin që mban, madje punon në vendin e punës nën kualifikimet profesionale që i ka”, tha ai kur pyet për punësimin e vajzës në BQK.

Gjatë muajit mars, KALLXO.com raportoi edhe për punësimin e dy djemve të deputetit të AAK-së, Muharrem Nitaj.

Deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), iu punësuan dy djemtë në dy ndërmarrje publike. Njëri në Telekom e tjetri në Kompaninë rajonale “Pastrimi”.

Ndonëse vetë Nitaj e kishte pohuar punësimin e djalit në Telekom, për të dytin ka zgjedhur të kritikojë të gjithë ata që drejtojnë gishtin nga ai dhe partia e tij për punësime partiake.

Ish- analisti politik kishte dhënë një përgjigje interesante kur u pyet javë më parë për punësimin e Genc Nitajt si IT në Telekom.

“Secili e ka të drejtën e vet. Ka aplikuar në konkurs të rregullt, është pranuar dhe kaq është historiku. A me vdekë urie? Çka kam faj unë që jam deputet?”, pati thënë Muharrem Nitaj për KALLXO.com.

Edhe një tjetër deputet i AAK-së punësoi një familjar në një ndërmarrje publike.

Hateme Demaliaj, gruaja e deputetit të parisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, Shkumbin Demalijaj, është punësuar në pozitën e koordinatores juridike në kompaninë regjionale të mbeturinave “Pastrimi” në dhjetor të vitit të kaluar.

“Po është e punësuar. Kjo s’ka të bëjë asgjë me Aleancën. Gruaja ime është e punësuar, kontratën e ka të nënshkruar prej ish-drejtorit, ka kontratë pune me të, nga dikush që është i afërt me LDK-në bile, se u ba politike kjo” tha për KALLXO.com, deputeti Shkumbin Demaliaj kur u pyet për ndikimin e mundshëm të tij në punësimin e gruas.

Ndërmarrja publike “Pastrimi” pati një vend pune edhe për familjaren e deputetës së AAK-së, Time Kadriajn.

Vetë deputetja e pranoi se Altina Alaj është afërme e saj.

“Po, e njofshme e imja është, edhe ka kontratë mbi vepër”, pati thënë deputetja që vjen nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Gjatë marsit të këtij viti, KALLXO.com raportoi edhe për një punësim që ka lidhje dhe afërsi familjare me njerëz të politikës.

Ilir Guta, burri i deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Luljeta Veselaj- Guta është zgjedhur kandidati më i suksesshëm nga një konkurs i shpallur nga Ministria e Drejtësisë.

Ky konkurs ishte shpallur nga Ministria e Drejtësisë për pozitën Drejtor i Departamentit për Drejtësi Tranzicionale dhe Mbështetje të Viktimave të Krimit.

Konkurs ishte lejuar të monitorohej edhe nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese- BIRN. Por, organizatës nuk iu lejua qasja në dokumente publike nga Ministria e Drejtësisë, me arsyetimin se Ministria ka ofruar mjaftueshëm informata rreth konkursit.

Ndërsa, deputetja e PDK-së dha këtë përgjigje kur u pyet për ndikimin e saj që ta punësoj burrin.

“Absolut, nuk jam marrë. Ka qenë konkurs publik kanë qenë procedura të rregullta, asnjë ndikim nuk ka pasur” ishte shprehur deputetja.

Në Suharekë gjeti punë edhe një familjar i një zyrtari të AAK-së. Në këtë komunë që udhëhiqet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) u punësua nipi i Blerim Kuçit që vjen po ashtu nga partia e Ramush Haradinajt.

“Faton Kabashin e kam nip por jo bash nip, ma larg se sa nip. Se nipi i bie djali i motrës por nuk është ai djali i motrës, është ma larg. Unë nuk e ndërlidhi me veten se unë kam shumë të njohshëm që ndoshta edhe ndonjë tjetër ka hy në punë edhe para pesë apo nëntë vjetëve por s’kam lidhje me këtë punë unë” u shpreh Blerim Kuçi, sekretar në AAK, kur u pyet për afërsinë familjare që ka me të punësuarin, Faton Kabashi në QKMF-në e Suharekës.

Në fund të muajit shkurt të këtij viti, KALLXO.com raportoi edhe për punësimin e kunatës së Fatmir Limajt, aktualisht zëvendës kryeministër në Qeverinë e Haradinajt dhe kryetar i Nismës Socialdemokrate.

Në ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike që udhëhiqet nga Dardan Gashi u punësua Sadbere Balaj, e cila është motra e bashkëshortes së Fatmir Limajt.

Ndonëse vetë Balaj kishte refuzuar të përgjigjej në pyetjet e KALLXO.com, ministria kishte dhënë këtë arsyetim.

“Ndaj kandidatëve të suksesshëm në këto pozita të rekomanduar nga Komision, ju konfirmojmë se nuk ka pasur asnjë ankesë në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike si dhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pas publikimit të njoftimit për pranimin e tyre.  Sadbere Balaj është përzgjedhur Zyrtare e lartë për promovim të Investimeve në Departamentin për Investime Strategjike” , thuhej në përgjigjen e Ministrisë.

Gjatë shkurtit, KALLXO.com po ashtu raportoi edhe për një punësim partiak.

Donart Bislimi ishte fatlumi i një konkursi publik në ministrinë e integrimeve Evropiane. Donarti, që është vëllai i asamblistit nga radhët e PDK-së në Komunën e Mitrovicës dhe kryetarit të rinisë së PDK-së, Donjet Bislimi, u përzgjodh si kandidati me pikët maksimale për pozitën zyrtar i IT-së në ministrinë që udhëhiqet nga Dhurata Hoxha.

“Aspak nuk ka luajtur rol vëllai im, për shkak se un kam dalur më i poentuar dhe i kam përmbushur te gjitha kriteret e kërkuara , dhe gjithashtu jam i çertifikuar nga Ambasada Amerikane për detyrën e kërkuar” u përgjigj Bislimi kur pyet nëse lidhja familjare ndikoi që të punësohet ai në ministrinë që e udhëheq PDK-ja.

Në dhjetor të vitit të kaluar, KALLXO.com poashtu raportoi për punësime.

Me ardhjen në pushtet të koalicionit PAN, dy partitë që ishin në opozitë, AAK dhe NISMA treguan interesim shumë të madh për të punësuar familjarë e të afërm në institucione publike.

Në shtator të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi për punësimin e Veron Selmanit, burri i vajzës së Fatmir Limajt. Ai është punësuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga NISMA.

Në të njëjtën ministri ishte punësuar si këshilltar edhe Durim Limaj, djali i Fatmir Limajt.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Durim Limaj, këshilltar i ministrit të MTI-së në kohën e punësimit të Selmanit, ka folur shkurt.

“Mos m’thirrni për këto punë”, ka qenë përgjigja e tij.

Partia Nisma Socialdemokrate rehatoi në ministrinë që udhëheq aktualisht Endrit Shala edhe nipin e Jakup Krasniqit, Taulantin.

Taulant Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, është punësuar si inspektor i naftës në Ministrinë që drejtohet nga partia e themeluar nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi.

Kur KALLXO.com pyeti atë për ndikimet që mund të ketë axha në punësimin, ai arsyetua shkurt.

“S’kam çka flas e sqarohem, të thash që unë s’jam person publik as politik” kishte thënë ai.

Vend pune si shërbyese civile kishte fituar edhe ish-kandidatja për Kryetare të Drenasit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Arta Ahmeti -Xhylani është punësuar në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Ajo do të udhëheqë Departamentin për Integrime Europiane dhe Koordinim të Politikave.

KALLXO.com do të vazhdojë të raportojë për të gjitha rastet kur personat që mbajnë pozitat publike shfrytëzojnë postet për të punësuar të afërm e familjarë.