Foto: Balkan Insight

Ndarja e Kosovës është zgjidhje e rrezikshme

Ndarja e Kosovës apo rregullimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë do të destabilizonte rajonin dhe potencialisht do të nxiste dhunën, argumenton një ish-këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ndarja do të paralajmërojë humbjen e Kosovës si një shoqëri multietnike dhe do të shënojë dështimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, që kanë për qëllim njohjen reciproke brenda kufijve aktual të Kosovës.

Ndarja nuk është një ide e re. Ajo u ngrit fillimisht në mesin e viteve 1990 nga shkrimtari dhe politikanja Dobrica Qosiq, i ashtuquajturi ‘Kumbari i nacionalizmit serb’ dhe të tjerë në Akademinë Serbe të Arteve dhe Shkencave.

Ambasadori i Gjermanisë, Wolfgang Ischinger, diskutoi ndarjen në verën e vitit 2007, kur negociatorët e OKB-së nga SHBA, BE dhe Rusia, të njohur si “Trojka”, u përpoqën pa sukses për ndërmjetësim të një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës.

Vitin e kaluar, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç deklaroi se “të gjithë kanë nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit serbo-shqiptar, i cili mund të arrihet vetëm nëpërmjet një marrëveshje … ku secili do të fitojë diçka dhe do të humbasë diçka”.

Daçiç dhe kryeministrja serbe Ana Brnabiç kohët e fundit diskutuan ndarjen, me këshilltarin presidencial të SHBA-ve, Jared Kushner. Pas takimit, Daçiq theksoi: “Të gjitha kartat janë në tryezë.”

Vlerësimi i ndarjes fillon me një kuptim të qartë të asaj që Serbia dëshiron.

Daçiç propozon që Serbia të heqë dorë nga kërkesa e saj për të gjithë Kosovën në shkëmbim të tokave në veri të lumit Ibër. Enklavat serbe në pjesë të tjera të Kosovës do të kishin autonomi dhe do të ushtronin kompetenca ekzekutive. Manastiri ortodoks serb i Deçanit “Visoki “dhe manastire të tjera ortodokse në Kosovë do të fitonin status të posaçëm të mbrojtjes.

Serbia kërkon kompensim financiar për pronat që i pretendon në Kosovë, duke përfshirë objektet industriale dhe energjetike. Serbia do të rivendoste refugjatët e Serbisë që aktualisht banojnë në Serbi, në vendet që do të fitonte përmes ndarjes. 

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, Foto: Balkan Insight/EPA/EFE

Propozimi për ndarje ngjallë shumë pyetje.

A është përgatitur Partia Përparimtare Serbe në pushtet për të ndryshuar kushtetutën e Serbisë për të njohur Kosovën? A do të braktisë Serbia përpjekjet e saj për të penguar vendet që e njohin Kosovën, si dhe anëtarësimin  Kosovës në institucionet multilaterale? A është përgatitur Komisioni Evropian për të filluar negociatat me Kosovën lidhur me anëtarësimin e saj në BE?

Cilat janë veprimet e parashikuara nga mos njohësit e BE-së – Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia? A do të shkaktojë një marrëveshje në ndarje automatikisht njohja e Kosovës?

Anëtarësimi në OKB gjithashtu duhet të jetë pjesë e paketës. Megjithatë, pranimi nga Rusia ose Kina është larg garantimit.

Demarkacioni është një pengesë. Shkëmbimi i tokave në veri të lumit Ibër për tokat etnike shqiptare në Serbi si Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, është një procedurë e ndërlikuar. A do të ishte shkëmbimi simetrik apo i bazuar në vlerën e territoreve në fjalë?

Shpërnguljet e popullsisë do të ishin të çrregullta. Çfarë do të ndodhte me shqiptarët etnikë që aktualisht banojnë në veri të lumit Ibër? A do të mbeteshin aty, apo do të kishte një proces të menaxhuar për migrimin dhe kompensimin e tyre? 

Lumi Ibër, Foto: Balkan Insight/Wikimedia

A do të kishin mundësi serbët e Kosovës në jug të emigrojnë në tokat veriore të lumit Ibër? Cili mekanizëm do të krijohej për të menaxhuar rrjedhat e popullsisë?

Çfarë do të ndodhte me marrëveshjen ekzistuese për një Asociacion të Komunave Serbe, një nga marrëveshjet midis Beogradit dhe Prishtinës, që synonte të siguronte disa fuqi të zgjeruara për serbët e Kosovës? A do të kërkonte Beogradi ende një Asociacion të Komunave Serbe për komunitetet serbe në jug të Kosovës?

Kompensimi është gjithashtu i ndërlikuar. Komisioni i Kompensimit të Pronës do të kërkohet të shqyrtojë titujt, të përcaktojë pronësinë, të përcaktojë vlerën e pronave dhe të rregullojë kompensimin.

Një tjetër çështje është pronësia e Minierave të Trepçës, një kompleks i rëndësishëm minerar dhe metalurgjik në Kosovën veriore, që pretendohet nga Beogradi dhe Prishtina. Minierat aktualisht ndahen përgjatë vijave etnike, me serbët që drejtojnë pjesë që qëndrojnë në veriun e kontrolluar nga serbët e Kosovës dhe Prishtinën që drejton pjesë në jug.

A janë minierat e Trepçës të pasura me ar ose në masë të madhe të varfëruar? Kush do të zotërojë Minierat e Trepçës? A do të vendoset Trepça në një besim për Kosovën? Kush do të jetë përgjegjës për zhvillimin e burimeve minerare të Trepçës, menaxhimin e besimit dhe shpërndarjen e fondeve që shkojnë përpara?

Duhet të adresohen çështje të tjera të burimeve natyrore, si Liqeni i Gazivodës, një rezervuar i madh që furnizon me ujë dhe energji elektrike Kosovën qendrore.

Ndarja do të hapte plagë nga lufta. Ka ende mijëra njerëz të pagjetur. Viktimat kërkojnë llogaridhënie. Si do të adresojë llogaridhënien një marrëveshje për ndarjen?

Ndarjet e tjera etnike kanë çuar në dhunë dhe migrim masiv, për shembull ndarja e Indisë në Indi dhe Pakistan. Ndarja mund të nxiste një fazë të re të konfliktit etnik në Kosovë dhe në rajon, duke destabilizuar shtetet e brishta multietnike.

A do të kërkojë Republika Srpska në Bosnjë të bashkohet me Serbinë? A do të jenë shqiptarët etnikë në Maqedoni në vijën e tyre për të bashkuar territoret shqiptare?

Shumë njerëz vdiqën për të ruajtur idealin e shteteve demokratike, etnikisht të ndryshme në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i Sllobodan Millosheviqit ishte gjithmonë që të bashkonte kombin serb dhe të krijonte “Serbinë e Madhe”. Ndarja e Kosovës do të arrinte në tryezën e negociatave që Millosheviq nuk arriti të arrijë nëpërmjet spastrimit etnik.

Ndarja kërkon lëshime të mëdha simbolike dhe substanciale me pasoja politike, ekonomike dhe të sigurisë. Transparenca është kritike. Ndarja nuk mund të negociohet pas dyerve të mbyllura.

Ndarja do të ishte ngjarja përcaktuese në historinë e Kosovës. Ajo kërkon debat në qarqet politike dhe me shoqërinë civile, si dhe garancitë nga bashkësia ndërkombëtare. 

David L. Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimit për të Drejtat e Njeriut të Universitetit Columbia. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë në Departamentin e Shtetit të ShBA-së nën presidentët Clinton, Bush dhe Obama. Autori i “Liberating Kosovo: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e ShBA-së”, Phillips punoi ngushtë me ambasadorin Richard C. Holbrooke në Bosnje dhe Kosovë.

Mendimet e shprehura në seksionin e komenteve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

08 Gusht 2018 - 13:24

David L. Phillips, BIRN 08/08/2018 - 13:24
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend