Natyra në Instalacion (Video)

Një orë e vendosur në mur, e cila ecte me shpejtësi shumëfish më të madhe se e zakonshmja, lisi pa rrënjë, e një kuti e zezë me ca vezë që ndriçojnë brenda saj dhe lumi e shqiponja ishin elementet të cilat përbënin konceptin e ekspozitës “Jeta është e bukur”.

Restaurimi i Galerisë “Qafa” mblodhi shumë artistë e adhurues të artit, të cilët kishin ardhur të shohin punimet dhe instalacionet e Havollit.

Ndër ta, profesori i tij Ismet Jonuzi, e vlerësoi atë me nota të larta, duke e krahasuar me artistin italian Giuseppse Penone.

 “Shpendi është gjithnjë në kërkim të asaj që duhet thënë me një gjuhë më ndryshe nga ajo që jemi mësuar të flasim, pa i lënë asgjë rastit”, tha Jonuzi.
 
Profesori shtoi se puna e artistit është e menduar dhe e shoshitur si ide, mesazh dhe produkt vizual.

“I lidhur me ambientin që e rrethon, përpiqet të globalizojë mendimin dhe botëkuptimin lokal pa e braktisur njeriun, ujin, natyrën, shpezët dhe kujtimet e fëmijërisë së tij”, tha Jonuzi. 

Shpendi dallohet me realizimet e tij që shfrytëzon dritën, zërin, efektet virtuale, formën skulpturale por edhe gjëra të gatshme nga natyra siç janë pema, gurët, shpezët, vezët, dhe të gjitha këto ndërlidhen me një koncept të vetëm pa e lënë anash edhe vizatimin.

I pranishëm në këtë ekspozitë, ministri i Kulturës Memli Krasniqi, premtoi për angazhim në shtimin e hapësirave të ekspozimit.

“Padyshim që kemi nevojë për më shumë hapësira ekspozuese, për më shumë galeri”.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta shtuar hapësirën e ekspozimit, por shpresojmë që në këtë do të na ndjekin komunat e Kosovës, ku ka një problem edhe më të theksuar”, tha Krasniqi.

Ai me krenari theksoi edhe pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Biennalen e Venecias.

“Gjithë Kosovën e pret këtë vit një eveniment jashtë zakonisht i madh në këtë lëmi.
 
Për herë të parë, pas pak javësh do të prezantohemi me një tjetër artist të ri, edhe në Biennalen e Venedikut, me Petrit Halilajn”.

Havolli vet ishte më modest se të tjerët për të.

“Jeta është e bukur është si koncept kuratorial që e kemi punu në galerinë “Qafa”…një përmbledhje të instalacioneve, punimeve, një ironizim të jetës së bukur, një ilustrim”, tha ai.

“Jam gjeneratë e re dhe jam rritë në një ambient ku teknologjia është e pranishme dhe aty e gjej inspirimin”.

Për Havollin, artistët bashkëkohorë kanë mjaftë hapësirë, vetëm se duhet ta shfrytëzojnë atë më shumë.

“Artistët bashkëkohorë kanë hapësirë, ndoshta jo të mjaftueshme, por ata duhet të marrin guxim më shumë, me kërku hapësira”.

Puna e Havollit kryesisht fokusohet kryesisht në instalacione, art hybrid, kinetikë, burime drite etj.

Në profilin e tij në web faqen www.saatchionline.com veprat e Shpend Havollit ka të ekspozuara veprat e tij me vlerë deri në tre mijë euro.