Naime Beqiraj. Foto: Kallxo.com

Naime Beqiraj: Arti është vrap maratonik, nuk e duron vyshkjen

Autore e tre librave me poezi dhe të katërtin në proces, Naime Beqiraj është marrë kohë të gjatë edhe me gazetari të kulturës dhe ka shkruar edhe tekste këngësh. Është autore e prezentuar edhe në festivale dhe antologji ndërkombëtare të poezisë. Është pedagoge në kolegjin Fama, ndërsa merret edhe me studime. Së fundi, mori çmim të parë në Takimet e Poeteshave Shqiptare në Vushtrri

Naime Beqiraj është ndër poetet më të vlerësuara të letërsisë së sotme shqipe.

Ajo është pjesëmarrëse e shumë takimeve letrare, duke u shpërblyer edhe me çmime, ndërsa është prezantuar edhe në shumë antologji shqipe e ndërkombëtare të poezisë.

Së fundmi poetja Naime Beqiraj ka marrë çmimin e parë me poezinë, “Mosbindje femërore”, në Edicionin e sivjetmë të Festivalit të Poezisë “Takimet e poeteshave shqiptare” të mbajtur në fund të muajit tetor në Vushtrri.

Në këtë intervistë për Kallxo.com, poetja Beqiraj flet për çmimin e marrë në Vushtrri, për rrjedhat e sotme të poezisë shqipe, vendin që zënë krijueset shqiptare në letërsi… dhe burokratët të cilët vendosin për kulturën.

Kallxo.com: Çmimet letrare zakonisht lënë një përshtypjet të mirë për ftuesi. Si u ndjetë me marrjen e këtij çmimi ne Takimet e fundit të poeteshave në Vushtrri, i cili sigurisht se nuk është i pari, në këtë festival?

Naime Beqiraj: Çmime kam marrë sa nganjëherë thoja me humor, më shumë kam çmime se sa poezi. E bukura është kur je anonim, kur në konkurs letrar, qoftë në Kosovë, qoftë jashtë prezantohesh me shifër e jo me emër e mbiemër. Dikur, faqet letrare te gazetave e revistave zhvillonin të tilla konkurse dhe po thuaj sa herë jam prezantuar – jam shpërblyer. Mbaj mend në vitin 1995 në konkursin e Rilindjes për tregim, mu nda çmimi kryesor në konkurrencë me emra të shquar të artit letrar. Pra, në këto konkurse që ishin interesante sidomos për atë moshë, kur qëlloje me shifër, nuk kishe as mundësi lobimi, as intervenimi siç bëhet sot edhe për çmime në nivel shteti. Disa vite, gati 32 që në këtë festival (në Vushtrri) nuk jam paraqitur në cilësinë e konkurrentes në garë, por kam qenë antare jurie, pjesë e tribunave, etj. Sivjet kishte edhe krijuese të reja të cilat, me gjithë moshën e re ishin mjaft të artikuluara artistikisht. Madje, teksa po i përcillnim leximet letrare në këtë festival i cili ishte shumë më i mirë se disa festivale letrare me traditë edhe sa i përket cilësisë por edhe organizimit, po i thosha mikes sime poete nga Shkodra Rozafë Shpuza: këto dy poete do të marrin çmim. Dhe vërtetë doli ashtu. Vashat e talentuara Medina Pasoma dhe Blerina Tërbunja u shpërblyen me vendin e dytë, gjegjësisht të tretin.

Kallxo.com: Këtë çmim e morët për poezinë “Mosbindje femërore”. Çfarë të veçante përmban ajo poezi?

Naime Beqiraj: E kisha shkruar muaj më parë. Disi më pëlqente poezia, por titulli jo. As sot titulli nuk më pëlqen; madje kam problem me tituj, i vendosi në çastin e fundit. Poezinë e dërgova për konkurrim ditën e fundit, tek po mbyllej konkursi që fatmirësisht ishte me shifër dhe juria nuk ishte e ditur dhe nuk i kishte të njohur emrat e konkurrenteve. Meqenëse e pranova garën, uroja që në juri të mos jenë disa emra t’i quaj folkloristë/bukolikë që vlerësojnë vetëm poezinë që shkruhet si ata e nuk e dinë se çfarë krijohet sot në botë. Në këtë festival në Vushtrri isha prezantuar në vitin 1987 si konkurente dhe isha studente e vitit të parë kur mora çmim të parë në garë me poetesha të njohura. Në fakt, nuk doja të konkurroja por rrëfimi i Vasfije Krasniqit për dhunën gjatë luftës në Vushtrri, më nxiti. Këto vargje i kam shkruar në një ditë kur kisha, si ta them një marrëdhënie vertikale me Zotin pas një ligjëratë të Pastor Artur Krasniqit. Këtë poezi, disi nuk e kam shkruar, e kam ndjerë, ashtu siç ndjehet Perëndia. Konsultova një rreth të vogël miqsh e mikeshash të cilët me inkurajuan. Si të them, pas 35 vjet krijimtarie guxova të përballesha me krijuese të reja. Juria kishte vlerësuar siç kishte vlerësuar, po e përsëris, pa e ditur kush qëndron pas poezisë së përzgjedhur për vendin e parë. Më pas, njëra nga anëtaret e jurisë, teksa po më uronte mu drejtua: që të tre nuk kishim dilemë për çmim të parë, për të tjerat çmime kemi diskutuar më gjatë. Dhe ndjehesh mirë kur çmimi të vjen nga një juri, emra autorësh më të rinj se unë, dy prej të cilëve janë edhe përkthyes letrarë.

Kallxo.com: Vitet e fundit keni marrë pjesë në festivale të poezisë në Kosovë e jashtë, jeni prezentuar në antologji botërore, revista letrare po ashtu botërore, ndërsa nuk kemi lexuar libër të ri. Pse? Apo janë më të rëndësishme këto lëvizje për një krijuese?

Naime Beqiraj. Foto: Kallxo.com

Naime Beqiraj: Çështë e vërteta, vitet e fundit kam udhëtuar shumë, jam prezantuar në festivale kombëtare e botërore, në antologji e përkthime, por libër nuk kam botuar nëntë vjet. Ndoshta vitin tjetër. Jo që dua të paralajmëroj rikthim të bujshëm me botim autentik, por njeriu me moshën, me pjekurinë kërkon edhe të tjera kritere në botimet autoriale. Këto prezantimet janë të mirëseardhura dhe në të gjitha, po thuaj jam prezantuar me krijime të reja, jo ashtu të ricikluara prej një vendi në tjetrin. Krijuesi e respekton audiencën kur shfaq krijimtari të re. Të paktën, unë mendoj ashtu. Pastaj, as shkrimi i poezisë nuk është më siç është pretenduar: të mbyllesh në dhomë dhe të presësh muzën se kur të vjen dhe ashtu duke medituar të shkruash. Jo. Edhe dikur edhe sot, ka krijues që e shkruajnë poezinë, ka lexues që e lexojnë, e shijojnë dhe e jetojnë poezinë, ashtu siç ka edhe krijues që e lexojnë, e jetojnë dhe e krijojnë poezinë. Unë nuk jam e para, jam krijuese por edhe lexuese që e jetojnë dhe e krijojnë poezinë jo veç timen por edhe miqve e u rikthehem librave të mirë. Pra, poezia, kjo zonjushë nazike e artit nuk është kabinetike. Mundësia e komunikimit sot është më e shpërfaqur, ashtu siç është më e reduktuar për shkak të vizave edhe mundësia e udhëtimit të cilën e kishin shumë më të lirë brezat para nesh.

Kallxo.com: Flitet shumë për një përfaqësim të gruas shqiptare në fusha të ndryshme, çfarë mendoni rreth përfaqësimit të saj në letërsinë shqipe, përkatësisht kontributin e saj si shkrimtare?

Naime Beqiraj: Vazhdoj ta mbaj mendimin se poezia nuk ka gjini, nuk ka as proza, as drama, as piktura. Por kjo nuk do të thotë që nuk entuziazmohem kur lexoj poezi të vashave të reja. Edhe në brezat e mëhershëm, edhe në brezin tim kishte vasha që kishin shpërthyer bindshëm, por disi e lanë.

Kallxo.com: Çfarë mendoni rreth zhvillimeve të sotme të letërsisë shqipe, konkretisht poezisë?

Naime Beqiraj: Arti është vrapim maratonik, nuk e duron vyshkjen, ashtu siç nuk e duron as të krijuarit me zor. Ka edhe libra që dalin sa për të dalë. Ndoshta më shumë i kanë bërë shërbim të mirë letërsisë ato ose ata që e kanë lënë poezinë kur e kanë parë që nuk u ec se sa të botuarit pa pikë kriteri. Gjatë këtyre 25 viteve e tutje, pas heqjes së censurës dhe mundësisë së lirë të botimit, më shumë janë botuar libra sa për t’u botuar se sa libra të mirë. Ani çka, njerëzit janë sprovuar dhe tash veç janë në vëmendjen e lexuesve autorët elitarë ndërsa ata të Facebook-ut apo emrat e orëve letrare kot e kot sigurisht shkruajnë për qefin e vet, por lexuesi tashmë mund t’i identifikojë lehtë. Në anën tjetër, nuk mund të kuptoj disa emra autoritete letrare që vëjnë emra redaktorë ose recensentë në libra të dobët jo vetëm të femrave. Fatmirësisht të tillët janë pak.

Kallxo.com: Sa mbështetet dhe çmohet krijimtaria e poeteve tona nga institucionet qoftë shtetërore, kulturore, etj?

Naime Beqiraj: As që pres përkrahje, po të më përkrahnin si gjini do të ndjehesha e fyer. Në moshë të re e kam kaluar atë (ta quaj pubertet letrar) dhe nuk më bën përshtypje a më nderuan a më përkrahen zyrtarët e qytetit tim, të Ministrisë së Kulturës kur marr një çmim letrar ose prezantim ndërkombëtar. Nëse ata arrijnë t’i përkrahin amatorët e partive të tyre, mirë është puna. A e din kush emrin e Ministrit të Kulturës apo Drejtorit të Kulturës para 11 vitesh. E dinë veç nëse bëjnë kërkime në Google për ndonjë punë administrative ose gazetareske. Aq janë ata. As unë, as shoqet e mia krijuese, besoj nuk kërkojnë përkrahje në një mjedis ku përkrahesh si mediokër, si kuotë gjinore, racore, partiake… Në mos këta, vijnë të tjerët më të mençur, më të ditur, artdashës, fisnikë. Ata që e kuptojnë që arti, ndonëse punë individuale, është veprimtaria më elitare e një kombi.

Kallxo: A lexohet sot poezia?

Naime Beqiraj: Poezia e mirë lexohet, ndonëse është art që kërkon tjetër vëmendje leximi. Por është e vështirë të krijosh apo të bësh (në njëfarë mënyre karrierë letrare) në një gjuhë që flitet në masë më të voglën ndoshta në Evropë, pastaj është çështje se si menaxhohesh për t’u publikuar jashtë. Nuk kam lexuar që një libër poezie në Kosovë ose në Shqipëri, ose në të dyjat bashkë, të shitet në mbi 1000 ekzemplarë. Madje as aq. Poezia, as në Paris nuk shitet as lexohet shumë. Ta zëmë, në Zagreb, qytet me traditë arsimimi e letërsie, me popullsi mbi 800,000 banorë, në një aktivitet letrar merrnim pjesë 20 krijues botërorë, ndërsa ishin e shumta 100 spektatorë. Megjithatë, poezia mbetet arti më fisnik, art i shpirtërave të përzgjedhur, i shijehollëve. Ajo nuk i duron skribobanët, apo turmën. Unë trembem po të lexoj një poezi lirike para 300 vetëve siç ndodh në tubimet tona të masave si ne aksionet punuese të kohës komuniste. Gjithnjë e më finesë po zgjedh ku të lexoj. Nuk kanë faj njerëzit; disi ua kemi bjerrë shijen me poezi të dobëta patriotike të të njëjtit nivel si muzika tallava. Edhe letërsia, brenda kopertinës është letërsi artistike dhe letërsi tallava.

Kallxo.com: Jeni ndër poetet tona më të përkthyera në gjuhë të huaja, pse poetet tona, janë pak të përkthyera në gjuhë të huaja?

Naime Beqiraj: As burrat nuk janë aq të përkthyer. Ose, ose na rastis të lexojmë që u përkthye e u botua në akëcilin vend poezia e këtij apo atij. Hierarkia e vlerave letrare nuk është që nuk dihet, e dijnë edhe autorët, por e dinë edhe lexuesit. Që të përkthehesh në gjuhë të huaj, është dëshirë e secili autor e kjo sjell vëmendje jo vetëm mediale te ta, por natyrisht edhe për kolegët, lexuesit, letërsinë. Por edhe që përkthehet letërsi e dobët, edhe kjo duhet të thuhet. Madje kur këtë fjalën ‘ambasador’ i artit aq e kemi degraduar sa nuk di ç’të them. Përkrahje apo mbështetje shtetërore nuk ka, ndaj nuk mund ta quajë askush vetën përfaqësues artistik të shtetit. Ambasadorë të Kosovës në arenën ndërkombëtare janë xhudistët e Pejës, miqtë e mi të dashur, të mëhallës ku jam rritur në Pejë: Majlinda, Nora, Akili, Distria e trajneri i tyre Toni. Nganjëherë në të përkthyer jemi të përzgjedhur, por jo rrallë kjo është punë shkathtësie. Mua më kanë përkthyer edhe miqtë, por edhe jam përzgjedhur. Në këtë aspekt nuk mund të lë pa përmendur edhe kolegët autorë që kanë qenë më të përkthyer, kanë pasur lidhje me botues e qarqe kulturore në botë dhe nuk kanë bërë vetëm për vete por edhe për krijuesit e tjerë. Jam mirënjohëse për Ali Aliun, Fahredin Shehun, Mazllum Sanejën, Shaip Emërllahun, Mimoza Hasani Pllana, Olimbi Velajn e të tjerë të cilët më kanë përzgjedhur/ rekomanduar jashtë Kosovës. Përndryshe, pa menaxherë letrarë do të ishte e vështirë. Po përmendi këtu edhe disa krijues të brezit më të ri në fushën e prozës që po arrijnë të editohen me vepra të plota jashtë Kosovës. Ata janë edhe të talentuar e vepra e mirë e gjen rrugën vet, megjithëse problemi i vizave, e ka goditur më së shumti botën e artit.

Kallxo.com: Pikërisht këtë pyetje desha t’u drejtoj, qarkullimin e lirë të artit…

Naime Beqiraj. Foto: Kallxo.com

Naime Beqiraj: Kjo problematikë shtron edhe diskutimin se në çfarë kominiteti artistik prezantohesh, ne cilat revista letrare, manifestime, festivale. Gazetat mbushen plot lajme, u përkthye ai, u përkthy ky. Po, por të botosh libra me paratë e tua nuk është prezantim dinjitoz. Jemi përkthyer e botuar në gjuhë angleze e gjuhë të tjera por jo në ato përmasa apo shtëpi botuese ku është botuar Kadare apo poezitë e Luljeta Lleshanakut. Ne mund t’i bëjmë qef vetës, por në stilin ‘unë ty – ti mua’ ne vetëm mund ta kënaqim sedrën tonë. Menaxherët letrarë ende nuk ekzistojnë si të tillë, shtëpitë botuese mezi mbahen. Në këtë realitet ku më lehtë e shkruan një libër se sa e merr një vizë, po na ngelet vetëm të gëzohemi që arrijmë ta lexojmë njëri tjetrin. Pastaj, të qenët i shkathtë, ia merr autorit energjinë. Artistët e vërtetë janë krenarë, nuk janë aq të zotit të bëjnë autokomplimente për vetveten tek shtëpitë e huaja botuese.

Kallxo.com: Folëm për fenomenet letrare. Në fund një pyetje: çfarë e frymëzon poeten Naime Beqiraj?

Naime Beqiraj: Poezia nuk është veprimtari që mund të planifikohet; ja po e marr taxin dhe po shkoj në një lokal ose në shtëpi e po shkruaj poezi. Tash mund të shkruash edhe në telefon celular, ose në notes ku mbaj pyetjet apo detyrat për studentët. Akti i shkrimit të poezisë nuk planifikohet. Jetohet. Unë i jetoj paralelisht Zotin dhe dashurinë. Prandaj thënia postulat: Perëndia është dashuri jeton e mbretëron më shumë se 2000 vjet.

08 Nëntor 2018 - 17:20

08/11/2018 - 17:20
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend