Mytaher Haskuka zbaton kontratën e kundërligjshme të Ramadan Mujës

Një tender maratonik për shenjëzimin horizontal të rrugëve në Prizren përveç se zvarriti ‘civilizimin’ e trafikut të këtij qyteti, u përmbyll me shkelje ligjore dhe mosrespektim të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Komuna e Prizrenit shpalli dy herë tenderin për kryerjen e shërbimeve për shenjëzimin horizontal të rrugëve, i cili tender i’u nënshtrua procedurave të ankesave 5 herë, e sot ekziston një kontratë e nënshkruar në mes të komunës dhe operatorit ekonomik ‘Sinjalizimi’ Shpk nga Suhareka & ‘ZMAS’ DOO nga Dobova e Sllovenisë.

Kontrata që peshon 358 mijë euro ishte nënshkruar në muajin korrik të vitit 2017, gjatë kohës kur kryetar i Komunës së Prizrenit ishte Ramadan Muja. OSHP-ja kishte vendosur për ta shfuqizuar këtë kontratë, pasi sipas tyre nënshkrimi i kontratës me këtë operator është bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Por, kryetari aktual i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka vendosur ta zbatojë këtë kontratë.

Haskuka, ka thënë se është i detyruar të zbatojë kontratën për shkak të interesit publik për mos zgjatje të procedurave për shërbimin e blerë dhe pasi sipas tij një kontest eventual gjyqësor për këtë çështje do ta bënte humbëse Komunën e Prizrenit.

Ndërsa punët e parapara me kontratën e nënshkruar kanë filluar të kryhen në rrugët e Prizren ka filluar të bëhet nga kompania ‘Sinjalizimi’ & ‘ZMAS’.

Kronologjia e shkeljeve

Tenderi ‘Shenjëzimi horizontal e vertikal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit’, me numër të prokurimit 622/16/086/511, është iniciuar nga Komuna e Prizrenit, me 17 gusht të vitit 2016 dhe ishte ndarë në tri llote.

Lloti i dytë ishte problematik, pasi deri te nënshkrimi i kontratës janë bërë disa shkelje ligjore në disa faza të prokurimit.

Në llotin e dytë është paraparë shenjëzimi horizontal me një buxhet të planifikuar prej 490 mijë euro. 6 Në këtë llot janë paraparë 16 pozicione të ngjyrave për asfalt.

Në këtë proces të prokurimit janë bërë disa shkelje ligjore nëpër disa periudha kohore, e të cilat për t’u kuptuar duhet shpjegohen vetëm në mënyrë kronologjike.

Komuna e Prizrenit shpalli dy herë tenderin për kryerjen e shërbimeve për shenjëzimin horizontal të rrugëve, i cili tender iu nënshtrua procedurave të ankesave 5 herë, e sot ekziston një kontratë e nënshkruar në mes të komunës dhe operatorit ekonomik ‘Sinjalizimi’, SHPK nga Suhareka & ‘ZMAS’ DOO nga Dobova e Sllovenisë, e cila nuk është shfuqizuar pavarësisht vendimit të OSHP-së për këtë çështje.

Kontrata ishte nënshkruar në muajin korrik të vitit 2017, gjatë kohës kur kryetar i Komunës së Prizrenit ishte Ramadan Muja. Por, është kryetari aktual i Prizrenit, Mytaher Haskuka i cili ka vendosur ta zbatojë këtë kontratë.

Haskuka, ka thënë se është i detyruar të zbatojë kontratën për shkak të interesit publik për mos-zgjatje të procedurave për shërbimin e blerë dhe pasi, sipas tij, një kontest eventual gjyqësor për këtë çështje do ta bënte humbëse Komunën e Prizrenit.

Sipas OSHP-së, nënshkrimi i kontratës me këtë operator është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Shenjëzimi dhe emërtimi i rrugëve në Prizren ka filluar të bëhet nga konzorcium ‘Sinjalizimi’ & ‘ZMAS’.

Më 17 gusht të vitit 2016, Komuna e Prizrenit kishte shpallur njoftim për kontratë për ‘Shenjëzimin horizontal e vertikal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit’, me numër të prokurimit 622/16/086/511.

Tenderi ishte ndarë në tri llote/pjesë. Fillimisht, komuna e Prizrenit e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “Limit L&B Company” në dy llote: llot II- 302 mijë e 140 euro dhe në llot III- 80 mijë e 956 euro. Në llotin e dytë kishte telashe dhe janë bërë disa shkelje ligjore. Më 9 nëntor 2016, Komuna e Prizrenit e kishte anuluar dhënien e kontratës duke u thirrur në nenin 108.A të Ligjit të Prokurimit, pra pas kërkesës për rishqyrtim.

Pas këtij anulimi, kompania“Limit L&B Company” ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim në Komunën e Prizrenit. Udhëheqësi i Prokurimit, Isa Osmankaj, me datën 16.11.2016, kishte marrë vendim për t’ia hedhur poshtë ankesën kompanisë “Limit L&B Company” dhe për të vërtetuar vendimin e Komunës së Prizrenit.

Siç kërkohet me ligj, pas refuzimit të ankesës nga AK, operatori ekonomik ankues ishte ankuar në OSHP. OE “Limit L & B Company”, me datën 29.11.2016 ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. OSHP-ja ishte vonuar për të marrë një vendim pas ankesës së kompanisë “Limit L&B Company”.

OE ankues i kishte shkruar OSHP-së me 30 janar 2017 për të kërkuar përshpejtimin e vendimitpër ankesën e dorëzuar dy muaj më herët (29.11.2016).

Një ditë pas kësaj shkrese, me datën 31.01.2017, OSHP-ja e kishte publikuar vendimin i cili thuhet se është marrë me datën 17.01.2017, apo dy javë para se të publikohej. Kompania “Limit L&B Company”e kishte bërë ankesën në OSHP ende pa u rekomanduar asnjë kompani për kontratë.

Përkundër kësaj, Paneli Shqyrtues i OSHP-së (Nr: 435/16) e kishte aprovuar pjesërisht ankesën e kompanisë “Limit L&B Company”, mirëpo kishte vendosur që të linte në fuqi “njoftimin për dhënie të Kontratës”.

Në këtë vendim, OSHP-ja kishte konstatuar se kompania “Limit L & B Company” nuk ishte e përgjegjshme.

Pas këtij vendimi, Kompania “Limit L&B Company” i ka shkruar email OSHP-së duke kërkuar korrigjimin e vendimit: data e njoftimit për dhënie ka qenë gabim, si dhe nuk kishte “njoftim për dhënie të kontratës”, pasi ankesaishte bërë pas eliminimit të kompanisë “Limit L & B Company”.

Në të njëjtën kohë, Komuna e Prizrenit e kishte përgatitur ‘njoftimin për dhënie të kontratës’ me datën 3 shkurt 2017 dhe i njëjti është publikuar me datën 6 shkurt 2017.

Komuna e kishte rekomanduar për kontratë konzorciumin “Sinjalizimi & ZMAS” me një çmim prej 358 mijë e 39 euro për tenderin “Shenjëzimin vertikal dhe horizontal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit- Lot 2”.

Pas këtij vendimi, operatori ankues “Limit L&B Company” kishte kërkuar qasje në dokumente dhe më pas ishte ankuar në shkallën e parë në komunë duke pretenduar se konzorciumi i rekomanduar për kontratë (Sinjalizimi & ZMAS) ishin të papërgjegjshëm. Pas përgjigjes negative, kompania ankuese “Limit L & B Company” sërish është ankuar në OSHP.

Kësaj radhe përveç pretendimeve të mëhershme se ajo është e përgjegjshme dhe se ishte eliminuar padrejtësisht nga gara, kishte edhe pretendimet për operatorin e rekomanduar për kontratë – që u është dhënë kontrata në mënyrë të kundërligjshme.

Vendimi i dytë i OSHP-së

OSHP-ja e ka marrë vendimin e dytë për të njëjtin proces të prokurimit. Është aprovuar pjesërisht e bazuar ankesa e kompanisë “Limit L & B Company”, ndërsa është shfuqizuar vendimin i Panelit Shqyrtues (nr 435/16).

Njëkohësisht është anuluar vendimi i Komunës së Prizrenit për dhënie të kontratës, ndërsa lënda është kthyer në ri-tenderim. Paneli Shqyrtues kishte konstatuar se vendimin e mbështet në një fakt që nuk ka qenë i njohur për panelin me rastin e vendimmarrjes në vendimin paraprak, si arsyetim që nuk ka qenë çështje e gjykuar. Fakti që është njohur rishtazi nga paneli ishte gjatësia dhe gjerësia e tabelave.

Pra, arsyeja kryesore ku e ka bazuar vendimin OSHP-ja ka qenë kërkesa në Dosjen të Tenderit që gjerësia e tabelave sinjalizuese të jetë 25 centimetra, ndërsa OE i rekomanduar për kontratë ka ofertuar me gjerësi prej 24.9 cm.

Pas këtij vendimi, Komuna e Prizrenit ka dërguar një parashtresë me shkrim në OSHP, me datën 8 maj 2017, duke kërkuar korrigjimin e vendimi të Panelit Shqyrtues (51/17) me arsyetimin se për këtë aktivitet të prokurimit, përveç dy operatorëve ekonomikë të papërgjegjshëm.

(Sinjalizimi & ZMAS dhe Limit L&B Company), kishte në garë edhe operatorë të tjerë.

“Lënda duhet të kthehet në ri-vlerësim e jo në ri-tenderim, sepse ka operator të tjerë pjesëmarrës për llot”, thuhet në konkluzën e OSHP-së, në të cilën citohet kërkesa e Komunës së Prizrenit.

Paneli Shqyrtues i OSHP-së, bazuar në nenin 96 të Ligjit të Prokurimit, e ka përmirësuar vendimin e vet, duke e kthyer lëndë në rivlerësim. Ky vendim për korrigjim i OSHP-së është marrë me datën 5 qershor, ndërsa është publikuar/protokolluar me datën 8 qershor.

Komuna e Prizrenit e kishte bërë edhe njëherë rivlerësimin e ofertave. Por, edhe pas rivlerësimit e kishte rekomanduar për kontratë sërish konzorciumin “Sinjalizimi & ZMAS”.

‘Njoftimi për dhënie të kontratës’ është publikuar me datën 19 qershor. Ky rekomandim ishte në kundërshtim me vendimin e OSHP-së, i cili kishte konstatuar se konzorciumi në fjalë (Sinjalizimi & ZMAS) ishte i papërgjegjshëm, por edhe në kundërshtim me vet kërkesën e kësaj komune për të ndryshuar vendimin e OSHP-së me arsyetimin se OE të tjerë janë në garë. Pas këtij vendimi të Komunës së Prizrenit, kompania “Limit L&B Company” ka dorëzuar kërkesën për rishqyrtim në Komunën e Prizrenit bazuar në nenin 108/A të Ligjit të Prokurimit Publik.

Paraprakisht, Liman Asllani nga kompania “Limit L&B Company” i shkruan një letër shefit të zyrës së prokurimit në Prizren, me të cilën e njofton se bazuar në ecurinë e këtij procesi të prokurimit dhe vendimeve të OSHP-së, Komuna e Prizrenit duhet ta fusë në rivlerësim edhe ofertën e kësaj kompanie.

Në kërkesën për rishqyrtim është përmendur edhe një takim mes Asllanit dhe kreut të prokurimit në këtë komunë, Osmankaj. Kërkesa për rishqyrtim është bërë me datën 23.06.2017. Por, kjo kompani nuk kishte marrë fare përgjigje nga Komuna e Prizrenit, siç kërkohet me Ligj.

“Me datën 23.06.2017 parashtruam ‘kërkesë për rishqyrtim’, por nuk morëm asnjë përgjigje nga autoriteti kontraktues. Me datën 29.06.2017 ishim në zyrat e OSHP-së për parashtrim të ankesës, por aty na u tha të presim edhe të premten se mos po përgjigjet Komuna e Prizrenit në kërkesën për rishqyrtim, pasi kanë në dispozicion 3+3 ditë”, thuhet në ankesën e bërë në OSHP nga ana e kompanisë “Limit L&B Company”.

Udhëheqësi i prokurimit Osmankaj, në një prej seancave të OSHP-së, ishte arsyetuar për këtë moskthim të përgjigjes.

Pritja i kishte kushtuar kompanisë “Limit L&B Company”. Në ditën që kompania “Limit L&B Company” kishte dorëzuar ankesën në OSHP, sipas rekomandimit të OSHP-së, Komuna e Prizrenit e kishte nënshkruar kontratën me në vlerë 358 mijë euro.

Nënshkrimi i kontratës ishte bërë përkundër që OE “Limit L&B Company”kishte bërë kërkesë për rishqyrtim, dhe në bazë të ligjit procesi i prokurimit është dashur të pezullohej.

Vendimi i Tretë i OSHP-së 

Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte gjetur disa shkelje ligjore në veprimin e Komunës së Prizrenit. Shkelja kryesore ishte nënshkrimi i kontratës, për të cilën OSHP-ja ka kërkuar që të shfuqizohet. “Shfuqizohet kontrata e lidhur ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe OE “Sinjalizimi & ZMAS” lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: “Shenjëzimi vertikal dhe horizontal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit – Lot 2”, me numër të prokurimit 622/16/- 86/511”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Osmankaj kishte deklaruar se “kemi nënshkruar kontratë me OE të rekomanduar, mirëpo nuk ka realizim të kontratës për shkak të pezullimit të aktivitetit, që e kemi pranuar po atë ditë që kemi nënshkruar kontratën”.

Ai është arsyetuar edhe për mos-shqyrtim të ankesës (kërkesës për rishqyrtim) të bërë nga OE ankues “Limit L&B Company”. “Sipas nenit 111 lidhur me nenin 4 të LPP-së, OSHP nuk është dashtë fare të pranojë ankesën e OE ankues për arsye se ky OE ka qenë palë pa interes për lëndën që po zhvillojmë…

Nga ky fakt dhe duke u nisur nga disa rrethana tjera si ligji për procedurë administrative që rregullon çështjen e efikasitetit dhe ekonomicitetit të procedurave dhe duke deshtë t’i kursejë palët qoftë nga shpenzimet materiale, qoftë për zgjatjen e vlefshmërisë së dosjeve, këtyre dy OE “Limit L&B Company”dhe “Malësia” nuk i kam bërë kërkesë për të zgjat vlefshmërinë e ofertave ngase me dy vendime të OSHP-së dhe tri vendime të AK, këto dy palë janë të papërgjegjshme”.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka konstatuar se mos-vlerësimi i ofertave të OE “Limit L&B Company”gjatë rivlerësimit ishte shkelje, njëjtë siç ishte edhe fakti që nuk është përgjigjur në kërkesën për rishqyrtim të OE ankues “Limit L&B Company”.

“Paneli shqyrtues sqaron se me vendimin e mëparshëm qartë është deklaruar se edhe OE ankues “Limit L&B Company” dhe OE i rekomanduar për kontratë “Sinjalizimi & ZMAS” janë të papërgjegjshëm”8 . Në këtë vendim, OSHP-ja i kishte shqiptuar gjobë prej 5,000 euro autoritetit kontraktues dhe e kishte kërcënuar me tërheqje të licencës shefin e prokurimit. Pas këtij vendimi, të OSHP-së, Komuna e Prizrenit e kishte anuluar vetëm njoftimin për dhënie të kontratës, ndërkohë ajo nuk e kishte anuluar/shfuqizuar edhe kontratën e nënshkruar për të njëjtin tender.

Pas anulimit, komuna e Prizrenit i kishte rivlerësuar edhe njëherë ofertat, sikur të mos ishte nënshkruar fare kontrata. Edhe pas rivlerësimit, serish e kishte rekomanduar për kontratë konzorciumin “Sinjalizimi & ZMAS “, në kundërshtim me vendimin e OSHP-së, e cila kishte konstatuar se i njëjti OE ishte i papërgjegjshëm. Komuna e Prizrenit i ka publikuar edhe tri njoftime të reja për dhënie të kontratës, përkundër asaj se për të njëjtën çështje tashmë e kishte një kontratë të nënshkruar. Por, Komuna e Prizrenit çdoherë e rekomandonte për kontratë konzorciumin ‘Sinjalizimi & ZMAS” me të cilën tashmë kishte kontratë të lidhur.

Më 10 gusht është publikuar “njoftimi për dhënie të kontratës” në të cilin është rekomanduar për kontratë konzorciumi i njëjtë, “Sinjalizimi & ZMAS”. Pas këtij vendimi të Komunës së Prizrenit, kompania “Limit L&B Company”sërish është ankuar në OSHP.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim për ankesën e kompanisë “Limit L&B Company”, duke kërkuar edhe njëherë nga Komuna e Prizrenit që ta anulojë vendimin për dhënie të kontratës dhe të kthehet në rivlerësim ky proces i prokurimit. Bazuar në vendimin e OSHP-së, Komuna e Prizrenit e kishte anuluar dhënien e kontratës dhe i kishte rivlerësuar edhe njëherë ofertat. Komuna e Prizrenit i kishte rivlerësuar edhe njëherë ofertat, por vendimin nuk e kishte ndërruar, pasi e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë e njëjtë në rivlerësimin e bërë. Njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar me datën 10 tetor 2017.

Kompania ankuese “Limit L&B Company” është ankuar sërish në Gjykatën e Tenderëve, duke pretenduar se Komuna e Prizrenit e ka shkelur ligjin e Prokurimit, duke e obliguar OSHP-në për të shqyrtuar për herë të pestë këtë tender.

Organi Shqyrtues i Prokurimit sërish ka vendosur që Komuna e Prizrenit ka bërë shkelje ligjore. Kësaj radhe, OSHP-ja ka kërkuar që të ritenderohet procesi i prokurimit, pasi nuk ka asnjë operator të përgjegjshëm. Pas këtij vendimi, Komuna e Prizrenit e ka publikuar njoftimin për anulim të procesit të prokurimit, me datën 5 dhjetor 2017.

Shefi i Zyrës së Prokurimit, Isa Osmankaj thotë se nuk ka nevojë Komuna e Prizrenit të marrë vendim për shfuqizimin e një kontrate të nënshkruar, nëse të njëjtën e shfuqizon OSHP-ja. “Më 04. 08. 2018 kemi marrë vendimin nga OSHP me të cilin shfuqizohet kontrata e nënshkruar dhe lënda kthehet në rivlerësim.

Me 08.08.2018 Komuna e Prizrenit ka bërë rivlerësimin e këtij tenderi dhe prapë është shpallë fitues I njëjti OE. (I cili ka qenë nënshkrues I kontratës tashmë të shfuqizuar nga OSHP).”

Kjo zyrë arsyetohet se i ka vazhduar procedurat e prokurimit, duke e anuluar në tersi këtë proces të prokurimit duke e publikuar në KRPP njoftimin për anulim të dhënies së kontratës me datën 05. 12. 2017 ka publikuar dhe dërgon lëndën në Ritenderim. Në mesin e procedurave të këtij tenderi, Prizrenit i ra të përballet edhe me zgjedhje lokale që rezultoi me ndërrim pushtetesh. Në fund të vitit 2017, në krye të Prizrenit erdhi Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje si pasues i Ramadan Mujës të Partisë Demokratike të Kosovës.

Përkundër faktit që zyra e prokurimit pretendon se kontrata e nënshkruar ishte e shfuqizuar, kryetari i ri i Komunës së Prizrenit kishte vendosur që të nisë zbatimin e saj, me arsyetimin këtë vendim e ka marrë pas një analize që është bërë nga një komision i formuar nga ai. Një nga arsyet që të vazhdohet zbatimi i saj ishte “vlerësimi i bërë se Komuna mund ta humbë rastin në Gjykatë”.

Fillimi i zbatimit të kontratës ishte i befasishëm për operatorin ekonomik ankues, pasi i njëjti ka dokumente dhe shkresa të komunës së Prizrenit, të cilat thonë se do të ketë një proces të ri të prokurimit.

“Ne kemi qenë duke u bërëgati për një tender të ri kur e kemi kuptuar se operatori i shpallur i papërgjegjshëm është duke punuar bazuar në një kontratë të kundërligjshme” .

BIRN Kosova ka gjetur se ka mospajtime në mes të zyrës së prokurimit dhe zyrës së kryetarit të Komunës së Prizrenit. Këto mospajtime burojnë edhe nga tendenca për t’ia hedhur fajin njëra-tjetrës. Kryetari, Mytaher Haskuka konstaton se në fakt shkelje është bërë me rastin e nënshkrimit që është bërë nga zyra e prokurimit dhe ish-kryetari Ramadan Muja. Në anën tjetër, në zyrën e prokurimit thonë se kontrata është shfuqizuar nga OSHP-ja dhe është dashur të ketë tender të ri.

“Si zyre e prokurimit i kam njoftu dhe i kemi thënë nëse doni me i ba këto punë duhet me ba kërkesë e tjera dhe unë e shpalli tenderin. Nëse nuk mi sjellni unë s’kam çka me ba.”

BIRN Kosova ka provuar të kontaktojë edhe përfaqësues të kompanisë ‘Sinjalizimi & ZMAS’ që figuron se ka pronar Musli Llugaxhiun, mirëpo të njëjtit nuk kanë pasur numra validë të telefonit apo mënyrë tjetër identifikimi.