Mungesa e vuajtur e gjykimit në mungesë

Njëra nga ndryshimet rrënjësore dhe më të domosdoshme të Kodit aktual të Procedurës Penale të Kosovës do të jetë  mundësia e akuzimit dhe gjykimit të personave të cilët janë të pakapshëm për organet e ndjekjes.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës i vitit 2013 dhe pararendësi i këtij Kodi nuk kishin ofruar zgjidhje për rastet kur personat e dyshuar apo të akuzuar nuk mund të silleshin para drejtësisë, dhe si pasojë shumë gjykime u veçuan në procedurë duke u zvarritur në pafundësi, shumë të tjera u pezulluan sepse të akuzuarit ishin të paqasshëm, disa të tjera mbase edhe u parashkruan e pasoja më e rëndë u ndie te rastet e krimeve të luftës ku aktakuzat nuk mund të ngriheshin dhe gjykimet nuk mund të mbaheshin për shkak të mungesës së të hetuarve/akuzuarve.

Jo pak dosje të krimeve të pretenduara kanë mbetur në sirtarët e prokurorive dhe gjykatave të Kosovës me arsyen e vetme – pamundësinë e gjykimit të personave të pakapshëm për drejtësinë në mungesë të tyre.

Padyshim se kjo mungesë, më së shumti është ndier në hetimin dhe ndjekjen e kryerësve të pretenduar të krimeve të luftës, plagë kjo e rëndë në shoqërinë kosovare, për shkak se të dyshuarit për kryerjen e këtyre krimeve nuk jetojnë në Kosovë, e po ashtu edhe bashkëpunimi për vënien para drejtësisë të të dyshuarve, nga autoritetet e shteteve fqinje, sidomos të Serbisë ka qenë pothuajse inekzistent.

Pothuajse i pa përfillshëm në këtë drejtim ka qenë edhe impakti i fletërreshtimeve ndërkombëtare të lëshuara nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për të dyshuarit e krimeve të luftës.

E gjithë kjo gjendje vetëm sa vjen e përkeqësohet duke ditur se dëshmitarët e mbijetuar të këtyre krimeve po plaken e kujtesa e tyre sigurisht se nuk po freskohet, të dyshuarit për kryerjen e krimeve po vazhdojnë të mbesin të lirë, e familjet që humbën më të dashurit e tyre po vazhdojnë të presin drejtësi për humbjen e më të afërmeve të tyre.

Krejt kësaj situate pritet t’i japë fund Kodi i Ri i Procedurës Penale të Kosovës i cili është në procedurën e draftimit dhe aktualisht është përpiluar drafti final dhe pret miratimin në Qeverisë e Kosovës para se të nisë rrugëtimin në Kuvendin e Kosovës.

Kësisoj, ndër shumë ndryshime që pritet të sjellë ky Kod me të cilat synohet ngritja e efikasitetit të drejtësisë, ndryshim esencial do të jetë edhe mundësia e ngritjes së aktakuzave dhe gjykimi i personave që janë të pakapshëm, pra që mungojnë.

Neni 149 i Draft Kodit të ri  të Procedurës Penale të Kosovës, që parasheh marrjen në pyetje të personave para ngritjes së aktakuzës parasheh se tani aktakuzat do të mund të ngriten edhe pa marrjen në pyetje të personave të dyshuar.

Përveç rasteve të parapara në nenin 306 të këtij Kodi, i pandehuri duhet të merret në pyetje para ngritjes së aktakuzës”, përcaktohet në pjesën e parë të nenit 149.

Pikërisht ky përjashtim që ka vendosur ky nen të jetë çelësi që hap derën e ngritjes së aktakuzave në rastet që i ka paraparë nenin 306 i Kodit të Procedurës Penale.

E pikërisht neni 306, është neni që rregullon çështjen e munguar, gjykimin në mungesë.

Gashtë paragrafët e parë të këtij neni rregullojnë rastet kur mund të mbahet gjykimi në mungesë të akuzuarit në rastet kur ata kanë qenë në shqyrtim fillestar dhe shqyrtim kryesor dhe kushtet që duhet të përmbushen që të mund të mbahet shqyrtimi gjyqësor edhe pa mungesën e tyre, paragrafi 7 i këtij neni përcakton edhe një përjashtim tjetër.

“Në rastet kur gjykata ka dëshmi të mjaftueshme se është bërë përpjekje e arsyeshme për ta njoftuar të akuzuarin për shqyrtimin gjyqësor dhe për ta siguruar prezencën e të akuzuarit, gjykimi në mungesë mund të mbahet edhe pa u plotësuar kriteret e parapara në këtë Nen për prezencën e të akuzuarit vetëm në rastet e veprave penale të parashikuara sipas Nenit 104 të Kodit Penal”, përcaktohet në paragrafin 7 të këtij neni.

Neni 104 i Kodit Penal të Kosovës i cili është miratuar në shqyrtim të dytë në Kuvendin e Kosovës dhe ende nuk është publikuar versioni përfundimtar, i referohet veprave penale të gjenocidit, krimeve të luftës, ose veprave tjera penale që nuk parashkruhen.

Mundësinë e gjykimit në mungesë e mirëpresin edhe ekspertët e çështjeve juridike.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani e mbështet këtë ndryshim duke e konsideruar një rikthim gjykimin e personave në mungesë.

“Deri në vitin 2004 edhe në Ligjet që aplikoheshin në Kosovës lejohej gjykimi në mungesë nëse përmbusheshin kushtet e caktuar (i pandehuri ndodhej në ikje dhe ekzistonin rrethana veçanërisht  të arsyeshme që ai të gjykohet në mungesë”, tha Hasani për KALLXO.com.

Hasani, po ashtu vlerëson se me miratimin e këtij ndryshimi do të sjellë mundësia për të gjykuar në mungesë.

“Gjykimi në mungesë mund të ketë efektet pozitive për opinionin, për faktin se opinioni, të dëmtuarit, do binden se funksionon shteti ligjor dhe ata të cilët kanë kryer krime të luftës, do t’i nënshtrohen një procedure për vërtetimin e fajësisë së tyre, mirëpo konsideroj se efektet juridike do ketë fare pak , ngase ata do jenë të pa qasshëm organeve të Republikës së Kosovës( shumica e të dyshuarve që mund të jenë  subjektet i procedurave penale janë në Serbi ), ndoshta ato aktgjykime do ngelin vetëm letër e pazbatueshme , eventualisht mund të ketë pasoja juridike për personat që do shpallen fajtorë , nëse ndërkohë ne anëtarësohemi në institucionet e sigurisë evropiane dhe ndërkombëtare (Europol, Interpol), do vështirësohej lëvizja e lirë e tyre, mirëpo pak është e besueshme që ata do e mbajnë dënimin eventual të shqiptuar”, tha Hasani për KALLXO.com.

Drafti i Kodit të ri të Procedurës Penale të Kosovës ka paraparë po ashtu që të gjithë personat e gjykuar në mungesë në raste të krimeve të luftës do të kenë të drejtën në rigjykim apo rishikim të procedurës penale.

Çështjen e mungesës së mundësisë për të ngritur aktakuzë fillimisht dhe pastaj edhe për të gjykuar të personat e dyshuar për krime të luftës e ka renditur si një nga pengesat kryesore edhe prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari.

Prokurorja Hajdari, gjatë një intervistë në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ ka vlerësuar se ndryshimet ligjore patjetër duhet të mundësojnë edhe gjykimin në mungesë të dyshuarve për krime të luftës.

Krahas ndryshimeve që parashihen në Kodin e ri të Procedurës Penale në Kuvendin e Kosovës po ashtu është një iniciativë që pretendon ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale, saktësisht sa i përket mundësisë së gjykimit në mungesë.

Kjo iniciativë, ka kaluar në parim dhe janë formuar grupet punuese në Kuvendin e Kosovës.

BIRN dhe Internews Kosova kanë qenë pjesë e grupeve punuese në lidhje me hartimin e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës dhe në vazhdimësi e ka përkrahur këtë ndryshim, si një nga çështjet më të domosdoshme për t’u ndryshuar me qëllim të mudësimit të vënies para drejtësisë kryesve të dyshuar për krime të luftës.