Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

A Mund të Ketë Institucione në Kosovë pa PDK-në?

Kushdo që ndjek zgjedhjet në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me shumë gjasa ka hasur në një togfjalësh: ‘kriza institucionale’. Nuk është ndryshe me zgjedhjet e fundit në Kosovë, të cilat nuk kanë prodhuar një parlament apo qeveri plotësisht të vendosur që nga qershori.

Me Kuvendin që nuk mund të votojë për një qeveri, pasi nuk mund të zgjedhë një drejtues pa Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, duke qenë kështu, kemi një ‘krizë institucionale’. Por pyetja që kërkon përgjigje është – si arritëm këtu?

Përgjigjja mund të gjendet nga përpjekjet e shumëfishta për ‘de-PDK-izimin’ e shtetit, qoftë përmes përpjekjeve të ndryshme të dobëta, por kuptimplotë, të shoqërisë civile, ose përmes disa manovrave të partive politike të opozitës. Në të gjitha përpjekjet e tilla, dhe sidomos të dështimeve të tyre, një gjë gjithmonë ka qenë e qartë: shkalla në të cilën shteti u PDK-izua. Kur them shtet, nuk po i referohem një nocioni abstrakt të shtetit, por institucioneve të tij, siç është presidenca, qeveria, burokracia e parlamentit, ndërmarrjet publike, të gjitha mediat publike dhe shumica e mediave private, gjykatat, zyrat e prokurorisë, madje edhe institucionet si universitetet publike dhe Gjykata Kushtetuese.

Një shembull i qartë i kësaj është Gjykata Kushtetuese, kujdestari dhe përkthyesi më i lartë i Kushtetutës. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014, partitë politike të opozitës, Vetëvendosja, VV, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK dhe NISMA i bashkuan forcat dhe krijuan të ashtuquajturin, blloku VLAN. Përpjekjet e para serioze politike për ‘de-PDK-izimin’ e shtetit. Së bashku, blloku “VLAN” përfaqësonte një shumicë të konsiderueshme në parlament dhe partitë ishin vendosur të krijonin një qeveri konsensuale që do të rrëzonte PDK-në. “Blloku VLAN” ranë dakord të ndajnë zyrat publike: njëra nga palët do të emëronte kryetarin e Kuvendit, tjetri do të emëronte kryeministrin, një parti tjetër do të propozonte presidentin dhe kështu me radhë.

Si antidot i PDK-së, ‘blloku VLAN’ u bë një sfidë serioze për shtetin e PDK-së, dhe kjo është arsyeja pse ajo duhej të shkatërrohej. Fronti i përbashkët u përplas përfundimisht me vendimin arbitrar të Gjykatës Kushtetuese që i dha kryetarin e Kuvendit PDK-së, të fshehur në një interpretim legal që propozimi i VLAN-it për kryetarin e Kuvendit ishte “antikushtetues […] pasi që nuk ishte grupi më i madh parlamentar [PDK] që e propozoi kryetarin e Kuvendit dhe prandaj është i pavlefshëm”.

Mjafton të thuhet se Gjykata Kushtetuese (në heshtje e mbështetur nga shumë qarqe ndërkombëtare që veprojnë brenda dhe jashtë vendit) mund t’i kenë shërbyer PDK-së mirë në atë kohë, por pak mendim u vendos në atë precedent ligjor që do të krijonte një vendim i tillë.

Ndërsa mund të argumentohet se është tërësisht demokratike për partinë politike që del e para në zgjedhje (por vini re: nuk fiton zgjedhjet) për të qenë i vetmi aktor politik i cili ka fituar të drejtën për të emëruar kryetarin e Kuvendit nga radhët e veta, por duhet të pranohet se ajo është gjithashtu një formë e çuditshme e demokracisë. Le të marrim një shembull hipotetik. Në të ardhmen të themi se 20 parti politike kandidojnë për zgjedhje. Nëse 19 prej tyre fitojnë 4.999 për qind të votave secila, dhe vetëm një fiton 5.019 për qind, kjo e fundit do të dalë e para në zgjedhje. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, partia që fiton 5.019 për qind të votave, vetëm me faktin e vetëm se ka dalë e para në zgjedhje me një diferencë prej 0.02 për qind, konsiderohet kaq cilësisht e ndryshme nga të tjerët, se ka të drejtën të bllokojë Parlamentin kundër vullnetit të 94.981 për qind të parlamentit të zgjedhur.

A duket i njohur burimi i “krizës institucionale” aktuale në Kosovë? Sigurisht që po. Ndërsa në vitin 2014 vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi si një lehtësim dhe hapi rrugën për krijimin e qeverisë PDK-LDK nën presion të fortë ndërkombëtar, sot shohim se si një vendim i tillë e ka forcuar më tej PDK-izimin e shtetit. Me fjalë të tjera, në këtë moment, asnjë parlament nuk mund të formohet pa PDK-në, asnjë qeveri nuk mund të krijohet pa PDK-në, asnjë institucion shtetëror nuk mund të punojë pa PDK-në, pavarësisht faktit se PDK-ja arriti të fitojë vetëm njëzet e disa ulëse në Parlamentin me 120 të tilla, duke dalë si partia e tretë më e madhe. Mund të argumentohet se kjo nuk ka rëndësi sepse PDK është pjesë e një koalicioni më të madh parazgjedhor, PAN, i cili doli i pari në zgjedhje. Por kjo do të ishte një pikëpamje apolitike për politikën: PAN është thjesht një manifestim i një aspekti tjetër të shtetit të PDK-së. Ekzistenca e saj tregon se përveç institucioneve shtetërore, PDK-ja ka arritur të PDK-izojë edhe partitë politike anti-PDK si AAK, duke e bërë të fiksuarin pas postit të kryeministrit, Ramush Haradinajn, vetëm një kukull të PDK-së.

Ekziston një tjetër dimension fatkeq ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese: gjykatësit (dhe atyre që i kanë ndikuar ata brenda dhe jashtë vendit) pikëpamje statike mbi politikën. Përderisa është vetë e PDK-izuar, Gjykata Kushtetuese nuk kishte asnjë arsye të dyshonte se PDK do të humbte mbështetjen e publikut së shpejti. Rezultatet zgjedhore të vitit 2017 e sfiduan këtë logjikë. Pyetja mund që së shpejti mund të bëhet, çfarë do të ndodhte nëse VV do të dalë e para në zgjedhje, pasi kjo mund të bëhet realitet më shpejt se sa çdonjëri prej nesh, duke përfshirë edhe veten time, e mendojmë. VV do të ketë të drejtën e dhënë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të bllokuar Kuvendin nëse një kandidat i preferuar për kryetarin e Kuvendit nga radhët e veta nuk përkrahet nga shumica dërrmuese e Kuvendit në të ardhmen. Oops.

Këto janë kohë interesante, sepse në njërën anë kemi PDK-në ‘institucionale’ që bllokon krijimin e institucioneve, dhe nga ana tjetër kemi një VV-në ‘jo-institucionale’ që jo vetëm që nuk bllokon asgjë, por ka treguar respekt për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe është pothuajse gati për të votuar një kryetar të Kuvendit nga radhët e PDK-së, përderisa natyrisht, nuk është Kadri Veseli.

Publiku i gjerë dhe ata me një ndjenjë të aktivizmit politik në Kosovë mund të mendojnë se ata kanë bërë detyrën e tyre qytetare si qytetarë duke votuar dhe tani është detyrë e partive politike të zgjidhin dallimet dhe të krijojnë institucione. Kjo do të ishte një gabim. Derisa votimi publik bëri një punë të pabesueshme për të ndryshuar konturet politike në vend, mbetet larg sigurimit se çfarë lloj qeverisje do të rezultojë nga ky votim.

Me rezultatin e tanishëm të zgjedhjeve, publiku përballet me dy lloje krejtësisht të ndryshme, por të mundshme, të qeverisë.

Lloji ose opsioni i parë do të ishte një qeveri e PAN-it me tiparet e mëposhtme: (a) do të udhëhiqej nga një kryeministër i PDK-izuar nga AAK-ja e margjinalizuar; (b) do të përfshinte shumë lojtarë vendas të vetos, si PDK dhe NISMA dhe aftësinë e tyre për të shantazhuar të fiksuar pas postit të kryeministrit, Ramush Haradinajn, në të ardhmen nëse kjo e fundit nuk luan sipas dëshirave të të parëve. Midis disa lojtarëve të tjerë vendas të vetos do të jenë disa individë nga koalicioni i udhëhequr nga LDK, i njohur si LAA, duke u dhënë votën e tyre të tjerëve, sepse pa një rrjedhje të tillë votash nuk mund të formohet apo të mbështetet qeveria e PAN. Ata gjithashtu do të kenë kërkesat e tyre për qeverinë e PDK-izuar të Haradinajt; dhe më keq (c) do të përfshinte një lojtar ndërkombëtar të vetos, domethënë Serbinë, përmes partisë së saj satelitore në parlamentin e Kosovës, Listës Serbe. Meqenëse votat e Listës Serbe do të ishin të nevojshme për të formuar këtë lloj qeverie dhe për ta mbajtur atë, Lista Serbe do të ishte në gjendje të shantazhojë Haradinajn ashtu si PDK dhe NISMA nëse kryeministri do të zgjedhë të kundërshtojë dëshirat e Serbisë. Këto karakteristika nuk janë hipotetike, por, për momentin, përfaqësojnë përbërësit e nevojshëm të çdo qeverie të drejtuar nga PAN-i. Nuk duket si një qeveri shumë premtuese, edhe nëse formohet.

Lloji i dytë i qeverisë do të ishte një qeveri e VV-LAA-së e cila do të përfshinte më pak lojtarë të vetos (megjithëse nuk do të injoroheshin), por së paku do të kishte dy karakteristika të ndryshme nga opsioni i parë. Kjo qeveri do të ishte qeveria e parë e de-PDK-izuar në Kosovën e pas-pavarësisë, duke pasur mundësinë, nëse jo kapacitetin, për të de-PDK-izuar shtetin. Në të njëjtën kohë, ky lloj i qeverisë nuk do të duhej të mbështetej te Serbia. Formimi i këtij lloji të qeverisë nuk duhet të mbështetet në votat e Listës Serbe në Kuvend, sepse VV-LAA mund të formojnë një qeveri të vetën dhe të përfshijë përfaqësuesit serbë në qeveri nga radhë të ndryshme e jo nga Lista Serbe. Derisa është obligim kushtetues për të përfshirë në postet e ndryshme qeveritare përfaqësues nga komuniteti serb, nuk ka absolutisht asnjë detyrim kushtetues për të përfshirë përfaqësuesit e partive të caktuara politike serbe, nëse nuk do të kemi një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje. Si e tillë, një qeveri e VV-LAA do të kishte shkallë më të lartë të lirisë nga PDK dhe Serbia për të vendosur vetë. Megjithatë, edhe ky lloj i qeverisë ka grackat e veta,  dhe duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë mënyrës se si VV dhe LDK i balancojnë pozitat e tyre krejtësisht kontradiktore në çështje të tilla si shteti i mirëqenies dhe ekonomia në përgjithësi.

Ndërsa vota e popullit ishte një lexim i qartë i ndjenjës publike kundër shtetit të PDK-së, forma të ndryshme të presionit publik duhet të aplikohen vazhdimisht për të ndaluar që të krijohet lloji i parë i qeverisë.

Në një mundësi të tretë mund të shihet LDK dhe PDK, ose një përzierje arbitrare e të dyjave, në një koalicion edhe një herë, që do të vazhdonte një qeveri të PDK-izuar. Duke punuar kundër ndjenjës së publikut në një mënyrë të tillë do të hapte mundësinë që VV pothuajse të jetë në gjendje të afrohet për të krijuar një qeveri më vete në një moment, në të ardhmen e afërt, natyrisht vetëm nëse zgjedhjet do të ishin të lira dhe të drejta.