Kompleksi përkujtimor në Reçak. Foto: Atdhe Mulla

Mohimi i krimeve të luftës nuk i ‘relakson’ raportet Kosovë-Serbi

Mohimi i krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë nga ana e politikanëve serb, ka nxitur reagime të ashpra edhe gjatë kësaj jave në vend.

Ndërkohë, retorikën ofenduese ndaj viktimave të luftës, po e dënojnë fuqishëm edhe përfaqësues të mekanizmave që merren me çështje të luftës dhe profesorë të së drejtës ndërkombëtare.

Ndër të tjerash, ata vlerësojnë se këto këto polemika nuk i kontribuojnë përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur është rritur presioni ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet të dyja vendeve.

Gazeta Jeta në Kosovë, fundjavën e kaluar raportoi se si masakra në fshatin Reçak të Shtimes në të cilën nga forcat serbe u vranë 45 civilë shqiptarë, u bë temë përplasjesh mes politikanëve të Serbisë e Kosovës dhe se si zyrtarët e lartë serb po e vënë në pikëpyetje vërtetësinë e ngjarjes.

Në anën tjetër, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), e cila i denoncoi krimet e kryera në Kosovë përfshirë edhe atë të Reçakut, nuk i komentoi deklaratat e zyrtarëve serb, duke thënë se nga ana e tyre ngjarja në fjalë është e dokumentuar.

Por këto zhvillime, nuk kaluan në heshtje para Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Ambasada ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave më rastin e 20 vjetorit të luftës në Kosovë, duke shtuar se të mohuarit e mizorive dëmton përparimin e një shteti demokratik dhe shumë etnik.

“Ne po ashtu nxisim udhëheqësit e Kosovës nga radhët e gjitha bashkësive që të përmbahen nga retorika ndezëse. Përkushtimi ndaj të së vërtetës për të kaluarën e luftës është jetësor për një të ardhme paqësore”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së.

Në anën tjetër, Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv në Fondin për të Drejtën Humanitare (FDH) që merret me grumbullimin e të dhënave për krime lufte në Kosovë, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se mohimi i krimeve të luftës të kryera në Kosovë, është për tu dënuar pa marr parasysh prej kujt vijnë këto mohime.

“Sidomos në rastet kur këto mohime vijnë prej zyrtarëve të lartë shtetëror apo përfaqësues të institucioneve. Pra është e pandershme, e pamoralshme që të mohohen viktimat e krimeve të luftës dhe kjo në asnjë mënyrë nuk na sjell ndonjë relaksim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përderisa kemi mohime të tilla”, tha ai.

Blakaj theksoi domosdoshmërinë e posedimit të një regjistri të saktë me të dhënat për të gjitha krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës.

“Sigurisht që përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë kanë reaguar në lidhje me këtë mirëpo unë mendoj që sjellja e një ligji i cili sanksionon penalisht mohimet e krimeve të luftës në Kosovë nuk do të mund të ishte i zbatueshëm në mënyrë të duhur, pa e pasë në fakt një regjistër të saktë të gjitha krimeve të luftës që janë kryer në Kosovë, edhe të krimeve të luftës edhe krimeve kundër njerëzimit”, thotë drejtori i FDH-së.

Ndërkaq, profesori i së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” Qerim Qerimi, vlerëson se mohimi i çdo krimi, sidomos i atyre në masë që shokojnë ndërgjegjen njerëzore, është tronditës.

“Përcaktimi i krimit në masakrën e Reçakut është objektiv, jo vetëm për shkak të vlerësimit apo gjykimit të një misioni autoritativ të një organizate ndërkombëtare siç është OSBE-ja, por edhe për faktin e thjesht që, në parim, krimi është i vlerësueshëm dhe subjekt i të provuarit faktik”, thotë ai për Gazetën Jeta në Kosovë, duke theksuar se humbja e jetëve njerëzore, mund të jetë trillim vetëm në një botë jo reale.

Sipas profesorit universitar, të tilla deklarime tregojnë shumë për botëkuptimet e elitave politike në rajon.

“Kjo nuk është kultura që familja e gjerë evropiane, të cilën e aspiron si Kosova ashtu dhe Serbia, e mishëron në idealin e vet ekzistencial dhe në kërkesat institucionale dhe ligjore për bashkim me të”, potencoi ai, duke shtuar se krimet kundër njerëzimit në Kosovë janë gjykuar edhe nga ana e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Sa i përket heshtjes së OSBE-së karshi deklarimeve të zyrtarëve serbë, Qerim Qerimi thotë se është e paqartë se përse një organizatë e tillë, misioni i së cilës në rend të parë ka vëzhguar dhe vlerësuar krimin në masakrën e Reçakut, mbetet e heshtur.

“Në terma politike, nuk është krejt e pashpjegueshme, marrë parasysh faktin që organizata në anëtarësi të saj përfshin edhe shtete që jo vetëm s’e njohin apo e kontestojnë shtetin e Kosovës, si Rusia, por edhe të tjera, si Serbia, përfaqësues politikë të së cilës gjejnë kurajo njerëzore për të mohuar krime neveritëse kundër njerëzimit”, tha Qerimi.

Kurse, Bekim Blakaj thotë se për 20 vite pas luftës nuk është bërë mjaftueshëm për viktimat dhe familjet e tyre.

“Krejt pak ka pasur drejtësi për këto familje. Siç po shihet gjendjen e tyre e rëndon edhe fakti që viktimat po mohohen nga përfaqësues të Serbisë në këtë rast. Reparacionet ndaj viktimave janë të pakta. Institucionet është dashur të bëjnë më shumë gjatë këtyre 20 viteve, që tua lehtësojnë dhimbjen viktimave, por edhe që ta dërgojnë vendin drejt një të ardhmeje pa konflikte”, tha drejtori i FDH-së për Gazetën JnK.