Edi Rama dhe Federica Mogherini - Foto: Gent Shkullaku/LSA

A Mjafton Votimi i Reformës për Hapjen e Negociatave?

Kuvendi i Shqipërisë votoi unanimisht me 140 vota pro dhe asnjë kundër në orët e para të së premtes një paketë amendamentesh kushtetuese, pjesë të një reforme të thellë të sistemit të drejtësisë.

Vota erdhi pas një kalvari të gjatë negociatash midis opozitës dhe mazhorancës, të udhëhequra nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu dhe kreu i delegacionit të Bashkimit EVropian, Romana Vlahutin, të cilat kulmuan të enjten në mbrëmje me dakordësinë e partive politike.

Votimi i reformës, një nga kushtet kryesore të vendosura nga Bashkimi Evropian për mbajtjen hapur të perspektivës së integrimit të vendit, u përshëndet në Tiranë dhe në Bruksel, si një fitore për popullin shqiptar dhe aspiratat e tij.

Edhe pse zyrtarët e BE-së e kanë mirëpritur reformën si një hap përpara për integrimin e vendit, ata kanë qenë të kujdesshëm të nënvizojnë që implementimi i saj i shpejtë dhe në mënyrën e duhur do të jetë po aq i rëndësishëm, në mënyrë që të prodhojë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ekspertët vendas të cilët vëzhgojnë nga afër procesin e integrimit bien dakord me burokratët në Bruksel; megjithatë, ata ndahen në vlerësimin nëse vota pro reformës do të jetë e mjaftueshme për marrjen e një rekomandimi nga Komisioni Evropian në tetor për hapjen e negociatave me BE.

Edhe pse ky vendim i Komisionit është politik, ata shprehen që rekomandimi i Brukselit do të varet nga shpejtësia dhe dakordësia për të miratuar paketën e ligjeve, pjesë të reformës, si dhe fillimin e implementimit të saj.

Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në BE në qershor të vitit 2014, por Komisioni Evropian ka kërkuar një seri provash konkrete ëtrack-record] në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Nëpërmjet një njoftimi, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian Federica Mogherini dhe komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn e mirëpritën miratimin nga Parlamenti shqiptar të paketës së amendamenteve kushtetuese.

“Ne përgëzojmë popullin shqiptar, liderët dhe partitë politike që treguan maturi në arritjen e këtij vendimi historik”, thanë ata.

“Ky hap i paprecedent i përgjigjet kërkesës së qytetarëve për një drejtësi transparente, të pavarur dhe llogaridhënëse”, shtuan Mogherini dhe Hahn.

Megjithë lëvdatat e pakursyera për votimin në Parlament, Mogherini dhe Hahn nënvizuan që “implementimi i reformës duhet të fillojë menjëherë, në mënyrë që shqiptarëve t’u jepet një sistem drejtësie me standarde evropiane”.

Vota pro reformës u përshëndet dhe nga raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, i cili në një intervistë për News 24 TV u shpreh se do të rekomandonte hapjen e negociatave midis Shqipërisë dhe BE-së.

“Politikanët në Shqipëri janë mëse të përgatitur që të vazhdojnë rrugën e nisur; popullit, shoqërisë civile i takon të shikojë çfarë po bën politika; sa për komunitetin ndërkombëtar, ne duam më të mirën për Shqipërinë”, tha Fleckenstein.

“Do t’i kërkojmë Këshillit Evropian hapjen e negociatave; është momenti i duhur”, shtoi ai.

Edhe pse komentet që vijnë nga Brukseli pas votës pro reformës janë pozitive, ekspertët vendas janë të pasigurtë nëse kjo votë do të mjaftojë për të marrë një dritë jeshile nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave.

Kjo pasiguri nuk mbështetet vetëm në vështirësitë që u shfaqën në procesin e dakordësimit të paketës kushtetuese midis partive politike, por edhe në vetëdijen që amendamentet e miratuara të premten janë vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë institucional dhe politik deri në implementimin final të reformës.

Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, EMA, shprehet se ndryshimet kushtetuese janë vetëm “maja e ajsbergut” e një pakete prej 40-50 ligjesh që duhet të miratohen si pjesë e Reformës në Drejtësi.

“Të gjithë këto do të duan kohë dhe Komisioni Evropian ka qenë i qartë me Shqipërinë që nuk mjafton vetëm miratimi, por duhet të shohim dhe zbatimin- i famshmi “track-record” që kërkohet për të gjithë reformat por veçanërisht për Reformën në Drejtësi tek fusha e shtetit të së drejtës”, tha Gjipali.

“Prandaj besoj se do të ndikojë shumë shpejtësia se si institucionet do të reagojnë me miratimin e legjislacionit në vazhdim dhe me ngritjen e këtyre institucioneve edhe funksionimin e tyre”, shtoi ai.

Sipas Gjipalit, nëse procesi i votimi të ligjeve dhe implementimit të reformës do të ecë pa bllokime dhe në frymën e konsensusit të arritur, atëherë shansi është që Komisioni Evropian të japë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave në tetor, i cili do të duhet të mbështetet dhe nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

Gjergji Vurmo, nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, bie dakord, duke nënvizuar që Shqipëria është në fillimin e procesit të Reformës në Drejtësi dhe Komisioni ka kërkuar më shumë për hapjen e negociatave.

Megjithatë, ai shprehet se vendimi i Komisionit është politik dhe është optimist që do të anojë në anën e Shqipërisë.

“Nëqoftëse do të marrim përkufizimin siç është dhënë tek rekomandimi i Komisionit ai flet për “track-record,” ndërkohë që ne sapo kemi hapur gropat dhe kemi shtruar radhën e parë me gurë që të ngremë themelet”, tha Vurmo duke iu referuar Reformës.

“Por është një vendim politik dhe të gjithë kanë thënë që do të hapen ënegociatat] – duke pasur parasysh jo vetëm rëndësinë e Reformës dhe bazat që u hodhën, por edhe historinë politike shqiptare, e cila mund të na justifikojë,” përfundoi ai.