Mitrovicasit mbesin pa Fakultetin Juridik dhe të Edukimit

Të gjithë ata që kanë planifikuar të bëhen studentë në Fakultetin e Edukimit dhe atë të Juridikut në Mitrovicë, nuk do të mund ta bëjnë këtë në vitin e ardhshëm akademik.

Kjo pasi programet që përbënin këto fakultete nuk u akredituan sipas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në shkallën e parë.

Në vitin akademik 2019/20 nuk do të mund të bëhen regjistrime as në drejtime si ‘inxhinieri Ekonomike’, ‘Gjeoinformatikë’ dhe  ‘Inxhinieri ushqimore dhe teknologji’.

KALLXO.com ka siguruar listën e degëve, departamenteve dhe programeve të Universitetit ‘Isa Boletini’  të cilat kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili akrediton programet studimore.

Mirëpo kjo listë ende nuk është përfundimtare deri në përfundimin e procesit të ankimimit ndaj vendimeve të KShC-së.

Të interesuarit mund të bëhen studentë në 15 programe në këtë universitet publik, ndërsa në 7 të tjera nuk do të mund të regjistrojnë studimet.

Çdo program studimi i nivelit Bachelor duhet të ketë tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë, në programet Master duhet të jenë një ose dy doktorë shkence, ndërsa për studimet e doktoratës për secilin program duhen tre profesorë të asocuar.

Në këtë universitet shtatë programe nuk kanë arritur të akreditohen nga Agjencia e Akreditimit sepse nuk i kanë plotësuar kushtet e përmendura më sipër.

Programet që vazhdojnë të jenë të akredituara janë: ‘Gjeologji’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Hidrogjeologji dhe gjeologji Inxhinierike’ në nivelin Master i shkencës, ’Informatikë Inxhinierike’, në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Makineri prodhuese’, në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Materiale’ në nivelin Master i shkencës, ‘Materiale dhe metalurgji’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Metalurgji’ në nivelin Master i shkencës.

Mirëpo KShC i tërhoqi akreditimin programeve ‘Edukimi parashkollor’ në nivelin Bachelor, ‘Edukim fillor’ në nivelin Bachelor, ‘Inxhinieri ekonomike’ në nivelin Bachelor dhe ‘Juridik’ në nivelin Bachelor.

Universiteti i Mitrovicës kishte aplikuar me 11 programe për akreditim dhe riakreditim, prej të cilave i ishin aprovuar tetë.

Bëhet fjalë për programet: ‘Teknologji’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, ‘Vendbanimet e lëndëve të para minerale’ në nivelin Master i shkencës, ‘Xehetari’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, ‘Inxhinieri Ekonomike’ në nivelin Master i shkencës, ‘Biznes dhe menaxhment’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës.

Por iu refuzuan tri programe: ‘Gjeoinformatikë’ në nivelin Bachelor, dhe ‘Inxhinieri ushqimore dhe teknologji’ në nivelin Bachelor dhe Master.

Historia e akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, muajin e kaluar, kishte vendosur për akreditimin e programeve të reja, riakreditimin dhe tërheqjen e tyre në universitetet publike dhe private, e mes tyre edhe për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Gjatë kësaj mbledhje, KShC akreditoi 7 programe studimore valide dhe i tërhoqi 4 të tjera UMIB-së, ndërsa në fazën fillestare të vlerësimit të aplikacioneve, UMIB-ja kishte marrë dritën e gjelbër për 8 programe të reja, mirëpo iu refuzuan 3 të tjera.

Arsyeja e tërheqjes dhe refuzimit për akreditim të programeve studimore nga KShC-ja kryesisht ishte nga mungesa e doktorantëve të fushës së ngushtë të këtyre programeve.

Por edhe në rast mosakreditimi, Universiteti mund të aplikojë përsëri për akreditimin e këtyre programeve siç thuhet tutje në Ligjin për Arsimin e Lartë, konkretisht në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pika 6, e cila thotë se “nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.”

Sipas udhëzimit administrativ në Nenin 30 tek ‘Deklarimi i stafit akademik për angazhim’ në pikën 1 thuhet se “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të dorëzojnë deklaratat e stafit akademik të angazhuar jo më larg se data 31 tetor.”

Gjatë procesit të verifikimit, KShC ka shqyrtuar dokumentacionin e profesorëve të cilët kishin deklaruar të dhënat e tyre në platformën ‘e-Akreditimi’ sepse në Nenin 30, pika 3 thuhet se “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA, do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues akademik dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”.

Shembull i tërheqjes së akreditimit si program studimor në UMIB është “Edukimi Fillor”, në Fakultetin e Edukimit, në nivelin Bachelor dhe kjo për arsye se bartësit e këtij programi kishin doktoratë në fushën e ‘Shkencave mjekësore’, ‘Kulturë fizike dhe sportit’, ‘Sociologjisë’ dhe ‘Fizikës’.

Këto vendime të KShC-së, shtyrën gjashtë rektorët e universiteteve publike që të dalin me një deklaratë të përbashkët, e mes tyre edhe rektori i UMIB-së Alush Musaj, të cilët kërkuan që të shkarkohen anëtarët e KShC-së dhe të shfuqizohen vendimet e tyre, me arsyetimin se KShC kishte favorizuar universitetet private në krahasim me ato publike, dhe se vendimet për tërheqje dhe refuzim të akreditimit kishin si prapavijë ‘politikën’ e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për mbylljen e universiteteve të reja publike.

Pas kësaj deklarate nga Konferenca e Rektorëve, KShC kishte reaguar ndaj tyre duke iu thënë se s’kishin plotësuar kriteret, andaj edhe kishin dhënë nga një shembull për secilin nga këto universitete se përse nuk iu ishin akredituar ato programe.

‘Lufta’ e rektorëve vazhdoi edhe më tutje në Komisionin parlamentar për Arsim në të cilin kërkuan që të plotësohen kërkesat e tyre, por nuk gjetën mirëkuptim.

Ky komision u takua edhe me KShC-në për të kërkuar sqarime rreth vendimeve të tyre, por anëtarët e KShC-së kërkuan që këto universitete të dërgojnë ankesa në Komisionin për Ankesa në AKA nëse mendojnë që janë bërë shkelje.

Pas takimit që patën KShC-ja me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ku ajo u ofroi mbështetje anëtarëve të Këshillit në vendimet e tyre, Konferenca e Rektorëve njoftoi se që nga 29 janari do të jenë në grevë të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ku mes tjerash shtuan edhe kërkesën për shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Përveç Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Këshillin Shtetëror të Cilësisë po e mbështetë edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell dhe ai i Gjermanisë, Christian Heldt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që kanë rezultuar nga mbledhja e 61-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendimet e të cilit ngritën reagime të shumta.

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen