Panda Café në Pejë është mbyllur prej më shumë se dy dekadash që nga koha e vrasjeve. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Misteri i masakrës në kafenenë ‘Panda” në Pejë, i pazgjidhur edhe pas 20 vjetësh

Dy dekada pas masakrës në “Panda Café” të gjashtë të rinjve serbë, që ushqeu luftën në Kosovë, askush nuk është dënuar dhe shqiptarët etnikë që u arrestuan gabimisht vuajnë ende pasojat.

Panda Café, një kafene e vogël në qytetin e Pejës në Kosovë, duket pothuajse njësoj si 20 vjet më parë.

Vrimat e plumbave në të gjithë muret janë një dëshmie e përhershme e asaj që ndodhi më 14 dhjetor 1998, kur persona të armatosur hapën zjarr brenda kafenesë, duke lënë gjashtë të rinj të vdekur dhe duke përshkallëzuar konfliktin në Kosovë, e cila në atë kohë ishte ende një provincë e Jugosllavisë.

U qëlluan 60 plumba duke vrarë 15-vjeçarin Ivan Obradoviq, 16-vjeçarin Vukota Gvozdenoviq, 18-vjeçarët Svetislav Ristiq, Zoran Stanojeviq dhe Dragan Trifoviq dhe 24-vjeçarin Ivan Radeviq.

Dy 18-vjeçarë të tjerë, Vlado Lonçareviq dhe Nikola Rajoviq dhe pronari i Panda Café, Mirsad Saboviq, gjithashtu u plagosën gjatë të shtënave.

Njëzet vjet më vonë, autorët ende nuk janë sjellë para drejtësisë, familjet ende janë të hidhëruara dhe disa nga shqiptarët e Kosovës të cilët u arrestuan gabimisht pas sulmit po përballen ende me pasojat psikologjike të abuzimeve që kanë vuajtur në paraburgim.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq përsëriti muajin e kaluar se një hetim ishte në vazhdim e sipër. “Ne nuk do ta fshehin të vërtetën, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo serbë ata që kryen krimin,” premtoi ai.

Hajdar Bajri brenda Panda Café: Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Vuçiq ka lënë të kuptohet se hetuesit po i afrohen gjetjes të së vërtetës çdo vit që nga viti 2013, kur ai fillimisht sugjeroi se nuk kishte asnjë provë se masakra ishte kryer nga shqiptarët e Kosovës.

Që atëherë, ka pasur shumë spekulime se autorët mund të kenë qenë forca serbe ose operativë të sigurimit të shtetit. Por nëse ka pasur vërtet ndonjë progres në këtë çështje, kjo nuk është bërë publike.

Ljubica Trifoviq, nëna e të vrarit Dragan Trifoviq, thotë se ajo ndjek çdo dalje publike të Vuçiqit, duke shpresuar të dëgjojë për ndonjë zbulim të madh në këtë hetim, edhe pse nuk beson se kjo do të ndodhë.

“Askush nuk kishte ndonjë shpresë derisa doli Vuçiçi dhe e tha vetë publikisht këtë (për progresin në këtë rast). Pra, zoti president, atëherë kush i vrau ata fëmijë?” pyeti Trifoviç.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila ka trashëguar të gjitha rastet e krimeve të rënda nga misioni i OKB-së UNMIK dhe nga EULEX-i, nuk mund të konfirmojë se po heton.

Sylë Hoxha, koordinatore për median në Prokurorinë Speciale, tha për BIRN se masakra e Panda Cafe nuk është në listën e rasteve të hapura.

“Ne po marrim ende dosje nga EULEX-i. Ndoshta kjo mund të jetë ndër rastet që janë hetuar nga misioni i BE-së,” sugjeroi Hoxha.

Gjashtë të rinj arrestohen gabimisht dhe torturohen

Në lagjen Zatra të Pejës më 17 dhjetor 1998 herët në mëngjes, pak ditë pas sulmit në Panda Café, familja Bajri u zgjua nga zhurma e tre tankeve dhe qindra trupave serbe.

“Ishte ora shtatë e mëngjesit. Unë po bëhesha gati të shkoja në spital të vizitoja tim bir, i cili në atë kohë ishte 13 vjeç, kur pashë forca të armatosura duke hyrë në shtëpi,” kujton Kimete Bajri.

Kimete Bajri

Serbët po kërkonin djali i saj, Behar Bajri, i cili i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës disa muaj më parë.

“Ata i lidhën duart Beharit dhe e morën me vete. Disa minuta më pas, fqinjët tanë na thanë se na panë në televizion dhe se Behari u arrestua për vrasjet në rastin ‘Panda’,” tha për BIRN Kimete Bajri, tani 70 vjeçe.

Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Agron Kollçaku, Vllaznim Pergjegjaj dhe Beqir Loxha u arrestuan për vrasjet së bashku me Behar Bajrin. Më i riu ishte 17 vjeç ndërsa më i madh ishte 22 vjeç.

Kimete Bajri qe në gjendje të fliste me djalin e saj vetëm ndërsa ai po mbahej në qendrën e paraburgimit në Pejë.

“Pashë se kishte shenja të nxira dhe blu nga të rrahurat. Ai më tha se ishte mirë. edhe unë i thashë të njëjtën gjë për familjen tonë. Herën e tretë kur shkova për vizitë, ai u rrëzua pa thënë asgjë dhe oficerët e burgut e morën,” tha ajo.

Në qershor të vitit 1999, Bajri dhe rreth 400 të burgosur të tjerë u çuan me autobusë në një burg në Leskovac në Serbi. Ai përfundimisht u lirua dhe qe në gjendje t’i tregonte familjes së tij për abuzimet që kishte pësuar në paraburgim.

“Ata e detyruan atë të hante sapun, i vendosën kripë nëpër plagë, e mbajtën pa ngrënë për ditë me radhë dhe e mbajtën në një dhomë me kufoma të njerëzve që kishin vdekur për shkak të torturës,” tha Kimete Bajri.

Vllaznim Pergjegjaj, në atë kohë 19 vjeç, ishte i fundit nga gjashtë të rinjtë shqiptarë që arrestuan natën midis 17 dhe 18 dhjetorit në shtëpinë e tij në fshatin Vitomiricë.

“Isha duke fjetur kur erdhi policia. Nuk e dija se çfarë po ndodhte. Për vrasjet në ‘Panda’ kisha dëgjuar dy ditë më parë në lajme. Dëgjova policinë duke folur në radio duke thënë ‘kemi arrestuar të dyshuarin e fundit, mos e prekim familjen e tij’,” tha Pergjegjaj për BIRN.

Ai u tha se sulmi “Panda Café” ishte përdorur si pretekst që forcat serbe të sulmonin fshatrat shqiptare të Kosovës. “Pas këtij rasti, ne pamë masakra në Qyshk, Lubeniq, Pavlan dhe Zahaq. Panda ishte një prelud për atë që i ndodhi civilëve shqiptarë,” tha ai.

Pergjegjaj tha se gjashtë të dyshuarit u torturuan vazhdimisht nga janari deri në qershor 1999 në qendrën e paraburgimit në Pejë. “Ne ishim gjashtë vetë në të njëjtën dhomë dhe flinim mbi gjak. Edhe tualetet ishin gjithashtu të mbushura me gjak,” kujtoi ai.

Kur ata u transferuan në burgun në Leskovac, abuzimi u përkeqësua, tha ai.

“Nuk ka ndonjë metodë dhune që nuk e kemi vuajtur gjatë kohës që kaluam në Leskovac. Më e rënda ishte kur dëgjuam të qarat e të tjerëve që po vuanin torturën. Ishte më e vështirë sesa të vuaje rrahjet. Një i ri nga qyteti i Istogut në Kosovë po torturohen dhe vdiq. Në mbrëmje ata e sollën kufomën në dhomë. Trupi nxirrte gjatë gjithë natës,” tha ai.

“Behar Bajri ishte në situatën më të vështirë. Atë e rrihnin sa herë rrëzohej përtokë,” shtoi ai.

Lejoheshin gjithashtu të hynin njerëz nga jashtë burgut për të sulmuar apo poshtëruar gjashtë të rinjtë e dyshuar. “Ata sillnin vazhdimisht fëmijë dhe u thoshin atyre: ‘Shikoni këta terroristët që vranë vëllezërit tuaj në Kosovë.’ Pashë zemërim në fytyrat e tyre,” tha ai.

Si rezultat i torturës, një nga gjashtë burrat, Gazmend Bajrami, rrëfeu për vrasjet.

Por në nëntor 1999, një gjykatë në Serbi i gjeti të gjashtë ata të pafajshëm për shkak të mungesës së provave. Akuzat për vrasje u rrëzuan dhe ata u dënuan me nga një vit burg secili për shkelje të legjislacionit të rendit publik. Një muaj më vonë, ata u kthyen në shtëpi.

Kimete Bajri tha se kur ata u kthyen, djali i saj dukej që ishte dobësuar shumë nga kjo përvojë. “Ai ishte si një i vdekur që ecte,” thotë ajo.

Që atëherë, shëndeti i tij mendor vazhdon të përkeqësohet vit pas viti dhe tani ai është bërë një barrë e rëndë për familjen e tij. “Nuk e mbajmë dot nën kontroll, ai është agresiv dhe shpesh na rreh. Një javë më parë ai më sulmoi me sëpatë,” tha Kimete Bajri, duke treguar një qese plastike plot me ilaçe për trajtimin e djalit të saj.

Çdo vit, kur afrohet përvjetori i sulmit në “Panda Café”, sjellja e tij ndryshon, shtoi nëna e tij.

Një natë, të afërmit e gjetën atë duke fjetur përpara “Panda Cafe”, e cila tani duket e braktisur. “Kohët e fundit ai ka shkuar më shpesh në atë vend,” tha Kimete Bajri.

Pergjegjaj, i cili tani është financier në administratën komunale të Pejës, tha se problemet psikologjike të Bajrit janë një kujtesë e vazhdueshme për atë që u ndodhi të rinjve shqiptarë 20 vjet më parë.

“Ai ecën rrugëve të qytetit si hije gjithë ditën. Ai nuk ma kujton vetëm mua rastin Panda, por ia kujton atë edhe të tjerëve.”

Masakra “solli vuajtje për shqiptarët dhe serbët”

Hajdar Bajri, vëllai i një prej të rinjve të arrestuar, duke parë dëmin brenda Panda Café-së tashmë të mbyllur. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Kur vëllai i vogël i Behar Bajrit, Hajdari, hyn në “Panda Café” për herë të parë për të folur me BIRN-in, ai dridhet.

Ai ishte 13 vjeç dhe ishte në spital kur ndodhi sulmi në vitin 1998, por ai e mban mend si i dëgjoi të shtënat dhe të nesërmen, pa shumë burra të armatosur nga dritarja e spitalit.

“Kur isha i vogël, isha i zemëruar se prindërit e mi nuk erdhën të më vizitonin në spital atë ditë. Nuk e imagjinoja që ato të shtëna do të sillnin aq shumë dhimbje për familjen time për shumë vite më pas,” tha ai.

Ish-pronari i kafenesë, Mirsad Saboviq, i cili gjithashtu u plagos gjatë sulmit, u largua për në Beograd në vitin 1999. Në vitin 2012, ai ia shiti pronat dhe shtëpinë e tij fqinjit të tij shqiptar.

Pronari i ri, Mustafe Vejsa, tha se do të dëshironte ta shembte ndërtesën. “Ky vend më sjell vetëm kujtime të këqija dhe tmerr,” tha ai.

Por Vllaznim Pergjegjaj nuk është dakord me këtë. “Ajo duhet të mbeten si një vend përkujtimor për popullin, një kujtesë për një krim që solli vuajtje për shqiptarët dhe serbët.”

Vllaznim Përgjegjaj

Pergjegjaj tha se do të donte të takonte të afërmit e serbëve të rinj që u vranë në kafene.

“Jam gati të shkoj bashkë me familjet dhe të vendos lule në varret e tyre. Ne, të dyja palët, po presin drejtësi, edhe pse nuk besoj në drejtësinë e shtetit serb,” shpjegoi ai.

Prokuroria e Krimit të Organizuar në Serbi e nisi hetimin e ri për masakrën në vitin 2016.

Prokuroria tha në vitin 2017 se kishte marrë në pyetje 34 dëshmitarë dhe kishte shpresuar të intervistonte më shumë dhe të mblidhte prova shtesë para se të ngrinte akuza. Ajo nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN-it për një koment deri në kohën e publikimit.

Ish-prokurori i Serbisë për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviq, tha se ishte një fakt që në rajonin e Pejës nuk kishte “pothuajse asnjë shqiptar” në kohën e sulmit.

“Ne arritëm në përfundimin se shqiptarët nuk janë autorët e krimit,” tha Vukceviç për BIRN. Megjithatë, ai shtoi se prokuroria ekrimeve të luftës nuk e hetoi rastin, pasi ai ishte jashtë juridiksionit të saj.

Vukçeviq tha se nuk beson se hetimi i ri serb do të zbulojë të vërtetën mbi faktin se kush e organizoi sulmin në “Panda Café”.

“Kjo nuk ka të bëjë fare me kohën që ka kaluar që nga sulmi, por me vendosmërinë e atyre që po hetojnë,” tha Vukçeviq.

Ljubica Trifoviq, nëna e të vrarit Dragan Trifoviq, gjithashtu tha se ajo nuk ka besim te hetimi.

“Hetuesit po rihapin plagë të vjetra,” tha ajo.

Trifoviq tani jeton në Mal të Zi, ndërsa djali i saj Dragani është ende i varrosur në varrezat e krishtera ortodokse në Pejë.

Ajo tha se varrezat tani janë “të shkatërruara dhe të lëna pas dore” dhe se guri i varrit të djalit të saj është shkatërruar, por ajo nuk ka ndërmend t’i lëvizë eshtrat e tij për aq kohë sa ajo ende mund të udhëtojë për në Kosovë për të vizituar varrin.

“Ai u vra atje, kështu që le të prehet atje,” tha ajo.