Ilustrim

Mister se kush po e vjedh Testin e Arritshmërisë

Megjithë premtimet për reforma në administrimin e testit të semi-maturantëve, ky vit u përcjell me rrjedhje të testit online, ngjashëm me vitet e kaluara.

Pyetjet e Testit të Arritshmërisë, të cilët i nënshtrohen nxënësit e klasave të nënta edhe këtë vit kanë gjetur vend në mediat sociale.

E për këtë disa persona janë përkujdesur që të krijojnë grupe në Facebook e në Viber, të titulluara “Testi i Arritshmërisë 2019” më 31 maj kur edhe u mbajt ky test.

Në këto grupe gjatë gjithë procesit të testimit janë publikuar fotografi të pyetjeve e përgjigjet të tyre.

 

Në lidhje më këtë çështje ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e pranon se testet e publikuara janë të këtij viti, por thotë se do ketë edhe ndëshkime..

Kurse sipas ekspertëve të arsimit, fajtorët kryesor në shprehinë e kopjimit janë administratorët.

Zyrtari për sigurimin e cilësisë, standarde, vlerësim dhe licencim në Ministrinë e Arsimit Fatmir Elezi, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se janë në dijeni për disa pa rregullsi në testin e semimaturantëve.

“Po jemi në dijeni se ka pasur raste kur një numër i nxënësve ka postuar materiale të testit në rrjetet sociale dhe vërehet se këto materiale janë të këtij viti. Duhet theksuar se numri më i madh i personave të kyçur në këto rrjete dhe pas postimi te një materiali kanë komentuar në to janë persona qe nuk kanë qenë në test”, thotë Elezi për gJnK.

Tutje ai theksoi se MASHT ka caktuar komisionerë në qendra te testimit të cilët në  bashkëpunim me administruesit kanë qenë përgjegjës për mbarëvajtjen e testit në qendrat e testimit por vërehet se ka pasur individ /administrues që nuk iu janë përmbajtur rregullave.

“Ne nga komisioneret kemi informata për disa nxënës te përjashtuar nga testi për shkak të përdorimit të mobilëve. Ne do ta verifikojmë edhe materialin e postuar ne rrjete sociale dhe nëse ka përputhje te përgjigjeve te ndonjë nxënësi me materialin/çelësin e postuar do të merren masa (anulimi i rezultatit) për atë nxënës”, thotë Elezi për gJnK.

Ai shtoi se po ashtu do të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata se mësimdhënës të caktuar kanë bërë ndërhyrje në proces.

“Nga ky vit për testin e maturës nëse vërtetohet se një administrues nuk e kryen punën si duhet do te pasojnë masa ndëshkuese deri te marrja e licencës së mësimdhënësit”, shtoi Elezi.

Ekspertët: Ministria duhet ta përmirësojë administrimin e testit

Në lidhje me dukurinë e kopjimit në këtë test, eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se ka shumë vullnet në shoqëri për të mashtruar të tjerët dhe vetveten.

“Shprehia e kopjimit vjen nga shkolla, ku fëmijët që kopjojnë nuk ndëshkohen, prandaj edhe nuk mendojnë se po bëjnë ndonjë gabim të madh. Kopjimi pengohet me administrim cilësor të testit. Nëse është shpërndarë testi në rrjete sociale, atëherë kanë dështuar administratorët, sepse kanë lejuar të ndodhë diçka e tillë”, thotë Pupovci për Gazetën Jeta në Kosovë.

Pupovci shton se MAShT duhet ta përmirësojë administrimin e testit, duke marrë masa ndaj administratorëve të pandërgjegjshëm, por edhe ndaj nxënësve që kopjojnë.

“Mirëpo, në sistemin tonë të arsimit duhet të ketë edhe masa për ata që kopjojnë në testet interne të shkollës, si dhe  për ata që kopjojnë detyrat e shtëpisë, sepse kështu ndërtohet integriteti personal tek fëmijët”, thotë ai duke shtuar se nevojitet fushatë vetëdijësuese për parandalimin e kopjimit.

“Mendoj se kjo duhet të jetë një fushatë më e gjerë që do të rezultonte me damkosjen  e kësaj shprehie të keqe, e cila është e pranishme edhe në arsimin e lartë, në mesin e të rriturve prej të cilëve pritet t’i kontribuojnë zhvillimit të vendit”, shton eksperti i arsimit.

Edhe Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se fajtorët kryesor në mos mbarëvajtjen e duhur të testit janë administratorët.

“Edhe këtë vit dështimi në eliminim të shpërdorimeve është shumë i ndërlidhur me mungesën e llogaridhënies, përfshirë me shumë rëndësi të administruesve, që lejojnë dhe nuk raportojnë shkeljet. Në formatin aktual dhe me mungesën e një vullneti politik për  ndryshimit nuk besoj që do të mund të kemi ndonjë përmirësim për vite me radhë”, thotë Qehaja.

Sipas tij, shpërdorimet në testin e arritshmërisë janë gjithherë më të mëdha sesa ato në të maturës, “kjo për arsye që MASHT shumë padrejtësisht prioritizon mbarëvajtjes e testit të maturës më shumës kundrejt atij të arritshmërisë”.

Testit të Arritshmërisë këtë vit i janë nënshtruar rreth 27 mijë nxënës në 110 qendra testuese, ndërsa rezultatet e këtij testi do të publikohet me 10 qershor të këtij viti.

Ky test është vendimmarrës për shkollimin e mëtejmë të nxënësve të klasave të nënta.

Edhe gjatë vitit 2018 ky test ishte shpërndarë në mediat sociale, duke u krijuar grupe të njëjta.

https://kallxo.com/testi-i-arritshmerise-rrjedh-online/?fbclid=IwAR1KBcgR3ewvVubGbVwJzeg5LETC_PIJZiZjbDfPe_OPv0BAgCFHfPPF9rg

Ndërsa në vitin 2016 ky test ishte anuluar në tri komuna.

https://kallxo.com/anulohen-testet-e-arritshmerise-ne-tri-komuna/?fbclid=IwAR2xuYkjDPjrZCn9fgseOcoC5A06pU4mPiMmK9CXM5B9TT8fnBRW8Zd9C4s

Maturantët Vlerësohen me 3-sh

.