Pika kufitare e Vërmicës

Mirëpritet hapja e kufirit Kosovë – Shqipëri në pranverën e këtij viti

Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë po synojnë që në pranverën e këtij viti në tërësi të heqin kufirin ndërmjet dy shteteve.

Kjo pritet të realizohet pasi që me 29 dhjetor të vitit të kaluar, u nënshkrua marrëveshja për ngritjen e një pike të përbashkët kufitare në mes dy shteteve, nga ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Ekrem Mustafa dhe homologu i tij nga Shqipëria, Sandër Lleshaj.

Heqja e të gjitha barrierave për lëvizje të lirë në të dyja shtetet, nga analistët politik në Kosovë, po vlerësohet të jetë hap i qëlluar dhe në interes të të gjithë qytetarëve.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se  marrëveshja ndërmjet dy qeverive shqiptare, për menaxhimin e integruar të kufirit dhe për heqjen e disa pengesave në mënyrë që në mars të këtij viti të bëhet kufiri me vetëm një vijë ndarëse, është në interes të integrimeve evropiane, të të dyja shteteve dhe po ashtu të qytetarëve.

“Ky synim faktikisht i një ‘mini schengeni’, është ajo që po e propozon edhe Edi Rama për të gjitha vendet fqinje të Shqipërisë, pasi edhe Shqipëria, edhe Kosova për shkak të procedurave burokratike të BE-së, kanë mbetur mbrapa proceseve të integrimeve dhe iniciativa e tyre është t’i bëjnë kufijtë të pa qenë, me një lloj kontrolli, por që nuk është pengesë për qytetarët dhe në këtë fazë të japin shembullin e bashkëpunimit dhe të integrimit”, thekson ai.

Edhe analisti tjetër politik, Artan Murati thotë për Gazetën JnK , se heqja e kufirit Kosovë-Shqipëri është hap pozitiv për të dyja vendet, duke vlerësuar faktin që edhe rezolutat e Kuvendit që lidhen me këtë çështje kanë nisur zbatimin në praktikë.

Në aspektin e bashkëpunimit mes shteteve normalisht që kjo e lehtëson sado pak lëvizjen dhe qarkullimin e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Është situata e njëjtë sikurse gjatë verës, që do të ketë vetëm një pikë kontrolli, ndërsa me heqjen totale të kufirit është një hap ekstra i cili po synohet të realizohet prej muajit prill”, shtoi Murati.

Megjithatë, ai shton se organet kompetente të sigurisë, duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që të parandalohet mundësia për kontrabandë.

Heqja e kufijve mes Kosovës e Shqipërisë është paralajmëruar nga krerët institucional në vend.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, me rastin e  nënshkrimit të marrëveshjes për ngritjen e pikave të përbashkëta kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, pati thënë se është në interes reciprok që të ruhet dhe të avancohet partneriteti bilateral mes dyja vendeve.

“Nga sot, kufiri i Kosovës drejt Shqipërisë nuk ekziston! Do të kemi vetëm një ndalje të përbashkët. Puna do të vazhdojë dhe në Mars të vitit qe po hymë, do të përfundojë edhe faza e dytë e heqjes së plotë të kufirit Kosovë – Shqipëri, i bazuar në parimet e Schengen-it. Urime Kosovë, Urime Shqipëri!”, ishte shprehur kryeministri në profilin e tij në Facebook, me 29 dhjetor 2018.

Në të njëjtën frymë sa i përket hapjes së kufirit Kosovë-Shqipëri, është shprehur së fundi edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

“Përderisa viti 2018 ishte viti i Ushtrisë së Kosovës, viti që sapo filluam do të jetë viti i hapjes së kufirit Kosovë – Shqipëri dhe i arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi”, thuhet në publikimin e presidentit Thaçi në Facebook, më 1 janar të këtij viti.

Reagime në rajon për hapjen e kufirit Kosovë-Shqipëri

Hapja e kufirit Kosovë-Shqipëri ka nxitur reagimet e zyrtarëve politik në Serbi dhe Maqedoni.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, të premten u deklarua se Bashkimi Evropian po aplikon standarde të dyfishta, pasi nuk po reagon në krijimin e, siç e ka quajtur ai “Shqipërisë së madhe”, pas heqjes së pikës kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndryshe nga serbët, vendimin për hapjen e kufijve në dy shtetet shqiptare, e ka mirëpritur Shkupi zyrtar.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, duke komentuar deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama se përveç Kosovës, Shqipëria do të dëshironte të hiqte kufijtë edhe me Maqedoninë, Malin e Zi e Greqinë, Zaev ka thënë se “edhe ai do të dëshironte të bënte të njëjtën gjë”.

Lidhur me reagimet e palës serbe, analisti politik Artan Murati thekson për Gazetën Jeta në Kosovë, se ajo çka deklaron Serbia, jo çdo herë është në linjë me deklaratat që mund t’i jap BE-ja apo që mundet të jenë pjesë e agjendës evropiane.

“Secili veprim i ndërmarr prej dy shteve nuk ka kaluar pa u diskutuar edhe prej Serbisë si dhe pa u komentuar në mënyra edhe më të ndryshme dhe nuk çon peshë. Ajo që duhet bërë është të sigurohet që nuk ka tejkalim të një norme që do ta dëmtonte qoftë Kosovën apo Shqipërinë në raport me Bashkimin Evropian, menaxhimin e kufijve dhe me zonën ‘Schengen’”, përfundon ai.

Hapja e kufijve edhe për njohësin e çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri nuk ka të bëjë me idenë e Serbisë për ‘Shqipërinë e madhe’.

“Ky synim është që drejt Evropës kufijtë të zhduken dhe që popujt dhe shtetet të kenë bashkëpunim sa më të mirë e sa më të afërt. Kjo ide ani pse e vonuar, është shumë e mirë dhe një praktikë që do të jep rezultate pasi ofron mundësinë e qarkullimit të mallrave dhe të mirave materiale dhe intelektuale”, vlerësoi Tahiri për JnK.

 

 

 

 

04 Janar 2019 - 15:31

Emirjeta Vllahiu 04/01/2019 - 15:31
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Mirëpritet hapja e kufirit Kosovë - Shqipëri në pranverën e këtij viti

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend