Miratohet Projektligji për Mbrojtjen Nga Zhurma

Me 38 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, deputetet e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin për mbrojtjen  nga zhurma.

Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë prezantimit të Projektligjit tha se Projektligji obligon qeverinë përkatësisht komunat për hartimin e planeve të veprimit për matje të ndotjes akustike me qëllim të parandalimit të nivelit të zhurmës në mjedis, veçanërisht kur ekspozimi ndaj zhurmës mund të shkaktojë pasoja të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Gashi tha se Projektligji krijon bazën e vendosjes së masave për kufizimin e burimeve të mëdha të zhurmës, siç janë: automjetet, transporti rrugor, transporti ajror, pajisjet e jashtme të industrisë dhe zhurmuesit tjerë.

Faton Topalli nga Vetëvendosja tha se indikatorët e zhurmës, metodat e vlerësimit të indikatorëve të dëmshëm, kërkesat minimale për përgtitjen e hartave strategjike të zhurmës dhe kërkesat minimale për planet e verpimit, janë në përputhshmëri me direktivat e Parlamentit Evropian  të datës 25 qeshor 2012.

Ramiz Lladrovci nga grupi parlamentar i PDK-së tha Projektligji i plotëson të gjitha kërkesat dhe ne e përkrahim.

Projektligji parashikon edhe konsultim me bashkësitë fetare për ta shikuar se çfarë niveli të zërit emeton thirrja e ezanit dhe rënia e kambanave. Për këtë arsye projektligjin e kritikoi deputeti i AKR-së Partisë së Drejtësisë Gëzim Kelmendi.

Kelmendi tha se ky projektligj është kundërkushtetues dhe bie ndesh me nenin 38 të Kushtetutës,  ngase neni 4 i këtij projektligji paragrafi 2 vlerëson pajisjet akustike fetare, konkretisht ezanin e xhamive dhe kambanat e kishave si burim të zhurmës.

Neni 38 i Kushtetutës, në pikën 1 thotë se “ liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar”.

“Kjo bie në kundërshtim me kushtetutën e cila lejon lirinë e fesë, e para dhe e dyta është shumë fyese dhe ofenduese për qytetarët e vendit pa dallim feje që pikërisht si ezani si kambanat të cilësoihen si burim të zhurmës”,  tha Kelmendi.

Edhe deputeti Muhamet Mustafa e përkrahu Kelmendin.

Ai tha se nuk mund të lëmë që ezani të trajtohet si zhurmë, përpos kur zmadhuesit e zërit nëpër objekte fetare mund të keqpërdoren.

“Nëse dikush e keqpërdor atë dhe bën zhumë ajo është diçka tjetër. Por tradita e thirrjes së ezanit nuk mund të konsiderohet si zhurmë, prandaj ju lutem ministër të keni kujdes mos të na krijoni probleme të panevojshme dhe të paqena në këtë shoëri” , tha Mustafa.

Kurse, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi tha se ky Projektligj nuk është kundër askujt. “Nëse ezani thirret pa mjete zmadhuese nuk e pengon askënd dhe Projektligji nuk është kundër ezanit”, tha Krasniqi.

Gjatë debatit në seancën e Kuvendit, deputetet shqyrtuan dhe votuan edhe Projektligjin për shërbimin gjeologjik të Kosovës, Projektligjjn për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese.

Kuvendi Nuk Miraton Marrëveshjen SOFA me Shqipërinë

Edhe pse të gjithë shefat e grupeve parlamentare nga partitë politike shqiptare thanë se do të votojnë pro ratifikimit të Marëveshjes për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e Shteteve përkatëse, por kjo nuk u arritë të kaloj për shkak të se nuk ishin të pranishëm 82 deputetët, siç e parasheh Kushetetuta.

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Statusin e Anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës, të gjithë shefat e grupeve parlamenatre përkrahen projektligjin dhe thanë se do të votojnë pro, por kjo nuk u miratua, pasi që në seancën e Kuvendit nuk ishin të pranishëm 82 deputetët për të votuar.

Askush nga deputetet e grupit parlamentar nga komuniteti serb nuk u prononcua se a e përkrahin Projektligjin në fjalë apo jo.

Neni 18 i Kushtetutës së Kosovës thotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3)  të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për alenca politike dhe ushtarake.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Agim Çeku gjatë prezantimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes, tha se duke pasur parasysh që një marrëveshje e tillë hyn në nivelin e marrëveshjeve ndërkombëtare “ne fillimisht kemi marrë miratimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për të filluar procedurat e lidhjes së kësaj marrëveshjeje”.

Neni 4, paragrafi 2 i Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare thotë se “nismat për marrëveshje ndërkombëtare që vijnë nga ministritë, miratohen  nga Qeveria, pas rekomandimit nga Ministria e Punëve të Jashtme”. 

Ai tha se pastaj Qeveria e Koosvës me 30 janar 2013 ka marrë vendim për lidhjen e kësaj marrëveshjeje, kurse presidentja me datën 18 qershor 2013 ka urdhëruar ministrinë që ta nënshkruajë këtë marrëveshje.

Për nisma të tilla sipas nenit 7, paragrafit tetë të të njëjtit ligj, duhet të lëshohet autorizimi nga presidenti dhe ministri i Punëve të Jashtme, 15 ditë pune, pasi rekomandimi për marrëveshje të ketë shkuar nga qeveria në këto institucuione.

 “Marrëveshja rregullon procedurat e hyrjes, daljes, qëndrimit të përkohshëm dhe statusin e anëtarëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura të Sigurisë së Kosovës”, shtoi Çeku.

Fatmir Xhelili nga Grupi Parlamentar i PDK-së tha se e përkrah ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Deputetja Vjollca Krasniqi në emër të LDK-së tha se e përkrahim projektligjin.

“Si grup parlamentar i LDK-së, do të votojmë miratimit të  këtij projektligji, por duhet të them që këto dy forca  kanë misione jo të njejta”, shtoi Krasniqi.

Deputeti Ahmet Isufi nga Grupi Paralmentar i AAK-së tha së në emër të subjektit të tij politik dhe në emër të Komisonit parlamentar për punë të brendshme dhe mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Koosvës e përkrah Projektligjin, duke kërkuar nga deputetët për ta votuar.

Shefi i Grupit Parlametar nga Lëvizja Vetëvendosje tha se janë pro ratifikimit të marrëveshjes, por tha se Kosova ka nevojë ta ketë ushtrinë e vet.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Agim Çeku dhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Arben Imami nënshkruan në fund të qershorit të vitit të kaluar që precizon statusin e anëtarëve të FSK-së dhe Ushtrisë Shqiptare në territoret e dy vendeve.

Në këtë seancë po ashtu, mbeti pa u miratuar Projektligji për ratifikim e Marrëveshjes për hua dhe financimin ndërmjet KFW Frankfurt Am Main, Republikës së Kosovës dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSTT për përmirësimin e rrjetit të transmisionit.

Edhe kjo ndodhi për shkak të mungesës së kuorumit.

13:42

Deputetët kërkojnë Debat Parlamentar Për Universitetin

Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të enjten në seancën e rregullt parlamentare, gjatë kohës për deklarime jashtë rendit të ditës, ngritën përsëri çështjen e Universitetit të Prishtinës. Ardian Gjini në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së kërkoi dorëheqjen e rektorit Gashi. Ai gjithashtu propozoi që për gjendjen në universitet të diskutohet në kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini, kërkoi në seancën e kuvendit që rektori Gashi të japë dorëheqje dhe si pikë e rendit të ditës të futet problemi i Universitetit të Prishtinës.

“Nëse rektori Gashi nuk jep dorëheqje, Universiteti i Prishtinës ka me u shkatërru gati përfundimisht”, tha Gjini.

Debat parlamentar për Universitetin e Prishtinës kërkoi edhe deputeti i PDK-së Ramë Vataj, por ai nuk e kërkoi dorëheqjen e rektorit.

“Ne si grup parlamentar e presim debatin i cili ka për qëllim përmirësimin e cilësisë të një institucioni të arsimit të lartë”, tha Vataj në kuvend.

Gjini e kërkoi dorëheqjen e Gashit për arsyen se mediat raportuan që rektori ka botuar publikime shkencore të tij në revista që botojnë tekste kundrejt një pagese.

Ai tha se situata në universitet po përçon mesazh te të rinjtë se gjithçka është e arritshme, nëse jeni i gjindshëm.

“Shumë sene arrihen duke qenë i gjindshëm, ama nuk mund të arrihen titulli i profesorit, titulli i doktorit te shkencave. Për të arritur këta tituj, duhet studiuar dhe duhet me u djersit”, vijoi Gjini.

Por Ramë Vataj nuk i konsideroi të pavlera revistat ku ka publikuar tekste rektori Gashi

“Disa prej profesorëve kanë dhënë argumente të dëshmuara se në këto revista publikojnë edhe shkencëtarë eminentë, ndërsa është konstatuar që këto revista të cituara kanë një bord editorial dhe shumica prej tyre nuk mund të jenë korruptive apo të parëndësishme”, tha Vataj.

Ai përmendi nenin 31 të Statutit të Universitetit të Prishtinës, i cili precizon se në cilat raste, rektori duhet të japë dorëheqje, duke thënë se kjo gjë nuk mund të bëhet nga protestat e studentëve dhe pakënaqësitë e grupeve politike.

Në këtë nen thuhet se rektori mund ta lërë detyrën e tij për shkak të dorëheqjes, shkarkimit, arsyeve shëndetësore, dënimit për vepër penale, pensionimit, ose vdekjes.

Ka tri ditë që disa studentë po protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e rektorit Gashi, pasi që gazeta “Koha Ditore” ka zbuluar se rektori Gashi së bashku me disa profesorë të tjerë, ka publikuar tri punime shkencore në një revistë indiane, kundrejt pagesës për këto publikime.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, në një komunikatë të lëshuar më 28 janar, kur disa organizata studentore me protesta kërkonin dorëheqjen e rektorit, njoftoi se ka formuar një këshill që do të shqyrtojë publikimet e stafit akademik të UP-së nëpër revista. 

Rektori Ibrahim Gashi, pas protestës së parë të organizatave studentore, i deklaroi RTK-së se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje.

Sipas tij, dorëheqja po i kërkohet nga 30 persona në një komunitet prej 60 mijë studentësh.