Foto: Valdrin Lluka/Facebook

Ministria i blen dy laptopë kabinetit të Valdrin Llukës, i shpenzon 1 mijë e 840 euro

Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka blerë dy laptopë të markës së njohur HP për stafin e ministrit Valdrin Lluka.

Ministria e drejtuar nga Lluka i AKR-së ka shpenzuar 1 mijë e 840 euro për blerjen e këtyre dy laptopëve apo 920 euro për një laptop.

Sipas zyrës për media të Ministrisë këta laptopë janë blerë për nevoja të kabinetit të ministrit.

“Për nevoja të kabinetit të ministrit janë blerë dy laptopë. Këta laptopë do të përdoren nga kabineti i ministrit mirëpo janë në pronë të MZhE-së. Blerja e tyre është bëre me anë të tenderimit dhe ofertuesi më i lirë i ka ofruar dy laptopë të markës HP”, thuhet në përgjigje të zyrës për media të kësaj Ministrie për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ministri Valdrin Lluka ka 3 asistente dhe 7 këshilltarë në zyrën e tij, të cilët janë të publikuar në ueb-faqen e Ministrisë.

Ministria kishte kërkuar që laptopët të jenë 13 inch, të kenë 8GB RAM, me procesor i5, 2 bateri dhe kishin kërkuar garancion 2 vjeçar.

Thirrjen për kontratë apo hapjen e tenderit, kjo Ministri e kishte bërë më 1 mars të këtij, ndërsa dhënien e kontratës e ka bërë sot, më 1 prill.

Kontratën për ta furnizuar kabinetin e ministrit me dy laptopë e kishte fituar “ARITECH ” SH.P.K.

Gazeta Jeta në Kosovë javën e shkuar raportoi që Kuvendi Komunal i Podujevës kishte hapur procedurat e tenderimit për blerjen e 22 laptopëve për asamblistët e kësaj Komune.

Ish-asamblistët e Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët

Laptopët në këtë komunë janë parashikuar të blihen me çmim përgjysmë më të lirë sesa që Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka blerë dy laptopët.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar gjithashtu edhe për faktin se zyrtarët nuk po i kthejnë laptopët pas përfundimit të mandatit.

Një rast i tillë ka ndodhur në Komunën e Prizrenit ku ish asamblistët nuk i kanë kthyer laptopët.