Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Ministria e Shëndetësisë nuk siguron kontraceptivë për qendrat shëndetësore prej vitit 2015

Më se dy vjet pasi Kombet e Bashkuara e ndalën shpërndarjen e kontraceptivëve, institucionet shëndetësore të Kosovës ose varen prej donacioneve, ose mbesin pa to fare.

Institucionet shëndetësore në Kosovë kanë vështirësi të sigurojnë mënyra pa pagesë për pengimin e shtatzanisë (kontraceptivë) si pasojë e mungesës së shpërndarjes dhe rregulloreve të Ministrisë së Shëndetësisë, duke ua pamundësuar qasjen ndaj kontraceptivëve atyre që nuk kanë mjete t’i blejnë.

Ministria e Shëndetësisë nuk blen kontraceptivë dhe nuk siguron i siguron ato për spitale, qendra të mjekësisë familjare dhe qendra tjera shëndetësore, ka thënë Myrvete Paçarada, drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtina (QKUK), e cila shpreson se kontraceptivët do të përfshihen në pakon e ardhshme bazike të sigurimit shëndetësor nga Ministra e Shëndetësisë.

“Duhet ta kemi linjën tonë buxhetore dhe mos të varemi nga donacionet, sepse pavarësisht se mund t’i garantojmë tani, falë mënyrës së si funksionon buxheti, nuk mund të garantojmë se mund t’i kemi përgjithmonë,” ka thënë Paçarada.

Edhe pse kontraceptivët janë futur në listën e barnave esenciale, Visare Mujko-Nimani, koordinatore e programit në Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) a thënë se sigurimi i tyre ende mbetet problem.

“Deri në vitin 2015, kemi qenë të përfshirë në furnizimin e kontraceptivëve për Ministrinë e Shëndetësisë që të shpërndahen përmes sektorit publik të shëndetësisë,” ka thënë ajo.

Sidoqoftë, askush nuk e mori përsipër përgjegjësinë e sigurimit pasi UNFPA-ja e ndaloi furnizimin në emër të qeverisë. “Fatkeqësisht, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka bërë furnizim pasi ne e ndërpremë sigurimin e kontraceptivëve,” ka vazhduar ajo. “Çfarë ka tash është e tëra, për më shumë duhet pyetur Ministria e Shëndetësisë.”

Kjo është pohuar edhe nga Merita Vuthaj, shefe e Divizionit për Gruan dhe Fëmijën në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila shpjegoi se kontraceptivët duhet të sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë.

“Kontraceptivet mbesin ne LEB [Listën e Barnave Esenciale] dhe parashihet sigurimi i tyre (janë të planifikuara edhe në strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë),” ka thënë ajo përmes një email-i për Prishtina Insight.

Edhe pse është ofruar ndihmë në sigurim nga UNFPA-ja përmes palëve të treta për garantuar se Ministria mund të sigurojë çmime më të ulëta për kompani që furnizojnë kontraceptivë, kjo nuk është vënë në përdorim.

“Sipas dijenisë sonë, askush nuk furnizon kontraceptivë në Kosovë,” ka thënë Mujko-Nimani.

Vuthaj ka thënë se Kosova, si shtet me të ardhura mesatare, nuk llogaritet më për furnizim me kontraceptivë falas nga KB-ja, dhe se asnjë organizatë tjetër nuk e ka ndihmuar Kosovën në sigurimin e tyre.

“Përveç UNFPA-së nuk ka ndonjë organizatë tjetër e cila ka përkrahur me mjete kontraceptive,” ka thënë ajo.

Pakoja e sigurimit shëndetësor është përfunduar dhe do të publikohet në fund të këtij viti, dhe UNFPA-ja po e përkrah Ministrinë që të garantohet përfshirja e kontraceptivëve në shërbimet e ofruara si parakusht themelor për shëndet seksual dhe riprodhues.

“Ky plan veprimi për shëndetin seksual dhe riprodhues do të na tregojë hapat konkretë se çfarë po planifikojnë të bëjnë,” ka thënë ajo. “Sigurisht që çdo aspekt i shëndetit seksual dhe riprodhues do të mbulohet, kujdesi para lindjes, sigurimi i kontraceptivëve, dhuna në baza gjinore, planifikimi familjar, si dhe infeksionet e transmetuara seksualisht [STI], HIV/SIDA dhe rinia”.

“Sa i përket sigurimeve shëndetësore, shpresoj që këto mjete do te jenë ne kuadër te pakos bazike, por mbetet të shohim ,meqenëse sigurimet shëndëtësore janë në proces (nuk është në kompetencën time),” ka thënë Vuthaj.

Ndërprerja e sigurimit të kontraceptivëve nga ana e UNFPA-së për institucionet e Kosovës në vitin 2015 i përgjigjet një rënieje të përdorimit të kontraceptivëve, shkruan një raport i Avokatit të Popullit.

Edhe pse strategjia e kaluar për shëndetin riprodhues, e cila ka skaduar në vitin 2015, ka përfshirë implementimin e aktiviteteve promovuese lidhur me shpërndarjen e kontraceptivëve, dhe rritjen e përdorimit të tyre për 30 përqind, raporti i Avokatit të Popullit ka nxjerrë përfundimin se përdorimi i tyre në fakt ka rënë.

Raporti, i cili është i mbështetur nga një studim i bërë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thotë se pas adoptimit të strategjisë, vetëm 14 për qind të grave mes moshave 15 dhe 49 kanë përdorur mjete kontraceptive, krahasuar me 23 për qind në 2003 dhe 15 për qind në 2009.

Për më shumë, barnatoret dhe institucionet shëndetësore të sektorit privat janë mënyrat e vetme të besueshme për të siguruar kontraceptivë, të cilat mbesin shumë të shtrenjta për shumicën e individëve për t’i përdorur rregullisht dhe ofrojnë metoda të limituara për ta penguar shtatzaninë.

Pavarësisht metodave të kufizuara, barnatoret në Prishtinë ofrojnë së paku një kontraceptiv emergjent gojor dhe katër-pesë lloje të kontraceptivëve ditorë gojorë, të njohura si ‘pilula’. Çmimet janë mjaft të ndryshme, prej 1.5 eurosh deri në 14 euro për sasi mujore.

Edhe pse nuk duket se ka dallim në efektin e pilulës mes çmimeve të ndryshme, por më të shtrenjtat arrijnë t’i zvogëlojnë efektet anësore e këtyre medikamenteve, sikur tugu, dhimbja e kokës, dhimbja e gjinjve, ndryshimet personale, fryrja, dhe zvogëlimi i dëshirës seksuale.

Raporti i Avokatit të Popullit, përpos që sugjeron përfshirjen e kontraceptivëve në pakon e sigurimit shëndetësor, po ashtu shënon se duhet të ketë shumëllojshmëri të formave moderne të pengimit të shtatzanisë për të siguruar mundësinë e zgjedhjes — jo vetëm kondomët dhe kontraceptivët gojorë.

Raporti thekson se kjo duhet të shoqërohet me këshillime, dhënie të informatave dhe përgatitje të stafit mjekësor rreth mundësive për ata që kërkojnë.

Paçarada shpjegoi se kjo varësi në donacione për shumë barna bazike gjinekologjike, përfshirë kontraceptivët, i rrezikon shërbimet falas që i ofrojnë.

“Sigurisht që do të ishte më mirë nëse integrohet në sistemin e sigurimit shëndetësor,” ka thënë ajo. “Nuk ka barna nëse dikush në botë nuk paguan për to.”