Ilustrim

Ministria e Mjedisit, dobësi në prokurim e punësime

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ka pasur telashe me zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), në katër vitet e fundit.

Prandaj, kjo e fundit gjatë viteve 2014, 2015, 2016 dhe 2017, ministrisë i ka dhënë gjithsej 75 rekomandime që kanë të bëjnë me fusha të ndryshme.

Por këto nuk janë problematikat e vetme që janë evidentuar në këtë dikaster.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, sipas raporteve të ZKA-së, gjatë katër viteve të fundit ka pasur sfida edhe në raportimin, harmonizimin dhe inkasimin e të hyrave, operim të operatorëve pa licencë, realizim të pagesave në mungesë të raporteve të pranimit të punëve/shërbimeve, kompensimet për shtesat për punë jashtë orarit si dhe  klasifikim jo të duhur të shpenzimeve.

Kjo ministri u ballafaqua edhe me, mungesë të lejeve të ndërtimit në projektet që vetë i ka financuar, vonesa në realizimin e projekteve dhe skadim të sigurisë së ekzekutimit të kontratës, angazhoi punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta dhe ushtrues detyre për periudhë më të gjatë se tre muaj.

MMPH gjatë katër viteve të fundit, kishte aplikuar pagesa dhe koeficientë të ndryshëm për pozita të njëjta, kishte mungesë të dëshmive për vijimin në punë të të punësuarve, ushtrim të detyrës përtej afatit ligjor, e të tjera parregullësi që u evidentuan nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Ngecjet e ministrisë në zbatimin e rekomandimeve

Në raportin e Auditimit të vitit 2014, thuhet se vetëm një pjesë e rekomandimeve të vitit të kaluar janë zbatuar.

“Arsye për këtë është se ministria nuk ka monitoruar mjaftueshëm planin e zbatimit të rekomandimeve, si pasoj e kësaj në disa raste ka përsëritje të rekomandimeve të viteve paraprake”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Prandaj MMPH-së, i janë dhënë 17 rekomandime në fusha të ndryshme.

Ndërkaq, në raportin për vitin 2015, thuhet se MMPH ka shënuar progres në implementimin e rekomandimeve të vitit të kaluar, megjithatë pesë prej rekomandimeve kanë qenë ende në proces ndërsa një ende nuk ishin implementuar.

“Sidomos kjo është e vërejtur tek prokurimi dhe klasifikimi i shpenzimeve. MMPH ka ndjekur një proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar mënyrën e implementimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm (AP), megjithatë ende mbesin çështje për tu adresuar”, sqaroi raporti i auditimit.

Kësisoj, ZKA në këtë vit, i ka dhënë 21 rekomandime ministrisë në fjalë.

E njëjta kërkesë ishte përsëritur edhe në vitin 2016.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ZKA për konstatoi se ka pasur nivel të ulët të  zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak.

“Vetëm një pjesë e rekomandimeve të vitit të kaluar janë zbatuar sepse MMPH nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të AP-së”, thuhet në raport, e që rrjedhimisht kjo zyrë i dha ministrisë 18 rekomandime për t’i zbatuar.

Mungesë të zbatimit të rekomandimeve të auditorit, MMPH shfaqi edhe në vitin 2017.

“Për shkak të menaxhimit të dobët të procesit dhe mungesës së një monitorimi formal për mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të AP, vetëm një pjesë e rekomandimeve të vitit të kaluar dhe atyre të bartura më herët janë zbatuar”, thuhet në raport.

Kjo sipas ZKA-së, kishte rezultuar në planifikim të dobët të buxhetit në fushën e investimeve kapitale, dobësi në menaxhimin e pasurisë, në monitorimin e projekteve dhe në menaxhimin e personelit.

Në këtë mënyrë, Zyra Kombëtare e Auditorit, në vitin 2017 i dha ministrisë 19 rekomandime.

‘Fshehja’ e prokurimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur shkelje edhe në procedurat e prokurimit që i planifikuar dhe proceduar dikasteri në fjalë.

Në raportin e Auditimit për vitin 2014, të gjeturat kanë treguar mangësitë e proceseve të prokurimit që ndërlidhen me bashkëfinancime.

“Sipas ligjit të prokurimit ‘Autoritet Kontraktues’, është subjekti publik që financon shumën mbi 50% të vlerës së kontratave publike, udhëheqë procedurat e prokurimit dhe menaxhimit të tyre. Lidhur me këtë kemi vërejtur se: Katër projekte që ndërlidhen me rregullimin e shtretërve të lumenjve në vlerë kontraktuese në total prej 1,585,773€ janë kontraktuar nga komunat.”. thuhet në raport.

Raporti konstaton se MMPH-ja i ka financuar në tërësi katër projekte në vlerë prej 1,5 milionë euro, duke mos qenë pjesëmarrëse e proceseve të prokurimit dhe menaxhimit të tyre.

“Ministri duhet të siguroj që bashkëfinancimet me komuna të jenë të mbështetura në bazën ligjore, ashtu që në financimin e projekteve mbi 50% të merr përsipër gjitha proceset e prokurimit dhe menaxhimit të projekteve. Në anën tjetër buxheti të realizohet për ato projekte për të cilat është planifikuar dhe në rast të ndryshimeve të bëhet aprovimi i tyre, në mënyrë që mos të ketë implikime te mundshme buxhetore”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Edhe në vitin pasues, Auditori kishte gjetur dobësi në prokurim. Ministria nuk i kishte publikuar prokurimet e planifikuara, që shkakton uljen e nivelit të reklamimit, transparencës dhe konkurrencës gjatë proceseve të prokurimit.

“Ministri duhet të siguroje që rregullat mbi njoftimin paraprak të kontratave janë aplikuar me qëllim të reklamimit, transparencës dhe konkurrencës së mirëfilltë të procesit”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Përveç kësaj, Ministria e Mjedisit nuk ka aplikuar procedura të hapura të prokurimit në vitin 2015, në rastin e ndërtimit të Memorialit për nderimin e kontributit të gruas gjatë luftës në Kosovë 98-99.

“Në vitin 2013 ishte nënshkruar kontrata për “Ndërtimi i Memorialit për nderimin e kontributit të gruas gjatë luftës në Kosovë 98-99” në vlerë 120,000€. Pastaj në 2015, ministria ka vendosur ti zgjeroj investimet në këtë projekt për 29,717€. Realizimi i punëve është bërë me tre tender (sipas procedurës me kuotim të çmimeve) duke i shmangur procedurat e hapura të prokurimit”, thotë e gjetura e Auditorit.

Sipas ZKA-së, ndarja e tenderëve sipas kuotimit të çmimeve ndikon në uljen e konkurrencës dhe transparencës si dhe në zvogëlimin e afateve kohore për aplikim në tender dhe vlerë më të dobët për para krahasuar më procedurat e hapura.

Ministri duhet të siguroj një rishikim të hollësishëm pse kërkesat specifike të prokurimit nuk janë adresuar për të gjitha prokurimet dhe të identifikojnë masat e duhura për të siguruar që këto dobësi të identifikuara janë adresuar në mënyrë efektive”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Auditori ka gjetur dobësi në prokurim për mallra dhe shërbime edhe në vitin 2016.

“Në procesin e prokurimit “Furnizim me tonerë” në vlerë 44,953€, nuk ekziston vendimi për caktimin e menaxherit të kontratës ndërsa vendimi për komisionin e pranimit të mallrave ishte bërë me vonesë. Për më tepër, mallrat e pranuara nuk ishin në harmoni me specifikacionin sepse nuk ishin origjinale por “kompatibile” e që përjashtohej me dosjen e tenderit ndonëse kjo është në kundërshtim me kërkesat ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së.

“Ministri duhet të shqyrtojë pse kërkesat e prokurimit për mallra dhe shërbime nuk janë zbatuar dhe t’i forcojë kontrollet e prokurimit për të siguruar pajtueshmëri të plotë me kërkesat ligjore dhe vlerë të duhur për paranë e shpenzuar”, thuhet në rekomandimet e ZAP-it.

Dobësitë në menaxhimin e të hyrave nga ana e ministrisë

Për katër vite me radhë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është përballur me sfida në raportimin, harmonizimin dhe inkasimin e të hyrave.

ZKA në raporton e Auditmit të vitit 2014, për këtë ministri ka gjetur se, për muajt shtator dhe tetor, bazuar në dokumentacion, ekzistonin diferenca në raportim mes drejtorisë së Parkut Nacional “Bjeshkëve të Nemura” dhe koordinatores së të hyrave në MMPH.

Edhe në vitin 2015 dhe 2016, ZKA ka gjetur se ministria nuk kishte bërë një planifikim adekuat sa i përket mbledhjes së të hyrave për atë vit.

MMPH ndërkaq, për vitin 2017 kishte planifikuar që të realizojë të hyra në vlerë prej 922,000 euro, mirëpo kishte arritur që të inkasoj 644,262 euro apo 70  për qind  e të hyrave të planifikuara.

“Regjistrimi i të hyrave në kode jo adekuate – Edhe në këtë vit të hyrat nga shitja, licencat për pëlqimet mjedisore dhe lejet ujore regjistrohen të gjitha në një kod të vetëm ekonomik 50201 – Licencat për aktivitete individuale dhe të lira. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kodeve në SIMFK”, thuhet në raportin e Auditorit.

Shkeljet e MMPH-së në katër vite

Në vitin 2014, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk e përfillën operatorët ekonomik, për të cilët është gjetur se kanë operuar pa licencë.

ZKA ka sqaruar se operatorët ekonomik (OE), të cilët kanë aktivitet biznesor shfrytëzimin, ambalazhimin dhe shitjen e ujërave sipërfaqësore, nëntokësore dhe ujërave minerale sipas obligohen që të paguajnë taksë administrative ndaj MMPH bazuar në sasinë/litrazhën e ujit të shitur.

Por shumica e operatorëve që mirren me këtë veprimtari nuk dorëzojnë raporte në ministri, dhe nuk i përgjigjen obligimeve.

“MMPH gjatë 2014 kishte ndërmarrë aktivitete të ndryshme të inspektimit të këtyre subjekteve, e deri me padi në gjykata komeptente”, thuhej në të gjeturat e auditorit. Ky problem ishte përsëritur edhe në vitet tjera, për të kulmuar me vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj të vitit 2017 për t’i falur borxhet të bizneseve që merren me aballazhimin e ujit. Vendimi është anuluar në vitin 2018.

Ndërkaq, të gjeturat e Auditorit në vitin 2015 tregojnë për klasifikim jo të duhur të shpenzimeve.

“Tri pagesa në vlerë totale prej 29,717€ për punë shtesë për projektin ‘Memoriali për kontributin e gruas gjatë luftës 98-99’ ishin bërë nga buxheti për mallra dhe shërbime. Në dy raste në vlerë totale 29,878€ për subvencionimin e Iniciativës qytetare ‘Ta Pastrojmë Kosovën’ e bërë me vendim të ministrit, shpenzimet janë realizuar nga kategoria e mallra dhe shërbimeve e që kjo përkrahje i takon kategorisë së subvencioneve”, thuhet në raport.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor  u ballafaqua edhe me mungesë të lejeve të ndërtimit.

Në gjetjet e Auditorit në vitin 2015, thuhet se, në dy projekte të kategorisë së tretë të cilat i financonte MMPH, punimet janë realizuar, ndonëse u ka munguar leja e ndërtimit.

Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”

Në këtë ministri pati edhe vonesa në realizimin e projekteve dhe skadim të  sigurisë së ekzekutimit të kontratës.

“Pjesa më e madhe e projekteve të MMPH-së janë projekte të viteve paraprake të bartura për realizim/pagesa në vitin 2015. Nga gjashtë projektet e analizuara katër prej tyre nuk ishin realizuar sipas planit dinamik të përcaktuar në kushtet e veçanta të kontratës. Kjo ka ardhur si pasojë e hyrjes në obligime kontraktuale pa pasur mjete të mjaftueshme buxhetore apo lëvizjeve buxhetore për realizimin e projekteve”, vlerësoi Auditori.

Punësimet pa konkurse

Angazhimi me kontrata për shërbime të veçanta dhe ushtrues detyre për periudhë më të gjatë se tre muaj, ishte nje tjetër shkelje e ministrisë.

“Ndonëse MMPH kishte 154 pozita të lira në listën e pagave, kishte angazhuar punëtorë më kontrata për shërbime të veçanta mbi gjashtë muaj. Për këto angazhime, nuk janë ndjekur procedurat e duhura sipas rregullave të kërkuara, siç është procedurë e thjeshtëzuar e rekrutimit apo procedurë prokuruese. Në shtatë raste MMPH ka mbajtur pozita me ushtrues të detyrës mbi tre muaj. Në dy prej tyre, ushtruesit e detyrës e zëvendësojnë stafin e suspenduar”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2015.

Shkelje ka pasur edhe në vitet pasuese, sa i përket rekrutimit. Auditori ka gjetur se në MMPH ka pasur edhe mungesë të dëshmive për vijim në punë të punëtorëve.

“Në MMPH janë angazhuar 38 zyrtarë të shpërndarë në departamente të ndryshme dhe Agjencione të MMPH, për të cilët ministria nuk kishte arritur të ju siguroj zyre në veri të vendit. Ministria nuk ka dëshmi që këta zyrtarë kanë punuar gjatë vitit 2017. Vlera totale e pagave bruto të paguara nga ministria për vitin 2017 ishte 164,021 euro”, thotë e gjetura e Auditorit për vitin 2017.

Ushtrimi i detyrës përtej afatit ligjor, ishte një tjetër shkelje e evidentuar në dikasterin përkatës.

Sipas Ligjit 03/L-149 për Shërbimin Civil neni 30 paragrafi 4 citon: Në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë sesa tre muaj.

Por, Auditori ka identifikuar shtatë raste ku zyrtarët kanë tejkaluar afatin ligjor të mbajtjes së pozitës si ushtrues detyre duke filluar nga dy muaj deri në tri vite.

ZKA-ja gjeti dobësi në sistemin e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Ekzistojnë një numër dobësish që ndërlidhen me operacionet aktuale të NjAB-së si:  Për një (1) raport të auditimit të brendshëm nuk ishte përgatitur plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve; Sipas raportit të NjAB-së, vetëm 43 nga 62 rekomandimet e dhëna nga NjAB ishin zbatuar plotësisht nga menaxhmenti; dhe ekziston një diferencë e theksuar ndërmjet pagave të auditorëve të brendshëm. Njëri auditor paguhet me koeficientin 16 ndërsa tjetri me koeficientin 7”, thuhet në të gjeturat e raportit për vitin 2016.

Auditimi po ashtu në këtë vit,  kshte identifikuar disa papajtueshmëri lidhur me përdorimin e pasurive të ministrisë si në vijim: Disa ish zyrtarë të cilëve ju ka skaduar mandati nuk kishin kthyer pasurinë e ministrisë me të cilën kanë qenë të ngarkuar (laptop dhe aparata digjital); dhe  11 automjete zyrtare ishin përdorur nga zyrtarët e ministrisë pas orarit zyrtar në kundërshtim me Vendimin 12/2015 të ministrit për përdorim të automjeteve jashtë orarit zyrtar të punës.

Funksionimi i dobët i Komitetit të Auditimit ishte konstatuar për ministrinë edhe në vitin 2017.

“Komiteti i Auditimit gjatë vitit 2017 kishte mbajtur dy takime pune, nga katër që kërkohen sipas udhëzimit administrativ 11/2010 për themelimin dhe funksionimin e Komitetit të auditimit. Nga procesverbalet vërehet se është shqyrtuar puna e NjAB-së, mirëpo procesverbalet e takimeve janë të përgjithësuara. Komiteti i Auditimit ende nuk e ka hartuar statutin e saj që kërkon UA 11/2010 neni 4, pika 1.14 për themelimin dhe funksionimin e KA në subjektet e sektorit; Ndërsa për dy raporte të AB njësitë e audituara nuk kishin përgatitur planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve”, theksohet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit.

Të gjeturat e raportit të Auditorit për vitin 2017, flasin edhe për mos realizimin e buxhetit për projekte kapitale nga ana e MMPH-së.

Për vitin 2017, me buxhet fillestar në programin për investime publike, ishte paraparë realizimi i 80 projekteve kapitale me vlerë totale 15,874,458 euro, mirëpo me rishikim të buxhetit ishin larguar 19 projekte në vlerë prej 1,810,000 euro si rezultat i mos realizimit të tyre.

“Shkurtime buxhetore pas rishikimit kishin pësuar 17 projekte në vlerë prej 5,277,065€. Në mesin e këtyre projekteve vlerën më të madhe buxhetore e kishte projekti ‘Fabrika e ujërave të zeza në Pejë’ prej 3,420,000€. Ndërsa në tetë projekte ka pasur rritje në vlerë 1,837,050€. Për më tepër, shfrytëzimi i buxhetit për projekte kapitale (duke i përjashtuar shpronësimet) ishte në vlerë 8,158,771€ ndërsa 55% e buxhetit apo 4,507,722€ ishte shpenzuar në tremujorin e fundit të vitit”, thuhet në raport.

ZKA ka konstatuar se, mos realizimi i projekteve kapitale të planifikuara dhe diferencat e theksuara mes planifikimit dhe shpenzimit, rrisin rrezikun që të mos arrihen objektivat e përcaktuara të ministrisë. “Realizimi i buxhetit në fund të vitit rrezikon që kontrollet të anashkalohen për shkak të volumit të madh të punëve”.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), aktualisht udhëhiqet nga ministri Fatmir Matoshi, i cili këtë pozitë e ka marr në tetor të vitit 2018.

Pas dorëheqjes së ministres Albena Reshitaj, në gusht të 2018-ës, Matoshi fillimisht ishte Ushtrues i Detyrës i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ku deri para emërimit ka qenë zëvendësministër në të njëjtin dikaster.

Ish-ministrja Albena Reshitaj e ka udhëhequr ministrinë gjatë viteve 2017 – 2018.

Ndërkaq, para Reshitajt dhe Matoshit, MMPH udhëhiqej nga Dardan Gashi në vitet 2011 – 2014, Ferid Agani 2014 – 2016 dhe Ferat Shala 2016 – 2017.