Objekti i Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit  ‘vlon’ nga Ushtruesit e Detyrës

Së paku katër zyrtarë të rëndësishëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishin mbajtur pozitat e tyre si ushtrues detyre për tre vite.

Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, zyrtares për shpenzime, zyrtarit çertifikues si dhe pozita e drejtorit në departamentin për politika të arsimit para universitar ishin mbajtur me ushtrues detyre që nga viti 2015, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm është zgjedhur në shkurt të vitit 2018.

Ligji për Shërbimin Civil përcakton se një pozitë nuk mund të mbahet nga ushtruesi i detyrës për më shumë se tre muaj.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se pozitat me ushtrues detyre mund të rrezikojnë mbarëvajtjen e punëve në ministri.

“Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, zyrtares për shpenzime, zyrtarit çertifikues si dhe pozita e drejtorit në departamentin për politika të arsimit parauniversitar mbahen me ushtrues detyre që nga viti 2015. Më tutje, edhe pozita e udhëheqësit të Divizionit të prokurimit mbahet me ushtrues detyre që nga viti 2016. Vlen të theksohet se Sekretari i Përgjithshëm është përzgjedhur në shkurt të vitit 2018”, janë gjetjet e Auditorit.

Pasqyra vjetore financiare e MASHT është vlerësuar si e paraqitur drejtë, mirëpo në fusha të caktuara janë bërë bërë gabime në vlerësimin e pasurive.

Pasuritë kapitale të kësaj ministrie u mbivlerësuan  për 3 milionë e 58 mijë e 150 euro.

Kjo ka ndodhë për faktin që shkollat e ndërtuara nga MAShT, pas finalizimit nuk ishin transferuar te komunat që janë edhe pronarë të atyre shkollave.

Ministria e Arsimit po ashtu kishte vlerësuar si investim kapital shpërndarjen e teksteve falas për nxënësit e nivelin I dhe II të arsimit parauniversitar në vend se të trajtohen si subvencione dhe transfere.

Sipas auditorit, pati gabime edhe në regjistrimin e të hyrave që vijnë nga Agjencia Kosovare e Akreditimit.

“Të hyrat e mbledhura nga Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk ishin regjistruar ashtu siç e parasheh plani kontabël i nxjerr nga thesari. Ato ishin regjistruar në kodin ekonomik 50401 si shitje e shërbimeve, ndërsa duhet të regjistrohen në kodin 50415 tarifa për akreditim. Po ashtu, kthimi i të hyrave nga participimi i studenteve nuk ishin regjistruar në kodin adekuat 50410 si kthim nga participimet por në kodin ekonomik 50409 si participimet”, thuhet në raport.

Ministrisë i janë rritur edhe obligimet e papaguara në vitin 2017 krahasuar me vitin paraprak për 354 mijë e 673 euro.

Kjo rritje kishte ndodhur për shkak se nuk ishin menaxhuar dhe paguar me kohë obligimet.

MASHT po ashtu kishte bërë blerje të mallrave pa zotim të mjeteve.

“Sipas rregullës =për Shpenzimin e Parasë Publike, fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, procesohet urdhër blerja, pastaj pranohet malli apo shërbimi dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa. Te mallrat dhe shërbimet identifikuam se në 19 pagesa, zotimi dhe urdhër blerja ishte bërë pas pranimit të faturës dhe mallit”, thuhet në raport.

12 Qershor 2018 - 23:49

Doruntina Baliu 12/06/2018 - 23:49
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend