Mielli i Kosovës Pret Semaforin e Gjelbër të Shqipërisë

Odiseja e bllokimit të eksporteve të miellit nga Kosova në doganat shqiptare mund të jetë duke iu afruar fundit. Të paktën këto janë sinjalet që vijnë nga institucionet përgjegjëse për bujqësinë dhe ushqimin nga dy shtetet shqipfolëse. Mielli i u bllokua në doganat e Shqipërisë, pas një urdhri që hyri në fuqi më 1 tetor nga ministri i Bujqësisë Edmond Panariti me arsyetimin se vlerat e tij ushqimore ishin të papërshtatshme për konsumin e qytetarëve të vendit të tij. Raportime të ndryshme në medien e dy vendeve sugjeruan se mielli ishte i importuar nga Serbia, nga kompania “M-Sillos”.

Kjo nuk do të ishte hera e parë e bllokimit të mallrave të kësaj kompanie. Më parë, në pranverën e vitit 2013, qindra tonë miell të “M-Sillos” u bllokuan në doganën e Morinës, qindra tonë miell të kësaj kompanie për shkak se u mungonte një certifikatë e rëndësishme analizash. Ndërkaq, bllokimi aktual vijon të jetë në fuqi, pavarësisht negociatave të palëve të interesit. Kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, zyrtarë të njësisë së shtypit dhe marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, njoftuan se situata ishte shumë pranë një zgjidhjeje të përshtatshme  dhe se shpejt do të kishte një deklaratë zyrtare nga institucioni në fjalë.

Më 31 tetor 2014, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dorëzoi pranë institucioneve në Kosovë një propozim akti normativ për sigurinë e miellit. Panariti deklaroi publikisht se dokumenti ishte përgatitur sipas standardeve të Bashkimit Evropian, duke vënë theksin te niveli i përshtatshëm i proteinave në bukë. Dokumenti i një natyre gjerësisht teknike, i cili disponohet i plotë nga Gazeta Jeta në Kosovë, cilëson në fakt edhe kritere të tjera që lidhen me cilësinë dhe sigurinë ushqimore sa u takon importeve të miellit që hyjnë në Republikën e Shqipërisë  dhe si rrjedhojë, të miellit që prodhohet dhe përdoret brenda vendit. 

I pyetur për bllokadën e miellit, kreu i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK), Valdet Gjinovci, deklaroi se problematika e miellit që ka qenë temë debati gjatë muajve të kaluar, është tash një kapitull i mbyllur. 

Ai tha se pikërisht për këtë çështje janë mbajtur takime me aktorët e interesit dhe diskutimet përkatëse kanë qenë pozitive. 

 “Udhëzimi i përgatitur nga Ministria e Bujqësisë së Republikës së Shqipërisë dhe kontaktet e drejtpërdrejta me ta, kanë mundur të largojnë barrierat e panevojshme”, tha kreu i AVUK-ut. 

Gjinovci, njohës i çështjeve të bujqësisë së ushqimit edhe në Shqipëri, diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, sqaroi se drafti në fjalë, ka marrë komentet përkatëse dhe i është dërguar mbrapsht palës shqiptare. “Jemi dakorduar që të mos krijohen situata bllokuese por të nxiten lehtësi, duke krijuar mundësi që produktet nga secili vend të kenë një treg të hapur dhe një trajtim të duhur”, tha ai.

Standarde dhe muskuj

Përballja e institucioneve publike dhe lobeve të biznesit në Shqipëri dhe Kosovë, duket se ka shtyrë drejt një kompromisi rregullator. 

Drafti i paraqitur nga Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë, hartuar në bashkëpunimin me Universitetin Bujqësor të Tiranës, parashtron që niveli më i ulët i proteinave të jetë 9 për qind dhe më i larti 12.5 për qind, sipas përdorimeve specifike të miellit. Diçka e tillë sugjeron një tërheqje nga qëndrimi i parë që vendoste vetëm kriterin 12.5 për qind të proteinës në miell, pas pretendimeve se mielli nga Kosova paraqitej në nivelin 7 për qind të proteinës.

Por, në një material dërguar ministrisë nga Unioni i Prodhuesve të Miellit të Shqipërisë, vërejtjet dhe pakënaqësitë nuk janë shuar. Adi Haxhiymeri, president i Unionit thotë për gazetën se ndonëse kanë paraqitur vërejtjet e tyre ndaj draftit të ministrisë, ende nuk kanë marrë përgjigje edhe pse po bëhen dy muaj. “Nuk ka asnjë arsye për këtë vonesë”, vëren ai.

Unioni vëren se një pjesë produktesh të rëndësishme – si mielli integral – nuk janë përfshirë në dokument. Gjithashtu, ekzistojnë vërejtje për një sërë kimikatesh, të cilat sipas Unionit, paraqiten të rrezikshme për shëndetin si dhe janë kancerogjene. 

Kritere të tjera që lidhen me nivelin e lagështisë, tipologjinë e produkteve dhe më tej, kanë marrë gjithashtu vërejtje, shto edhe një sërë analizash që nuk janë parashikuar në material. Veçanërisht për nivelin e përmbajtjes së proteinës në miellin e përdorur në Shqipëri, vërehet se diçka e tillë duhet t’u përshtatet rrethanave vendore dhe jo të mjaftohet duke iu referuar standardeve të paspecifikuara të vendeve të BE-së, të cilat po ashtu përdorin secila kriteret e veta.

Problemet e vlerave ushqimore të miellit që përdoret në Shqipëri nuk kufizohen vetëm te proteinat. 

Sipas një studimi të përgatitur për UNICEF-i që në nëntor të vitit 2010, konsumi mesatar i miellit në Shqipëri paraqitej në nivelin 460 mijë tonë në vit, nga të cilat rreth 433 mijë tonë prodhoheshin në vend dhe rreth 27 mijë importoheshin. 

Raporti sugjeron pasurimin e këtij mielli me acid folik dhe vitaminë B, për të mundësuar një ushqim më të përshtatshëm të popullatës në Shqipëri. Procesi i pasurimit të miellit me vlera ushqyese njohu zvarritje dhe dështime dhe vetëm duke filluar nga janari 2015, është vendosur nga autoritetet në Shqipëri që në treg do të ketë vetëm miell të pasuruar me zink, vitaminë B6 dhe vitaminë B12. Kosova e ka realizuar prej kohësh këtë standard, që në vitin 2012, me Ligjin Nr. 04/L-114 “Për pasurimin e miellit”, ku parashikohen njëkohësisht masa shtrënguese dhe vullnetare për pasurimin e miellit me lëndë ushqyese dhe vitamina.

 “Molla e sherrit”

Niveli i proteinave ishte dhe mbetet arsyetimi kryesor i përdorur për të bllokuar dërgesat e miellit nga industria e prodhimit të miellit në Kosovë drejt tregut të Shqipërisë. Urdhri i ministrit Panariti, për të ndaluar hyrjen e miellit me nivel proteine nën 12.5 %, u shoqërua me një deklaratë të fortë të tij, sipas të cilës, “shqiptarët duhet të furnizohen me miell dhe jo me krunde”. 

Në përgjigje të kësaj deklarate, Drejtori i televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiu, shkroi: “’Mielli kosovar paska kualitetin e krundeve që u jepen bagëtive’, kështu kumtuan mediat të nxjerrë nga goja e ministrit Panariti, me një arrogancë të ulët zbulimi ku kosovarët hanë si bagëtitë…”.

Thuajse njëkohësisht me këtë reagim dhe vetëm pak ditë më vonë deklaratës së parë, Panariti udhëtoi drejt Prishtinës për t’u takuar me zyrtarë të Republikës së Kosovës mbi çështjen e miellit. Pas takimit, ai doli para medieve dhe tha se fjalët e tij ishin keqkuptuar, si dhe lavdëroi prodhimet e Kosovës duke thënë se ato janë cilësore. Ministri vërejti se analizat nga Autoriteti i Veterinës dhe Ushqimit e Veterinarisë së Kosovës vërtetojnë se mielli plotëson standardet dhe si rrjedhojë nuk paraqiteshin pengesa. Pavarësisht fjalëve të mira, çështja nuk u zgjidh.

Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë Edmond Panariti gjatë vizitës në Kosovë

Në fakt, më 20 tetor, Panariti nxori një tjetër udhëzim duke e ulur përqindjen e proteinës nga 12.5 për qind në 9 për qind, çka shkaktoi reagimin e ashpër të Unionit të Prodhuesve të Miellit të Shqipërisë, i cili deklaroi se kjo masë shkatërronte dhe mbyllte industrinë vendase. 

Gjithashtu, ata thanë se në këtë mënyrë vihej në rrezik shëndeti i njerëzve. Njëkohësisht, reagoi edhe Shoqata e Mullisëve të Kosovës duke thënë se mielli i prodhuar prej tyre plotësonte standardet e nevojshme. 

Ndërkaq, deputeti socialist i Kuvendit të Shqipërisë, Erion Braçe, iu kundërpërgjigj ashpër letrës së Baton Haxhiut duke e akuzuar këtë të fundit se po mbronte interesat e një oligarku. Të dy shkëmbyen edhe replika të tjera me tone të nxehta. Në këtë pikë, përballja ishte përshkallëzuar në disa plane, përfshi lobe biznesi, aktorë politikë, institucione publike dhe medie përkatëse.

“M & Sillosi” është në pronësi të kompanisë “Devolli Corporation” që është pronë e biznesmenit Shkëlqim Devolli.

Edhe përfaqësuesi i kësaj kompanie ishte deklaruar lidhur me aferën e miellit pas takimit që kishte pasur me ministrin Panariti me 8 tetor të këtij viti.

Sead Shehu, drejtor i “M & Sillosi” pas takimit pati deklaruar se  asnjëherë nuk kanë pasur probleme me eksport të miellit me Shqipërinë. 

“I garantuam ministrit që i gjithë produkti jonë, i cili prodhohet në Kosovë, është me standarde të Unionit Evropian”, pati thënë Shehu.

 Rivalitet mes bizneseve Kosovë-Shqipëri?

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, shkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë i ngjason shumë më tepër shkëmbimit mes dy kompanive të mëdha, sesa atij të dy shteteve. Ai thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se as Kosova e as Shqipëria nuk e meritojnë këtë aferë të miellit. “Në Shqipëri importohen brenda vitit 490 mijë tonë, dhe pjesa dërrmuese e këtyre produkteve vjen nga Serbia, Ukraina dhe vende të tjera. Pse qenka pengesë kur vjen nga Kosova?” – vëren ai. 

Gërxhaliu thotë se duhet të avancohet bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, duke qenë se aktualisht këmbëngulet që i njëjti produkt vetëm të mos vijë nga Kosova, por mund të vijë nga Mali i Zi dhe të mos ketë probleme.

Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë njohur një seri incidentesh gjatë viteve të fundit, kryesisht me bllokadën që u është vënë disa produkteve nga Kosova në kohë të ndryshme, në doganat e Shqipërisë. Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës ngre një pyetje retorike: “A nuk është barrierë kur mallrat nga Kosova në Shqipëri priten në doganën e Morinës nga 15 inspektoriate të ndryshme?” 

Sipas Gërxhaliut, barrierat e fundit e kanë përcjellë të bërit biznes “qoftë me patato-fobi, qoftë me aferën e çimentos, qoftë me aferën e verërave, qoftë me aferën e miellit dhe të tjera”, duke thënë se vërtet këto janë dëshmi që njollosin dhe zbehin bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Gërxhaliu akuzon se si në Kosovë dhe në Shqipëri, dhe në veçanti në Shqipëri, nuk hyhet në politikë nëse nuk mbron klane të ndryshme biznesi ,apo segmente të ndryshme ekonomike. “Kemi raste si ai i patateve nga Kosova, kur u përfshi vetë ministri i Financave [të Shqipërisë] për t’i bllokuar. Kemi dhe rastin e prodhimeve farmaceutike, ku nga Serbia mund të eksportojë çdo kompani, nga Bosnja dy kompani, nga Maqedonia dy. Ndërsa nga Kosova kemi vetëm një kompani të tillë dhe ajo nuk ka asnjë produkt të licencuar në tregun e Shqipërisë. Shqipëria ka një fabrikë me 76 produkte dhe ato mund të tregtohen në Kosovë pa kurrfarë problemi”. Gërxhaliu bën thirrje që të dy palët të angazhohen më shumë për ta zgjeruar bashkëpunimin në vend që të tkurren dhe të shpikin barriera.

Zgjidhje e paqartë

Çështja e miellit, ndonëse deklarohet nga institucionet e dy shteteve se është shumë pranë një zgjidhjeje përfundimtare, ndodhet praktikisht në një udhëkryq mes institucioneve dhe interesave të biznesit Kosovë-Shqipëri. 

Fakt është se secili vend prodhon disa dhjetëra-mijëra tonë grurë në vit, ndërkohë që nevojat përkatëse janë për disa qindra mijëra tonë miell. Kjo do të thotë se pjesa dërrmuese e lëndës së parë importohet, ndërsa industritë vendase kanë një rol thjesht përpunues. 

Rishikimi i standardeve të cilësisë që mundohet t’i kënaqë disi të dyja palët, ndonëse pritet ta heqë bllokadën, mund të mos përfaqësojë një dritë të gjelbër, por diçka të ndërmjetme. Ndërkohë, të gjitha palët mbeten në pritje të vendimit përfundimtar të Republikës së Shqipërisë. Ky i fundit nuk dihet saktësisht kur vjen.