Mësimi i historisë së luftës, pse duhet vizituar kompleksi ‘Adem Jashari’?

Gjurmët më të qarta të së kaluarës së përgjakur të Kosovës shtrihen rrugëve të pjerrta të fshatit Prekaz.

Pak kilometra nga qendra e Komunës së Skenderajt përmblidhet një copëz historie e asaj që konsiderohet fillimi i luftës në Kosovë, në rrëfimin e tre netëve barbare të marsit të ftohtë, në vitin 1998.

Tre kullat e familjes Jashari qëndrojnë në ballë të kompleksit memorial për 59 anëtarë të kësaj familje që humbën jetën në betejën e 5, 6 dhe 7 marsit, të rrethuar dhe pushkatuar nga forcat paramilitare serbe.

Përveq kullave, në memorial gjenden varrezat dhe një muze që ka mbledhur disa nga reliktet e familjes heroike.

Armët e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shtrihen afër lodrave të fëmijëve të vrarë në ato beteja. Aty gjendet edhe maxhja, objekt që siguroi të mbijetuarën e vetme nga të shtënat.

Për tre netë, familja e gjerë rezistoi brenda shtëpive të tyre në betejën e ashpër. Kullat historike sot megjithatë mezi po i rezistojnë shembjes për shkak të mungesës së kujdesit institucional.

Për çdo mars, në Prekaz organizohet ‘Epopeja e UÇK-së’, ndryshe e njohur edhe si nata e zjarreve, ku qindra vizitorë bartin pishtarë për të kujtuar netët e betejës.

Nata e Zjarreve në Prekaz

Si të shkosh deri atje?

Rreth një orë rrugë e ndan kryeqytetin e Kosovës nga qyteti i Skenderajt.

Me të arrirë atje, në rrugët kryesore të qytetit janë të vendosura disa tabela me mbishkrimin Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz që tregojnë drejtimin për këtë kompleks.

Informacione për këtë kompleks janë vendosur edhe në faqen zyrtare për vizitorë, megjithëse jo shumë  e përditësuar.

Nga qyteti i Skenderajt kompleksin e Jasharajve mund ta vizitosh edhe me një autobus ne formë të trenit.

Autobusi që qon te Kompleksi ‘Adem Jashari’.

Ky “tren” qarkullon nga ora 6 e mëngjesit deri në mesnatë, duke përfshirë fundjavën. Një vizitori të rritur kjo i kushton 1 euro, ndërsa atyre nën 12 vjeç, 50 cent.

Çfarë sheh brenda kompleksit?

Bardhësinë e mermerit dhe modernitetin e të gjithë strukturës së memorialit e thejnë vetëm shtëpitë e Jasharajve.

Duke qenë në fund të kompleksit të rrethuar, pa arritur te këto shtëpi has një objekt në formë piramide i ndërtuar viteve të fundit për të ruajtur eksponante të familjes.

Muzeu i Kompleksit ‘Adem Jashari’

Brenda muzeut të vogël muret mbajnë histori, shpjegime, e ballina gazetash që flasin vetëm për betejën historike të Jasharajve.

Kur ul kokën nga të lexuarit e historive në mur sheh armë të burrave, lodra të fëmijëve, cigarllëk të të moshuarve e rroba të grave.

Në qoshet e muzeut qëndron edhe maxhja (objekt për mbajtjen e miellit), ku ishte fshehur Besarta Jashari, atëherë 11 vjeçe, duke i shpëtuar kështu sulmit vrasës për të gjithë anëtarët e tjerë të familjes që qëlluan brenda shtëpive ato tre ditë.

Flamuj, korniza, fletushka e të tjera mund të blihen brenda muzeut që pritet të zgjerohet për të pranuar edhe të tjera eksponante.

Në këtë muze mund të takohet edhe njëri nga dy ciceronët e kompleksit. Sipas tyre, rreth 400 mijë persona vizitojnë kompleksin çdo vit. Vetëm njëri nga ciceronët flet anglishten, anipse një numër i konsiderueshëm i vizitorëve janë të huaj.

Ciceronët janë entuziast për të treguar legjendën e Jasharajve që nga pleqtë e mallëngjyer, politikanë që vijnë në përvjetore, e deri te fëmijët që sillen atje me eksursionë të shkollave.

Xhevat Imeri ka punuar si ciceron në Prekaz për 21 vite.
FOTO: Atdhe Mulla

Sa dilet përtej muzeut në të djathtë shtrihen 59 varre, të gjitha me mermer të bardhë e me shkronja të kuqe. Sipas ciceronëve, vija e dredhur e kuqe që përshkon të gjithë tokën e kompleksit, simbolizon ‘gjakun e derdhur lum’ në luftë.

Dy tashmë ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovë qëndrojnë pa ndërprerë mbi këto varre për të nderuar të rënët dhe pritur vizitorët.

Përtej tyre shihen tre shtëpi të vjetra, me shumë vrima plumbash dhe të rrethuara me skele e mburojë e cila është ndërruar tre herë, që nga vendosja e saj menjëherë pas luftës, në vitin 2000.

Edhe oborri i shtëpive nuk është prekur për të treguar akoma gërmadhat me gurë e drunjë. Tre shtëpitë e ndërtuara në fillim të viteve 90, që përjetuan betejën e 1998-tës janë ende të pakonservuara.

Për mungesën e konservimit të kullave fajësohen procedurat e tenderimit. Kështu, rreziku për rrëzimin e shtëpive historike vazhdon të jetë eminent me çdo ditë që kalon.

Ndërmjet njërës nga shtëpitë dhe skeles mbrojtëse gjendet i ngjeshur një traktor me ngjyrë të kaltër. Ky traktor i familjes pritet të jetë pjesë e eksponanteve në zgjerimin eventual të muzeut.

Shenjat e mos kujdesit institucional për shumë vite, vërehen edhe në grafitet e bëra në muret e shtëpisë nga persona që e kanë vizituar vendin për 21 vitet e pasluftës. Kompleksin nuk e ruan askush.

Akomodimi dhe ushqimi rreth kompleksit

Kompleksi i mbrojtur institucionalisht nuk është i rrethuar në të gjithë perimetrin e vet. Brenda kompleksit ekzistojnë shtëpi të banuara, përfshirë ato të pjesëtarëve të tjerë të familjes Jashari.

Përreth tij, nuk vërehet interesim komercial për pritje të vizitorëve.  Në perimetër të afërt me kompleksin nuk ka vend fjetje. Megjithatë, kompleksi është i arritshëm nga hotelet që gjenden në qytetin e Skenderajt.

Modernitetit të kompleksit nuk i përshtaten edhe bizneset e vogla që e përshkojnë.  Disa dyqane shumë të vogla mbajnë pije dhe gjëra të lehta për të ngrënë.

Të tjera mini-kafiteri shërbejnë kafe (makiaton e famshme të Kosovës) dhe përgatisin ushqime kryesisht të shpejta.

Për përshtypjet e marra në kompleks, mund të shkruhet në librin e kujtimeve brenda muzeut. Në këtë libër ka shënime të shumta edhe nga vizitorë të njohur.

Më poshtë mund të lexoni edhe më detajisht për historinë e familjes Jashari.

‘Epopeja’ e Mbijetesës për Kullat Historike të Jasharajve

 

12 Korrik 2019 - 13:43

Doruntina Baliu, Behar Mustafa 12/07/2019 - 13:43
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend