FOTO: Atdhe Mulla

Mësimi gjatë vikendit konsiderohet se mund t'i dëmtojë nxënësit

Kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve po vazhdon të mbetet temë e diskutimit, edhe pas një muaji që ka filluar procesi mësimor.

E kjo pasi që ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi mori vendim se si duhet të kompensohen këto orë. Nga Sindikata për Arsim assesi nuk pajtohen që këto orë të kompensohen, kurse Këshilli i Prindërve të Kosovës thotë se greva nuk duhet të ndikojë në notimin e nxënësve.

Kurse ekspertët e arsimit konsiderojnë që këto orë nuk do të jenë mjaftë produktive dhe se pushimi i vikendit nuk duhet të ju merret nxënësve.

Vendimi i Ministrisë së Arsimit thotë se pesë ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, pesë ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019 dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) , Rrahman Jasharaj tha për Gazetën Jeta në Kosovë se do të bëjnë padi ndaj ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për këtë vendim.

Në anën tjetër, këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi tha se vendimi është marrë në bashkëpunim me DKA-të dhe se ky vendim ka bazë ligjore.

Këshilli i Prindërve mirëpret kompensimin e orëve të humbura për shkak të grevës në arsim

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti tha se pret nga mësimdhënësit që të bëjnë vlerësimin e duhur për nxënësit, pasi që sipas tij, greva mund të ndikojë në notim.

“Në këtë rast ne kërkojmë mirëkuptim nga mësimdhënësit që gjatë kohës së vlerësimit të përformancës së nxënësve, të kenë parasysh kohën e gjatë të humbjes së procesit mësimor si dhe ngarkesën me njësitë, në mënyrë që mos t’i notojnë fëmijët me nota më të dobëta, sepse ata në rrethana normale munden me pas nota ma të mira, por greva e ka bërë që të mos marrin ndoshta”, tha Reshiti.

Ekspertët e arsimit: Mësimi gjatë vikendit do t’i dëmtojë nxënësit

Kurse, sipas ekspertit të arsimit, Rinor Qehaja shqetësimi i vetëm tek kompensimi i orëve është serioziteti i tyre.

“Orët e kompensuar, veçanërisht ato të shtunave, nga përvojat e mëparshme dëshmojnë që humbin në seriozitet dhe përkushtim. Andaj shqetësimi qëndron në atë që edhe nëse zëvendësohen këto orë, prape procesi i mësimdhënies do të jetë i dëmtuar. Është padrejtësi ndaj nxënësve dhe prindërve që rezultatet e grevës të prekin edhe planet e tyre. Shpresoj shumë që prindërit të vetëdijesohen dhe mbi të gjitha në vazhdimësi të kërkojnë llogaridhënie për cilësi më të madhe në mësimdhënie”, tha Qehaja.

Ndërsa, Agnesa Qerimi nga Këshillit Rinor Kosovar (KYC) tha se vendimi që orët e humbura të zëvendësohen të shtunën, do të ndikojë shumë keq tek fëmijët.

“Brenda këtij vendimi, sipas meje çka nuk është e arsyeshme – është fakti i zëvendësimit të mësimit në ditët e vikendit, saktësisht pesë të shtuna i bie gjashtë ditë mësimi në javë- duke e ditur ngarkesën, mos-produktivitetin dhe jashtë-ligjshmërinë nuk e konsideroj të shëndetshme që fëmijëve të ju marrim vikendin për shkak të një çështje të keq-menxhueshme qeveritare. Përveç se i kemi dëmtuar gjatë grevës, tashmë prapë po kthehemi dhe po i ngarkojmë me punë e përkushtim të tej zgjatur, pa asnjë pikë faji në agjendën e tyre. Do të thotë, për çdo mospërgjegjshmëri tonën në një anë ose anën tjetër, është nxënësi ai që pëson”, tha ajo.

Qerimi shtoi se MAShT duhet ta rishqyrtojë vendimin për zëvendësimin e këtyre orëve të humbura.

“Kemi ditë brenda kalendarit akademik të cilat mund të zëvendësohen lehtësisht siç janë për shembull ditët e festave. Në vend se të pushojnë të hënën për festen e Pavarësisë që ka datuar të dielën, kemi mundur atë ta zëvendësojmë, dhe të tilla dite të tjera që ekzistojnë. Prandaj, konsideroj qe ky vendim duhet te ri-shqyrtohet. Është në rregull të zgjatet viti- akademik ose të merren ca dite prej pushimin pranveror, sepse disi duhet të zëvendësohen këto orë. Por, nuk është në rregull të ju merret vikendi assesi. As 5 ditë e as më pak. Kështu nuk ka efekt, përkundrazi nxënësve nën këtë sistem po ju shkaktojmë pa-siguri dhe mos-dëshire të madhe për të ecur në hapa mësim-nxënie”, tha Qerimi për JnK.

Ndryshe, ditë më parë edhe drejtoresha e Edukimit Botëror gjatë një takimi me përfaqësuesit e SBAShK-ut tha se orët e humbura duhet të kompensohen, por se sipas saj duhet të gjendet mënyra më e mirë përmes dialogut social.

https://kallxo.com/drejtoresha-e-edukimit-boteror-oret-e-humbura-gjate-greves-duhet-te-zevendesohen/

Greva e mësimdhënësve ishte mbajtur për shkak të pakënaqësive të tyre për Projektligjin për Paga, kështu duke kërkuar rritje të koeficientit.

https://kallxo.com/sbashk-kunder-kompensimit-te-oreve-te-humbura-gjate-greves/

.