Menaxheri i Lojërave të Fatit Ngritet në PDK

Zyrtari i Administratës Tatimore të Kosovës, Bekim Jupa, nga janari është edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës. 

Në mesin e 154 anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së, Jupa, i cili mban pozitën e menaxherit të divizionit të lojërave të fatit brenda ATK-së, rradhitet i 147-ti dhe është mbështetur me 167 vota. 

Por mbajtja e dy pozitave duket të jetë e kundërligjshme.

Ligji për shërbyes civilë, pika 1 e nenit 17, kërkon që në këso raste “statusi i nëpunësit civil pezullohet për shkak të mospërputhshmërisë ndërmjet emërimit politik dhe statusit të nëpunësit civil…”.

Nga 30 janari deri më 7 mars 2013 Jupa nuk ka pezulluar asnjërën nga postet e tij.

Agjensioni Kundër Korrupsionit (AKK) ka hapur rastin për të shikuar nëse Bekim Jupa gjendet në konflikt interesi pasi është pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë.

“Ne jemi duke e trajtuar këtë rast – po i konsultojmë të gjitha dokumentet dhe së shpejti Agjencioni Kundër Korrupsionit do të marrë një vendim”, tha drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, për Gazetën Jeta në Kosovë.

I kontaktuar nga gazeta, menaxheri i lojërave të fatit Bekim Jupa tha se angazhimin në PDK e ka bërë për “hobi dhe atraktivitet”.

“Nuk më ka shkuar mendja ndonjëherë se mbajtja e dy pozitave [në ATK dhe në PDK] përbën konflikt interesi”, thotë Jupa. 

Jupa është edhe anëtaër i degës së PDK-së në Gjakovë, por ai thotë se aktiviteti i tij në PDK nuk është politik.

Ai tha se do të japë dorëheqje nga njëra prej pozitave “në momentin kur organet kompetente vërtetojnë se ky është konflikt interesi”. Jupa nuk specifikoi se cilën pozitë do të mbajë nëse detyrohet të japë dorëheqje.

“Unë nuk kam asnjë përfitim financiar prej partisë”, tha ai. 

Jupa thotë se ka konsultuar kodin e sjelljes së etikës të ATK-së dhe se ai nuk ia ndalon një gjë të tillë.

 
Bekim Jupa në degën e PDK-së në Gjakovë | Foto: Facebook  

 

Në faqen zyrtare të ATK-së gjendet kodi i mirësjelljes për administratën tatimore të Kosovës i cili përmes pikës 5 të nenit 13 obligon zyrtarët e ATK-së t’i binden ligjit për shërbyes civilë. Ai nuk përmban datën e aprovimit ose hyrjes në fuqi të tij.

Sipas këtij kodi Jupa është dashur të “abstenojë nga përfshirjet aktive në aktivitetet politike”. 

Kodi bën thirrje që rastet e tilla të paraqiten në Zyren e Standardeve Profesionale. 

“Është me rëndësi që opinioni të ketë besim në ndershmërinë e ATK-së dhe punonjësve të saj. Për të siguruar ruajtjen e këtij besimi, ankesat kundër organizatës, shërbimit, apo punonjësve të hetohen me përpikëri dhe në mënyrë objektive nga Zyra e Standardeve Profesionale”.

Por ZSP-ja nuk i ka kthyer përgjigje gazetës kur është pyetur për rastin e Jupës.

“E rrezikon besimin e publikut në transparencën e lojërave të fatit. Vjosa Rugova Damoni

Për përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe partitë e opozitës praktika e mbajtjes së pozitave civile dhe politike duhet të ndalohet sepse dëmton institucionet vendore.

Vjosa Rugova Damoni, koordinatore e programit në Iniciativën Kosovare për Stabilitet, thotë se institucionet do të duhej të punësonin stafin civil në përputhshmëri me ligjin si dhe të ndërmarrin masa në rast të shkeljes së tij.  

“Bekim Jupa duke qenë njëkohësisht në këshillin drejtues të PDK dhe në pozitë menaxheriale në divizionon e lojërave të fatit jo vetëm që shkakton konflikt interesi, por edhe e rrezikon besimin e publikut në transparencën e lojërave të fatit”, tha ajo. 

Sipas Damonit, “gjëja e vetme pozitive në këtë drejtim është se këto raste po demaskohen dhe po bëhen publike nga mediat”.

Për Lëvizjen Vetvendosje! konflikti i interesit në Kosovë është i përhapur dhe, sipas saj, institucionet nuk po ndërmarrin veprime efektive në parandalimin e këtij fenomeni. 

“Ky [Bekim Jupa] është në konflikt interesi dhe nuk është hera e parë që njerëzit e këtij pushteti shkelin ligjet në fuqi”, tha deputetja Albulena Haxhiu, për Gazetën Jeta në Kosovë.