Megjithatë, Duhet të Festojmë

Përvjetori i pavarësisë së Kosovës, zakonisht një ngjarje e harrueshme, na gjen të gjithë ne kosovarët buzë greminës. Ndoshta kjo është një deklaratë dramatike për tu thënë duke pasë parasysh që Prishtina është e mbuluar me drita kaltër e verdhë, e dy skena janë ndërtuar në secilin fund të bulevardit Nëna Tereze (njëra madje e pret të famshmen Rita Ora), dhe balonët festivë janë ngjitur në banderë zakonisht të mbuluar me njoftime për vdekje. Por njerëzit e këtyre pjesëve e kanë rafinuar artin e të jetuarit në kufirin që ndanë dalldinë prej katastrofës.

Vetëm disa ditë para përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës, patriotë të Facebook-ut u grindën disa ditë me radhë se a duhet larguar flamurin e Shqipërisë nga rrethrrotullimi më i madh i Prishtinës në Ulpianë. Disa live-action ‘heronj’ i erdhën në ndihmë flamurit të gjorë pasiqë zyrtarët qeveritarë vendosën që simbolet shtetërore duhet të mbizotërojnë. Kur ra nata, zyrtarët e ngarkuar me këtë detyrë fisnike shkuan te rrethrrotullimi, ndër udhëkryqet më të ngjeshura të qytetit, për ta ngritur flamurin të kaltër-verdhë të Kosovës. Ironia e asaj që ndodhi qe thuajse e bukur: zyrtarët panë se shtiza ishte jofunksionale dhe s’mundën ta ndërronin flamurin. Teksa zyrtarët përpiqeshin ta ndreqnin shtizën e mallkuar në errësirë, dikush e vodhi bajrakun kosovar sikur të ishte ndonjë skeç nga Monty Python. E gjitha po transmetohej live në mediat sociale – tragjedia jonë nacionale: rasti i flamurit të humbur.

Natyrisht, një flamur tjetër u gjet dhe u ngre lart. Tash, flamuri i Kosovës valëvitet me krenari teksa automjetet vijnë tatëpjetë nga Veterniku përmes mjegullës së smogut të vazhdueshëm të Prishtinës.

Fillimisht, debati se cili flamur duhet të qëndrojë te rrethrrotullimi m’u duk tepër qesharak, por pas një kohe, kjo “dramë” s’më duket vetëm tregues i problemeve bashkëkohore të identitetit (a ekziston një gjë e tillë sikur kosovarët?), por po ashtu si simbol i të metës më të madhe të këtij shteti: keqfunksionimi i tij.

Edhe pse kemi hyrë në vitin 2018 pas një viti fushatash me shumë luhatje, pyetja e parë që rri në majat e gjuhëve të të gjithëve është kur do të jenë zgjedhjet e ardhshme. Në 10 vitet e fundit, secilat zgjedhje në Kosovë kanë qenë zgjedhje të parakohshme. Ndonëse, pa dyshim, ky është rezultat i krizave politike apo i një mungese të përgjithshme të konsensusit në kuvend për të gjetur zgjidhje për çështje të caktuara. Është po ashtu tregues i thellësisë se keqfunksionimit: prej miratimit të ligjeve deri te zbatimi i tyre, shteti i së drejtës duket koncept i huaj për udhëheqësit tanë.

Në dhjetë vitet e fundit, i kemi lënë në baltë fëmijët tanë – 70 përqind e të cilëve janë analfabetë funksionalë; i kemi lënë në baltë të moshuarit tanë, të cilët ende nuk kanë qasje në pensionet e tyre të kursyera gjatë periudhës jugosllave; i kemi lënë në baltë mësuesit tanë, të cilëve vit më vit u premtohen rritje pagash që s’i marrin kurrë; i kemi lënë në baltë të varfrit tanë – ka aq shumë prej tyre që lypësojnë nëpër rrugë e kafene, pa strehë apo kuzhinë ku mund të rrinë e hanë; e kemi lënë në baltë rininë tanë, të cilëve iu mungojnë shkollat cilësore dhe liria e lëvizjes (dhe të gjithë po i përgatisin planet për të ikur). I kemi lënë në baltë gratë tona, duke qenë se vetëm tre përqind e tyre trashëgojnë pronë dhe ato që ikën nga familjet abuzuese këtë janar nuk kanë pasur ku të shkojnë sepse strehimoret ishin mbyllur për shkak të mungesës së fondeve. E kemi lënë në baltë veriun tonë, ku serbët kanë frikë t’i votojnë individët jashtë lidershipit të etabluar politik, dhe dhjetë vjet pas pavarësisë e mohojnë shtetësinë e Kosovës si kurrë më parë.

Cili është hendeku mes pritjeve tona në vitin 2008 dhe realitetit tonë dhjetë vjet më vonë? Prishtina Insight dhe Iniciative e Historisë Gojore janë përpjekur t’i përgjigjen kësaj pyetjeje duke mbledhur tregime personale, kujtime dhe pasqyrime për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Duke i bërë intervistat, kuptova që njerëzit rrallëherë mund të flisnin për 2008-n pa theksuar se si u janë shkatërruar pritjet, ose nëse ishin optimistë prej natyre, duke dhënë përshtypjen se jo gjithçka ishte sot për mrekulli. Trauma e vërtetë nacionale e të gjitha komuniteteve të Kosovës nuk është flamuri, por është shtiza e flamurit e cila nuk lëviz e dështon pa pushim, e ndryshkur nga neglizhenca.

Nga viti 1999, ky shtet ka parë shumë ndërkombëtarë të vijnë e të shkojnë – disa kanë administruar, disa kanë vjedhur – por në fund të fundit të gjithë kanë ikur, duke na dhënë lamtumirën e duke i murmuritur fjalët “Tani është në dorën tuaj”. Por elita vendore nuk ka ndryshuar aq shumë, dhe që nga ditët e administrimit të OKB-së kanë qenë gjithmonë fort të varur nga përfaqësuesit ndërkombëtar për të bërë veprime kuptimplota.

Siç na kujton një ndër të intervistuarat, “Kjo s’ka qenë hera e parë që Kosova është shpallur e pavarur”, rikujtim të cilin më është dashur t’ua bëj bashkështetasve të mi që harrojnë se Kosova ka lindur në vitin 2008, por jo edhe njerëzit dhe strukturat që i qeverisin ata. Një shtet është ndërtuar nga hiri i shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore; një shtet është improvizuar, por mbijetoi në vitet e 90-ta, dhe e rindërtuam këtë shtet prapë pas vitit 1999.

Por jemi në zgrip: kemi parë shumë shokë dhe fqinjë t’i kalojnë pyjet e lumenjtë që të ikin, autobusë të mbushur me njerëz të zhgënjyer të cilët i kishte lënë në baltë Kosova e re. Kemi parë aq shumë dëshmi të vjedhjeve, mashtrimeve dhe mungesë të qartë të integriteti, kryesisht te elita jonë, sa që s’e besojmë askënd dhe asgjë, as edhe votën që e lëshojmë në kuti.

Por kur mendoj se si i ngjeshëm tetë njerëz në një makinë për t’u kthyer nga Maqedonia vetëm gjashtë ditë pasi hyrën forcat e NATO-s në Kosovë, në ankth për t’u kthyer në shtëpi sa më parë që është e mundur, shpresa dhe besimi më kthehen. Ende mund të gjendet butësi këtu mes nesh. Përmasat e potencialit tonë nuk janë shpenzuar – larg saj. Edhe vullneti, edhe qëndresa për ta bërë këtë shtet janë këtu. Por së pari duhet ta ndreqim shtizën.