Medicus: Pa Vendim për Konfiskimin e Paralajmëruar

Në objektin e klinikës Medicus afër Prishtinës, pronari i të cilës ishte kirurgu kosovar Lutfi Dervishi, ishin kryer 24 transplantime të veshkave të “dhuruesve” të huaj për pacientë po ashtu të huaj e kryesisht izraelitë, mes viteve 2006-2008. 

Pas 106 seancash gjyqësore në Gjykatën e Themelore në Prishtinë, më 29 prill 2013, pesë nga shtatë të akuzuar, në krye me Lutfi e Arben Dervishin – pronarin e ish-klinikës dhe të birin, u dënuan me gjithsej 20 vjet burg për krim të organizuar, trafikim me njerëz dhe lëndim të rëndë trupor. Po ashtu gjykata kërkonte edhe 15 mijë euro kompensime për viktimat.

Në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, prokurori Jonathan Ratel, pas përfundimit të procesit gjyqësor, thoshte se kërkoi edhe konfiskimin e objektit ku ishte zhvilluar veprimtaria e paligjshme e transplantimit të veshkave. 

“Për qëllime kompensimi, i kam kërkuar gjykatës që të konfiskohet objekti, prona tokësore, pajisjet mjekësore dhe gjithçka brenda ish-klinikës Medicus, Ratel

“Për qëllime kompensimi, i kam kërkuar gjykatës që të konfiskohet objekti, prona tokësore, pajisjet mjekësore dhe gjithçka brenda ish-klinikës Medicus”, thoshte prokurori Ratel.

Megjithatë, ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim konfiskimi edhe pse kanë kaluar tre muaj që kur Gjykata Themelore e Prishtinës kishte shpallur verdiktin dhe kishte marrë kërkesën e prokurorit Ratel për konfiskim.

“Nuk është marrë ende asnjë lloj vendimi për konfiskimin e objektit të Medicus-it”, tha zëdhënësi i Eulex-it Blerim Krasniqi, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Klinika ishte mbyllur në vitin 2008, si pjesë të hetimeve. Pronarit të saj Lutfi Dervishit i ishte ndaluar të hynte në objekt.

Prokurori Ratel gjatë gjykimit për rastin Medicus në një në seancë të mbajtur në muajin prill kishte zbuluar se në atë objekt ishte duke u zhvilluar veprimtari mjekësore në kohën kur nga gjykata objekti konsiderohej i mbyllur. 

“Nuk është marrë ende asnjë lloj vendimi për konfiskimin e objektit të Medicus-it, Blerim Krasniqi

Në të njëjtën seancë avokati mbrojtës i Dervishit, Linn Slattengren, pati konfirmuar se Lutfi Dervishi, ish-shefi i klinikës, e kishte shitur objektin në vjeshtën e 2012-ës.

“Nuk mund të paguante taksat dhe faturat e energjisë”, kishte thënë Slattenren.

Pas deklarimeve të avokatit se klinika ishte shitur, kryetari i kolegjit Arcadiusz Sedeek në senacë kishte kërkuar përgjigje nga avokati i Lutfi Dervishit se ku kishin shkuar paratë e grumbulluara nga shitja e klinikës. Slattengren nuk kishte dashur të përgjigjej, duke e konsideruar pyetjen të papërshtatshme. Më pas ai kishte thënë se paratë e shitjes janë përdorur kryesisht për një operacion kirurgjik të bashkëshortes së Lutfi Dervishit, të kryer në Gjermani. 

“Nuk mund të paguante taksat dhe faturat e energjisë, Slattenren.

Gazeta ka kontaktuar dy herë me Lutfi Dervishin, por ai ka thënë se është shumë i zënë dhe nuk ka dhënë përgjigjje. 

Blerësi i objektit Fidaim Imeri thotë se para se ta blente nga Lutfi Dervishi pronën është konsultuar me gjykatën dhe komunën e Graçanicës. Ai thotë se është siguruar se objekti nuk është i konfiskuar. “Përndryshe nuk do e blija”, tha Imeri. 

Një muaj pas aktvendimit përfundimtar për rastin Medicus, Imeri thotë se është ftuar në gjykatë në një seancë dëgjimore për çështjen e objektit. Ai thotë se ka paraqitu faktet se ai është blerësi i objektit .“Kam paraqitur dokumentacionin e pronësisë time në këtë objekt dhe kontratën e blerjes si dhe mënyrën se si janë transferuar mjetet çdo 3 muaj nga 30 mijë euro”, tha Imeri.