Mediat Nganjëherë Shkelin të Drejtat e Fëmijëve
Në debatin e organizuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, me përfaqësues të medieve kosovare, të enjten, u diskutua për etikën e raportimit për të drejtat e fëmijëve, si dhe për hapësirën mediale që u ofrohet programeve edukativo – arsimore të të vegjëlve.
Mes koalicionit të organizatave që mbrojnë, promovojnë e avancojnë fëmijët dhe medieve, u hulumtuan edhe format e bashkëpunimit të mundshëm, për t’i bërë të vegjlit prioritet informimi.
Këshilltarja ligjore e BIRN-it, Flutura Kusari, në këtë debat, tha se disa nga shkeljet mediale të të drejtave të fëmijëve, më shumë u takojnë shkeljeve ligjore sesa atyre etike.
Përfaqësuesja e Infoglobit Evliana Berani tha se bashkëpunimi mes KOMF-it dhe medieve mund të thellohet, nëse këto organizata marrin pjesë në këshillat e medieve dhe në organizatat mediale të Kosovës.
Që fëmijët të dalin mirë nëpër raportet mediale, u kërkua trajnim për gazetarët që mbulojnë fushat ku përfshihen fëmijët.
U kërkua që Komisioni i Pavarur për Media, të ndërhyjë më shpesh, kur të vërejë shkelje të të drejtave të fëmijëve nëpër mediat kosovare. Ky komision mes tjerash mbikëqyr edhe sjelljen e medieve audio-vizuale në Kosovë, nëpërmjet kodit të sjelljes për to, të amandamentuar në vitin 2010.
“E drejta e privatësisë së fëmijëve duhet gjithmonë të respektohet”, thuhet në pikën 9.1 të nenit 9 të këtij kodi.
Por kjo e drejtë nganjëherë shkelet, sidomos në rastet kur mediat dëshirojnë të ndikojnë për përmirësimin e jetës së fëmijëve të varfër.
Koalicionin për mbrojtjen e fëmijëve e përbëjnë 15 organizata joqeveritare. Në diskutim kishte edhe përfaqësues të UNICEF-it në Kosovë, organizatës së OKB-së për të drejtat e njeriut.
Debatin nuk e lëshuan as përfaqësues të Unionit të Gazetarëve të Kosovës, Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë dhe Degës së Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.