Mbrojtja e Mujës: Aktakuza Është e Bazuar Në Supozime (TV)

Fjalën përfundimtare fillimisht e dha avokati Sahit Bibaj, mbrojtësi i drejtorit të Urbanzimit, Sadik Paçarizi.

Avokati Bibaj, para trupit gjykues tha se klienti i tij, në asnjë fazë të procedurës nuk ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohet nga prokuroria.

Sipas tij, nuk janë plotësuar elementet e veprës penale, sepse Paçarizi, nuk ka përfituar as për vete e as për tjetrin.

Sipas Bibajt, në këtë rast veprimet e të akuzuarit Paçarizi, lidhur me nënshkrimin e kontratës me fabrikën e çokollatave Kamila, mund të paraqesin ndonjë element për shkelje disiplinore, por kurrsesi nuk bëhet fjalë për vepër penale.

Avokati Bibaj, kërkoi nga gjykata, që të akuzuarin Paçarizi ta shpallë të pafajshëm, ngase sipas tij aktakuza është ngritur në bazë të supozimeve.

Fjalën përfundimtare e dha edhe mbrojtësi i Mujës, avokati Ruzhdi Berisha.

Ai tha se sa i përket pikës së parë të aktakuzës me të cilën Muja akuzohet për mosekzekutim të vendimit të Gjykatës Supreme të vitit 2006, kjo pikë nuk mund të qëndrojë, sepse sipas tij në këtë rast mungon elementi i dashjes për t’u kryer kjo vepër penale.

Sipas Berishës, aktakuza e prokurores Natasha Vicary është e ngritur plotësisht në supozime, madje ai tha se fjala përfundimtare e prokurores dhe ajo që është shkruar në aktakuzë, janë pa kurrfarë lidhjeje ndërmjet vete dhe plotësisht jologjike.

Pas seancës, Ruzhdi Berisha tha se kryetari Muja nuk ka të bëjë asgjë me ndryshimin e evidencave kadastrale.

“Nga të gjitha provat e administruara ne konsiderojmë se pa mëdyshje rrjedh përfundimi se kryetari i komunës Ramdan Muja, nuk ka të bëjë asgjë rreth ndryshimit të evidencës kadastrale, ajo është kompetencë krejtësisht e organeve tjera, e jo kryetarit Muja”, tha Berisha.

Seanca kundër Mujës dhe të tjerëve vazhdon të enjten, ku mbrojtja do të thotë fjalën e  vet përfundimtare në pikat tjera të aktakuzës.