Mbledhja e Senatit të UP-së - Foto: KALLXO.com

Mbetet pezull pozita e sekretarit të Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës po funksionon me një ushtrues detyre të Sekretarit të Përgjithshëm, për shkak të mospajtimit të rektoratit dhe Këshillit Drejtues lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së personit që do të mbajë këtë pozitë.

Më 2 tetor të këtij viti, Esat Kelmendit i skadoi kontrata 5 vjeçare si Sekretar i Përgjithshëm i Universitetit ‘Hasan Prishtina’.

Megjithatë, rektorati i UP-së nuk ka hapur konkurs për këtë pozitë siç parashihet me statutin e universitetit, ndërsa vetë Kelmendi po vazhdon të qëndrojë si ushtrues detyre në këtë pozitë.

Në vend të kësaj, rektori Marjan Dema i dërgoi një shkresë Këshillit Drejtues ku i kërkon atyre që kontrata e Kelmendit të vazhdohet me automatizëm për shkak ‘të arritjeve të tij në këtë pozitë për pesë vitet e fundit”.

Këtë kërkesë, Dema tha se e kishte bazuar në një mendim ligjor të Ministrisë së Administratës Publike, një shkrese të  Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës i cili thotë se e përkrah opinionin ligjor që ka dhënë Ministria e Administratës Publike dhe vetë kontratës së sekretarit.

Megjithatë, shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues, duke përfshirë kryesuesen Ardiana Bunjaku thanë se kërkojnë hapjen e një konkursi për t’u dhënë mundësi të gjithë personave të kualifikuar të konkurrojnë.

Kryesuesja e KD-së, Ardiana Bunjaku, më 2 tetor kishte thënë se një konkurs publik do të ishte mënyra më e mirë e përzgjedhjes së zyrtarit në këtë pozitë.

“Qëndrimi im lidhur me këtë çështje është të zbatohet ne përpikëri ligji dhe statuti i UP-së, duke promovuar transparencën dhe llogaridhënien për secilin akter të përfshirë në vendimmarrje. Kam vlerësuar se do ishte në interesin më të mirë të UP-së, që të hapet konkursi për pozitën e sekretarit, ku do t’i mundësohej secilit pa dallim për të marrë pjesë, përfshirë dhe sekretarin aktual”, kishtë thënë Bunjaku.

Ngjashëm, Zëvendëskryesuesja e KD-së, Laura Kryeziu, tha se për këtë pozitë duhet hapur konkurs.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Kryeziu tha se opinoni i saj mbi këtë çështje nuk ka ndryshuar megjithëse KD ende nuk ka marrë vendim se si të procedohet nga kjo situatë.

“Jemi duke diskutuar në Këshllin Drejtues, jemi para një kontrate të skaduar. Ne kemi kërkuar hapjen e konkursit dhe besoj që kemi procedu me konkur të hapur. Ne e kemi pasur një kërkesë, që ka qenë opsioni i vazhdimit mirëpo për punë të transparencës dhe barazisë ne kemi kërkuar që konkursi të hapet. Opsioni i vazhdimit nuk besoj që ekziston mirëpo nuk kemi asnjë vendim”, tha Kryeziu.

Ardiana Bunjaku, në anën tjetër, nuk ka qenë e qasshme në telefonatat e KALLXO.com.

Beqir Sadikaj, anëtar tjetër i KD-së Universitetin e Prishtinës, më 2 tetor kishte deklaruar se ka dilema për mundësitë ligjore në këtë pozitë.

“Unë jam që të respektohet ligji: nëse sekretari llogaritet si staf civil, të zbatohet ligji për shërbimin civil ndërsa nëse është ndryshe duhet të zbatohet statuti i UP-së dhe duhet të zbatohen rregullat ligjore të UP-së”, kishte thënë ai.

I kontaktuar sërish nga KALLXO.com, ai tha se mendimi i tij nuk ka ndryshuar.

Sipas statutit të UP-së “Sekretari është zyrtari më i lartë ekzekutiv dhe administrativ i Universitetit, me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta të përcaktuara në kontratën e tij e cila nënshkruhet nga rektori”

Në kohën e mandatit të Kelmendit në UP, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për disa skandale që përfshijnë humbjen e kontestit gjyqësor të UP-së kundër Kishës Ortodokse për parcelën e tokës ku gjendet kisha e papërfunduar ortodokse.

Krerët e Këshillit Drejtues së UP-së kërkojnë respektimin e statutit në zgjedhjen e sekretarit

EKSKLUZIVE: UP Humb Gjyqin, Toka në Kampus i Mbetet Kishës

Avancimi i dyshimtë në Universitetin e Prishtinës

 

10 Tetor 2018 - 11:42

Doruntina Baliu 10/10/2018 - 11:42
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend