Kryeministrja britanike Theresa May | Foto: BETA

Mbështetësit e BE-së në Britani Shpresojnë që May të Negociojë Dalje ‘Të Butë’

Mbështetësit e kauzës së BE-së në Britani po shpresojnë se kryeministrja e re britanike, Theresa May – një mbështetëse e fushatës “Të Qëndrojmë” në referendumin e 23 qershorit, mund të negociojë një dalje “të butë” nga BE-ja, që do të bëjë pak diferencë në realitet për marrëdhënien e vendit me klubin europian.

May – e cila u caktua nga Mbretëresha Elizabet të mërkurën pasi bëri turin tradicional në Pallatin Bakingam të Londrës – u zotua të respektojë rezultatin e referendumit në të cilin 52 për qind e votuesve zgjodhën të largohen. “Brexit do të thotë Brexit dhe ne do ta kthejmë në sukses,” tha ajo së fundmi.

Pak persona dyshojnë te fjala e saj dhe raportimet e të mërkurës thanë se një nga veprimet e saj të para si kryeministre ishte caktimi i një Departamenti të ri Brexit brenda qeverisë në kontrollin e një ministri të lartë, ngarkuar me menaxhimin e negociatave para dhe pas aktivizimit të Nenit 50 të Traktatit të Lisbonës – mekanizmi që fillon procesin e shkëputjes.

Megjithatë, sprapsja e thuajse të gjithë kundërshtarëve të saj politikë i jep dorë të lirë për të vendosur formën dhe cilësinë e marrëdhënies së ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar me BE-në – dhe të përcaktojë nëse ndryshimet para-pas do të jenë të mëdha ose minimale.

Me Partinë Laburiste në opozitë që ka probleme të brendshme, asnjë problem nuk pritet në këtë drejtim.

Brenda partisë së saj, ndërkohë, kampi triumfues “Të Dalim” është një forcë në rënie, besueshmëria e të cilit u bë copë pasi dy liderët, Boris Johnson dhe Michael Gove iu kthyen njëri-tjetrit vetëm disa orë pasi fituan votimin në 23 qershor.

Për më tepër, natyra e ngushtë e rezultatit të referendumit të qershorit, 52 për qind kundër 48 për qind është një argument shtesë në favor të synimit të një kompromisi ose “shmangie” që lejon më pak fanatikët nga kampi pro dhe kundër BE-së të jetojnë me njëri-tjetrin pavarësisht se sa të zhgënjyer janë ithtarët e secilit kamp.

Ndryshimi “minimal” do të ishte një marrëdhënie e stilit norvegjez me BE-në që do të thotë dalje formale nga klubi, por bashkim me “Zonën Ekonomike Europiane” [ku Norvegjia hyri në 1994] dhe që përfshin vazhdimësinë e lëvizjes së lirë të njerëzve nga BE-ja dhe aplikimin de-fakto të shumicës së ligjeve dhe direktivave të BE në këmbim të një aksesi pa tarifa në tregjet e BE-së.

Negocimi i një kopje të marrëveshjes së stilit norvegjez për Britaninë do të jetë disi i koklavitur për May, gjithsesi. Armiqësia ndaj imigracionit të BE-së ishte forca kryesore pas votës për t’u larguar nga klubi europian.

Për më tepër, May shihet si më e ashpër ndaj imigracionit në përgjithësi se sa paraardhësi i saj David Cameron, zotimi naiv i të cilit për të kufizuar imigracionin – për të cilin ai bëri shumë pak – ishte një forcë madhore në shkatërrimin e besueshmërisë së tij politike.

Përplasjet e May si Sekretare Shteti me Kancelarin Eurofil të Cameron, George Osborne – që bllokoi vazhdimisht përpjekjet e saj për të kufizuar imigracionin – janë të mirënjohura.

Përkundrejt kësaj, May ka disa aleatë politikë mes fanatikëve kundër-BE, të cilët ajo duhet t’i vlerësojë. Pak prej tyre e mbështetën garën e saj për t’u bërë kreu i Partisë Konservatore dhe vetëm disa pritet të vlerësohen me pozicione të larta.

Një është ish-ministri i mbrojtjes Liam Fox i cili me mençuri mbështeti May pasi i dështoi përpjekja e tij për lidership dhe për këtë mori ministrinë e tregtisë ndërkombëtare.

Caktimi i Johnson si Sekretar i Jashtëm është një lëshim më i madh ndaj kampit anti-BE.

Megjithatë, kuptohet se shumica e punëve kryesore në raundin e parë të emërimeve nga May – Ministritë e Shtetit dhe Mbrojtjes dhe Kancelaria, i kanë shkuar atyre që donin të qëndronin në BE.

May nuk shihet si dikush që ka shumë simpati për ideologët e kampit anti-BE, që në mënyrë rutinë e kanë sulmuar BE-në si një forcë e mbaruar, duke ulur rëndësinë e tregtisë me Europën dhe duke kërkuar që Britania të shkëputet nga kontinenti dhe të ringrihet si një qendër tregtare ndërkombëtare sipas stilit të Singaporit, me lidhje me SHBA, Kinën dhe ish-kolonitë e saj.

Duke shkruar për London Evening Standard, analisti Simon Jenkins tha se May nuk do të ketë mundësi tjetër veçse të marrë parasysh kërkesat “në qytet” – sektorin financiar të Britanisë me bazë në Londër – që Britania të ruajë marrëdhëniet sa më të afërta të jetë e mundur me Europën.

“Një version i Zonës Ekonomike Europiane mund të jetë i mërzitshëm dhe mund të mos jetë i lirë. Por do të bëhet. Do të ketë tregti të lirë të mallrave. Do të ketë liri të lëvizjes. Britania do të ketë një lloj ‘lidhjeje’ me BE-në. Çmimi i Brexit do të paguhet në kompromis dhe shmangie”, parashikoi ai.

Me shumë të panjohura, përfshirë një referendum të mundshëm pavarësie në Skoci – një tjetër re e zezë në horizont – e vetmja siguri është se negociatat e daljes do të jenë deri më tani çështja kryesore që do të dominojë postin kryeministror të May. Ndërsa shumëçka varet nga marrëdhënia që ajo do të negociojë deri në zgjedhjet e ardhshme të 2020, detyra e saj si kryeministri, i pëlqen ose jo, është e thënë të jetë vërtet ‘historike’.