Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Mashtrimi akademik

Le të fillojmë me një skenim të të metave kryesore që e kanë përcjellë ndër vite Universitetin të Prishtinës.

Shumë nga pjesëtarët e stafit akademik të UP-së, sidomos pas luftës në Kosovë (1998-99), janë përzgjedhur kryesisht në baza partiake, klanore, nepotiste e korruptive. Gati gjysma e drejtuesve të UP-së (anëtarët e Këshillit Drejtues, rektori dhe prorektorët, anëtarët e Senatit, dekanët dhe prodekanët) nuk i justifikojnë titujt e vet akademikë.

Hulumtimi i CV-ve të profesorëve të UP-së ka nxjerrë rezultate edhe më të këqija sesa këto të drejtuesve të UP-së. Një aspekt tjetër që lidhet me mungesën e kualifikimeve të stafit akademik të UP-së është edhe plagjiatura, ndonëse deri më tani nuk ka një hulumtim gjithëpërfshirës për të, por indikacionet janë që ajo është jashtëzakonisht e përhapur në UP.

Programet studimore janë të shkëputura nga tregu i punës. Pastaj bëhet fare pak punë praktike gjatë studimeve universitare, kryesisht për shkak të numrit të madh të studentëve dhe planifikimit të dobët të programit mësimor.

Raportet e Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian kanë sugjeruar që të reformohen planprogramet dhe të promovohet hulumtimi shkencor. Në shumë departamente të UP-së studentët shpeshherë si literaturë përdorin skripta dhe përmbledhje të ligjëratave, e ndonjëherë edhe teste të provimeve. Një numër i konsiderueshëm i bibliotekave të fakulteteve janë dobët të furnizuara. Po ashtu, edhe gjendja në sallat e leximit nuk mund të thuhet se është më e mirë. UP-ja aktualisht boton vetëm 6 revista shkencore, por që nuk i plotësojnë kriteret ndërkombëtare. Po ashtu, UP-ja vazhdon të ketë probleme edhe sa i takon parapagimit në revista akademike ndërkombëtare.

Pra, UP-ja ballafaqohet me: staf akademik të pakualifikuar; përzgjedhje të stafit akademik në baza partiake, klanore, nepotiste, korruptive; avancime të pamerituara akademike; plagjiaturë; mungesë të plan-programeve koherente dhe te lidhura me nevojat e ekonomisë e shoqërisë në përgjithësi; mungesë të revistave shkencore; probleme serioze me parapagim në revista shkencore ndërkombëtare; mungesë të bibliotekave; literaturë obligative të demoduar për studentët, e me radhë.

Ndërkaq, ku UP-ja nuk çalon janë pagat e stafit akademik. Pagat mujore për stafin akademik të UP-së janë ndër më të mirat në rajon – deri në 1,400 euro. Përveç kësaj, gati 1/3 e profesorëve të UP-së japin mësim edhe në universitete të tjera publike ose private, gjë që ndikon dukshëm në cilësinë e përmbushjes së detyrave të tyre në UP, si e gjetur e raportit të publikuar së voni të titulluar “Stafi Akademik i UP-së”.

Por, Universiteti i Prishtinës nuk është institucioni i vetëm i lartë i arsimit që ka të evidentuar të tilla parregullsi. Në raportin të titulluar “Kriza Në Akademi”, i publikuar së fundmi, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) janë vërejtur shumë parregullsi të natyrave të ngjashme me atë të Universitetit të Prishtinës.

Gati të gjitha publikimet e AShAK-ut janë të autorëve shqiptarë e në gjuhën shqipe, që do të thotë se ky institucion nuk e ka gati asnjë publikim në gjuhën angleze. Në dhjetë vitet e fundit, ndonëse i ka marrë gati 10 milionë euro nga buxheti i shtetit të Kosovës – shtetit më të varfër në Europë – AShAK-u i ka finalizuar vetëm dy projekte të mëdha: Monografinë «Kosova – vështrim monografik» dhe «Fjalorin Enciklopedik të Kosovës». Për fat të keq, cilësia e këtyre dy publikimeve ka sjellë polemika të mëdha për cilësinë e dobët tyre, për të cilat mund të flasim një tjetër herë. Të gjitha projektet e AShAK-ut janë projekte kombëtare, që do të thotë se AShAK-u, për dallim nga akademitë përreth, nuk e ka asnjë projekt ndërkombëtar.

Ky institucion, prej 10 milionë euro që ka marrë nga Buxheti i Kosovës, rreth 2/3 e këtij buxheti e ka çuar në paga dhe mëditje, ku honorari për anëtarin e rregullt është 1.429.54 euro, e për anëtarin korrespodent 1.283.34 euro – trefish më shumë sesa i kolegëve të tyre nga vendet përreth, ndonëse Kosova është ndjeshëm më e varfër sesa vendet e rajonit. Gati 90% e anëtarëve të rregullt të AShAK-ut nuk kanë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, ndërkaq angazhime nëpër parti politike kanë më shumë se gjysma e anëtarëve të rregullt të këtij institucioni.

Për më keq, AShAK-u udhëhiqet nga Nexhat Daci, një person i dënuar nga Gjykata Supreme me 18 muaj burgim me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare. Tre anëtarë të AShAK-ut – Nexhat Daci, Sabri Hamiti e Arsim Morina – janë të akuzuar publikisht – nga Musa Limani, nga Sali Bytyçi, e nga Talat Gjinolli – me dëshmi të forta, se veprat e tyre janë plagjiaturë.

Mbi të gjitha, ndonëse AShAK-u është i obliguar ligjërisht t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën e vet, deri më sot nuk i ka raportuar asnjëherë. Ajo që e pasqyron më së miri gjendjen e mjerë të këtij institucioni është faqja zyrtare në internet: jofunksionale, e papërditësuar, dhe, mbi të gjitha, vetëm në gjuhën shqipe, e asgjë në gjuhën angleze.

Ndoshta do të ishte mirë që përveç listave të veteranëve, të verifikohen edhe listat e pjesëtarëve të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës dhe listat e anëtarëve të rregullt e korrespodentë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Fundja, nuk duhet t’i gjykojmë vetëm veteranët për mashtrime, kur modelin e njëjtë për të mashtruar, për të vjedhur e për të plaçkitur buxhetin e shtetit të Kosovës po e gjejmë edhe te një pjesë e konsiderueshme e stafit të Universitetit të Prishtinës dhe tek anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

 

Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë vetëm të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.